in

Ministri i Integrimit: “Dyfishohet kohëzgjatja e lejeqëndrimeve, hiqet taksa mbi remitancat”

Seancë dëgjimore në Komitetin Schengen: “Kështu kostoja mbi lejet e qëndrimit do të ndihet më pak”. Eliminimi i taksës prej 2% mbi transferimet e parave të imigrantëve të parregullt është në dekretin mbi thjeshtëzimin fiskal

Romë, 28 shkurt 2012 – Nëse mazhoranca në parlament do të votojë në favor, shumë shpejt, lejet e qëndrimit do të kenë kohëzgjatje të dyfishuar. E ka konfirmuar sot ministri i Integrimit Andrea Riccardi gjatë seancës dëgjimore në Komitetin parlamentar për Schengen-in, Europol-in e Imigracionin. Lejet e qëndrimit, ka lajmëruar Riccardi “do të kalojnë nga gjashtë muaj në një vit e nga një vit në dy vjet”.

Duke dyfishuar kohëzgjatjen e lejeve të qëndrimit do të lehtësohet edhe barra e taksës së re mbi lëshimet dhe përtëritjet (nga 80 euro në 100 euro) që ka ardhur në fuqi në fund të muajit janar. Reforma, shpjegon Riccardi “do të mundësojë shtrirjen për një kohë më të gjatë të taksës së paguar për lejen e qëndrimit”.

Norma mbi lejet e qëndrimit, mbi të cilën ka punuar ministria e Brendshme, duhet të marrë formën e një amendamenti të një prej dekreteve të ligjeve që po konvertohen në ligj në Parlament. Kjo do të thotë që, nëse qeveria nuk vë votëbesimin mbi të gjithë tekstin që do të miratohet, duhet të bëjë hesapet me Legën që padyshim është kundër zgjatjes së vlefshmërisë së lejeve të qëndrimit, por edhe me opozitën e mundshme të Popullit të Lirive.

Ministri ka lajmëruar gjithashtu edhe që në dekretin e thjeshtëzimit fiskal të miratuar të premten e shkuar “është futur abrogimi i normës që parashikonte tatimin me 2% të parave të transferuara jashtë Italisë nga imigrantët e parregullt”. Një zgjedhje që, sipas Riccardit, shkon paralelisht me faktin që “në G20 të Cannes, Italia ishte e para që kërkonte reduktimin e taksave mbi remitancat”.

 Risia padyshim do të nxehë Legën, sepse është pjellë e saj taksa mbi remitancat e të huajve të parregullt e sjellë në fuqi vjeshtën e shkuar kur partia e Bossit ishte në qeveri. Ia vlen të kujtohet që edhe teknikët e qeverisë Berlusconi kishin damkosur si diskriminuese këtë taksë, që shkonte kundër angazhimeve ndërkombëtare dhe që mund të sillte një fitim “të papërfillshëm” për arkat e shtetit.

Riccardi ka folur edhe për sentencën e Gjykatës së Strasburgut që ka dënuar Italinë për kthimet mbrapsht të imigrantëve drejt Libisë dhe ka saktësuar se “në pallatin Chigi po bëhet vlerësimi teknik i sentencës së Strasburgut”.

 

 

Castel Bolognese. Vritet me plumb në kokë 25 vjeçari

Ekstradohet nga Italia i kërkuari Serjan Zogu