“Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit ka qenë mbresëlënëse dhe e ardhmja do të jetë pozitive”. Kjo falë emigracionit, sipas Indermit Singh Gill, Kryeekonomistit të Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe të Azisë Qendrore: “Shqipëria ka një karakteristikë të këndshme, për shkak se shqiptarët janë shumë të lëvizshëm. Ju gjithmonë jeni konsideruar shumë të lëvizshëm”
Më 17 mars, Indermit Singh Gill, Kryeekonomisti i Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe të Azisë Qendrore ka prezantuar në Tiranë një studim voluminoz mbi Bashkimin Europian. Duke folur mbi situatën ekonomike të vendit tonë ai ka komentuar se “Shqipëria duhet të ulë borxhin dhe qeveria duhet të mbledhë taksat, sepse në këtë mënyrë mund të ndihmojë rritjen e ekonomisë dhe së dyti: rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit ka qenë mbresëlënëse dhe e ardhmja do të jetë pozitive”. Kjo falë emigracionit. “Shqipëria ka një karakteristikë të këndshme, për shkak se shqiptarët janë shumë të lëvizshëm. Ju gjithmonë jeni konsideruar shumë të lëvizshëm” thotë ai për të përditshmen Shqip.
Sa për borxhin publik të Shqipërisë që është rreth 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, eksperti i BB-së thotë se është “tepër i lartë, e duhet ulur të paktën me 20 pikë përqindjeje”. Ai ka shpjeguar gjithashtu se kjo përqindje e lartë borxhi “kërkon kosto të larta financimi dhe, në përgjithësi, fondet për të përballuar atë hiqen nga sektorë si shëndetësia dhe shkollimi”.
Dy vjet më parë, Gill vizitoi Shqipërinë për të prezantuar raportin “Agjenda e re e rritjes ekonomike” të shkruar posaçërisht për ne. Raporti tregonte se vendi ynë gjendej në një farë udhëkryqi. Sipas analizës së BB-së, rritja ekonomike e dy dekadave të fundit ka qenë e “lehtë”, sepse Shqipëria e vitit 1990 ishte një vend fshatarësh praktikisht pa tokë e pa para, por gjithsesi të rinj dhe energjikë, që shkuan të punojnë në Europë, fituan para dhe rrjedhimisht, rritën ekonominë kombëtare. Koha tani ka ndryshuar. Rritja e “lehtë” ka përfunduar. Tani nevojitet arsimim, punëtorë të kualifikuar, qeverisje e mirë. Gill i skandalizoi zyrtarët e qeverisë dy vite të shkuara, kur deklaroi pa dorashka, edhe atëherë, se Shqipëria duhet të ulë borxhin publik ndjeshëm.
Ka shumë raporte që vërejnë se Shqiptarët janë tepër të lëvizshëm dhe se vendi po varfërohet në arsim, pasi shumë prej atyre që kanë emigruar kanë pasur shkallë arsimimi më të lartë se ata që mbetën…
Këto janë gjithmonë pyetje të vështira për t’u përgjigjur, por nëse shikon në përgjithësi, atëherë vëren se mes viteve 2002 dhe 2008, ritmi i rritjes së Shqipërisë ka qenë ndër tre më të lartët në Europë. Unë nuk shoh asnjë shenjë që të tregojë se kjo gjë po e dëmton Shqipërinë. Mendoj se kjo e ndihmon Shqipërinë të krijojë lidhje me pjesën tjetër të botës dhe emigrantët do të sjellin njohuri, eksperiencë, investime etj. Shembulli më i mirë është Kina, ku në të shkuarën, pjesa më e mirë e popullsisë u largua, jo me qindra, por me miliona. Por sapo Kina filloi të ndjekë politika të mira në shtëpi, ato u kryen dhe para dhe ekspertizë e unë mendoj se ky ishte faktori më i rëndësishëm në suksesin e Kinës.
Pra ne kemi nevojë për politika të mira për t’i kthyer?
Ju keni nevojë për politika të mira në përgjithësi. Nuk nevojiten politika të posaçme për t’i kthyer. Ju nuk keni nevojë për t’i kthyer të gjithë, por duhet t’i jepni një perspektivë për të kthyer pas paratë dhe njohuritë. Unë jam simpatizues i madh i lëvizshmërisë. Ndoshta këtu jam pak i njëanshëm, sepse unë vetë ika nga India për në SHBA.
Gjergj Erebara, Lexo intervistën të plotë në Shqip