in

Për sa kohë mund të qëndroj jashtë Italisë pa humbur lejen e qëndrimit?

Jam shqiptar me leje qëndrimi të vlefshme e duhet të shkoj për ca kohë në atdhe. Për sa kohë mund të qëndroj atje pa humbur lejen e qëndrimit?

Shtetasit e huaj, titullarë lejes së qëndrimit të vlefshme mund të largohen përkohësisht nga territori italian. Ligji përcakton edhe periudhën maksimale të qëndrimit jashtë Italisë pa humbur të drejtën e lejes së qëndrimit.

Para së gjithash duhet parë kohëzgjatja e lejes. Neni 13 i DPR 394/99, rregullorja e aktualizimit të tekstit unik mbi imigracionin, përcakton se leja e qëndrimit me kohëzgjatje njëvjeçare nuk mund të përtërihet nëse shtetasi i huaj ka ndërprerë qëndrimin e tij në Itali për një periudhë mbi gjashtë muaj.

Nëse leja e qëndrimit zgjat dy vjet, koha maksimale e largimit nga territori italian është sa gjysma e kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit, pra një vit.

Në rastin e lejeqëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, i njohur ndryshe si karta e qëndrimit, ligji parashikon që i huaji e humbet të drejtën e këtij dokumenti nëse qëndron jashtë Bashkimit Europian për më shumë se një vit rresht ose në rast se qëndron jashtë territorit italian për më shumë se gjashtë vjet rresht.

Nëse i huaji është i detyruar të qëndrojë jashtë Italisë më gjatë se koha e përcaktuar me ligj, për motive të rënda të dokumentuara, si për shembull sepse shtrohet në spital apo ka nevojë për kura rehabilitimi, apo duhet të kryejë shërbimin ushtarak, ai mund të përtërijë lejen e qëndrimit. Ligji parashikon madje përtëritjen edhe në tast se largimi nga Italia për periudha më të gjata nga ato të parashikuarat është varur nga motive të rënda shëndetësore të bashkëshortit, të prindërve ose të bijve. Sidoqoftë është e rëndësishme që në çdo rast të ruhen të gjitha dokumentet që dëshmojnë arsyet e qëndrimit jashtë Italisë e është mirë që të legalizohen e të përkthehen.

Nëse leja e qëndrimit skadon ndërsa i huaji është jashtë Italisë, ai mund të kthehet duke kërkuar vizë rihyrjeje në konsullatën e vendit ku gjendet. Por në këtë rast leja e qëndrimit nuk duhet të ketë skaduar prej më shumë se gjashtëdhjetë ditësh. Ndërsa për ata që kanë pasur motive të rënda shëndetësore, leja nuk duhet të ketë skaduar prej më shumë se një vit. Për kërkesën e vizës duhet paraqitur lejeqëndrimi i skaduar në konsullatë, dhe jo e fundit i kërkon autorizimin Kuesturës që ka lëshuar lejen.

Në rastin e shqiptarëve, nga 15 dhjetori 2010, nuk është më e nevojshme të kërkohet vizë në konsullatë. Ata mund të vijnë në Itali me pasaportën biometrike e të kërkojnë drejtpërdrejt këtu përtëritjen e lejeqëndrimit, por gjithnjë nëse nuk kanë kaluar më shumë se dy muaj nga skadimi i tij.

Avv. Mascia Salvatore

La7: L’Albania, la terra promessa degli italiani?

Hidhet nga treni e humbet jetën 23-vjeçari Jahja