in

Nuk pranon të prostituohet, përdhunohet nga xhaxhai dhe miqtë e tij

Historia e tmerrshme e rrëfyer nga e përditshmja Il Messaggero ka për viktimë një 18-vjeçare shqiptare. Arrestohet xhaxhai 17 vjeç që e solli në Romë me premtimin e një pune por që e nxori në rrugë si prostitutë

Romë, 9 mars 2012 – Një histori përdhunimi dhe prostitucioni me viktimë një vajzë shqiptare 18 vjeç, që refuzonte të dilte në rrugë si prostitutë, dhe me xhelat xhaxhain e saj 17 vjeç e shokët e tij, e jep sot e përditshmja Il Messaggero e Romës.

Sipas artikullit, vajza e re nga një fshat i Shqipërisë, është sjellë në Romë nga xhaxhai 17 vjeç me premtimin e një pune e të një të ardhmeje më të mirë. Shumë shpejt ka mësuar mbi kurrizin e saj që xhaxhai e solli këtu jo për ta ndihmuar por për ta nxjerrë në rrugë si prostitutë, gjë që vajza nuk pranonte kurrsesi të bënte.

Për këtë arsye për 25 ditë me radhë ka përjetuar makthin më të tmerrshëm të jetës së saj: e mbajtur mbyllur në një apartament të lagjes Centocelle të Romës, është përdhunuar nga xhaxhai dhe miqtë e tij, është kërcënuar se nëse nuk pranonte të prostituohej do t’i vrisnin të vëllanë në Shqipëri. Edhe kur e kanë nxjerrë në rrugë, për të dekurajuar klientët, u thoshte një tarifë shumë të lartë.

Makthi ka marrë fund natën duke gdhirë 4 mars, kur një makinë e ka hedhur në rrugë. Aty e kanë gjetur vajzën agjentë të policisë municipale të cilëve u ka treguar historinë e saj të tmerrshme. Pas 36 orëve përgjimesh policia ka arritur t’i vërë hekurat xhaxhait 17-vjeçar.

Aksidentohet koreografi Agron Aliaj. Familja kërkon ndihmë

Ekstradohen nga Shqipëria në Itali tre persona të kërkuar për trafik droge