in

A mund të punoj në Itali me kartën e qëndrimit të lëshuar nga një vend tjetër i BE-së?

A mund të punojë në Itali, kush ka leje qëndrimi CE për qëndruesit e huaj afatgjatë të lëshuar nga Greqia? Po familjarët e tij mund të vijnë me të?

Të drejtat që të jep leja e qëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë (e ashtuquajtura karta e qëndrimit) e lëshuar nga një shtet tjetër i BE-së parashikohen në nenin 9bis të Tekstit Unik për Imigracionin, i sjellë në fuqi me decreti legjislativ nr. 3 të vitit 2007 në zbatim të Direktivës Europiane nr. 2003/109/CE.

Çfarë të drejtash jep karta e qëndrimit

Norma parashikon që shtetasi i huaj titullar i lejes së qëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë të lëshuar nga një vend tjetër i BE-së, mund të kërkojë të qëndrojë në Itali për më shumë se tre muaj me qëllim që:

– Të ushtrojë një punë të varur apo të pavarur;
– Të ndjekë kurse studimi apo formimi profesional;
– Të qëndrojë për një tjetër qëllim të ligjshëm por duke treguar se ka burime financiare jo të rastësishme, jo më të ulëta se dyfishi i shumës nën të cilën një person përjashtohet nga kontributi për shpenzimin shëndetësor, dhe sigurim shëndetësor për periudhën e qëndrimit.

Mundësia e punës varet nga dekretet e flukseve

Mundësia e kryerjes së një pune, të varur apo të pavarur, varet nga sistemi i kuotave. Në Itali, një i huaj titullar i lejes së qëndrimit CE për qëndrues afatgjatë, të lëshuar nga një vend tjetër i BE-së, mund të punojë në Itali sipas çka parashikohet në Tekstin Unik për Imigracionin lidhur me punën e varur dhe autonome. Për shembull, dekreti i flukseve 2011 parashikonte mundësinë e konvertimit të 1.000 lejeve të qëndrimit CE të lëshuara nga shtete të tjera të BE-së në leje për punë të varur dhe të 500 lejeve të qëndrimit CE të lëshuara nga shtete të tjera të BE-së në leje për punë të pavarur.

Kështu të huajit i kërkohet konvertimi i lejes që ka dhe i lëshohet një tjetër nga Autoritetet italiane. Lidhur me tipin e lejeqëndrimit që i lëshohet, Ministria e Brendshme në qarkoren e 16 shkurtit 2010, ka specifikuar që “të huajve që u konvertohet leja e qëndrimit CE e një vendi tjetër anëtar të BE-së duhet t’u jepet një leje qëndrimi dhe jo një lejeqëndrim CE për qëndrues afatgjatë”. Që të huajit që vjen në Itali me një lejeqëndrim CE të një vendi tjetër evropian, t’i lëshohet një lejeqëndrim i tillë në Itali, i interesuari duhet të përmbushë të gjitha kriteret e parashikuara nga neni 9 i Tekstit Unik për Imigracionin, me fjalë të tjera, të ketë pesë vjet qëndrim në Itali, të ardhura dhe vendstrehim.

Familjarët

Neni 9bis parashikon që edhe familjarët e të huajit titullar të lejes së qëndrimit CE, që kanë një leje qëndrimi të vlefshme të lëshuar nga vendi anëtar i BE-së, mund të ndjekin familjarin në Itali, e nëse përmbushin kriteret për bashkimin familjar, të mund të kërkojnë leje qëndrimi për motive familjare.

Nëse i huaji rezulton i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e Shtetit, leja e qëndrimit do të refuzohet dhe, nëse ndërkohë është lëshuar, do t’i tërhiqet.

Nga ana tjetër, është e udhës të sqarohet që Ministria e Brendshme, me qarkoren nr. 4285 të vitit 2009, ka nënvizuar që “statusi i qëndruesit afatgjatë, sipas direktivës 109/2003/CE, nuk u njihet jashtë Italisë, shtetasve të huaj që kanë kartë qëndrimi të shtypur në letër”. Pra të gjithë të huajt me kartë qëndrimi italiane të shtypur në letër e jo në formatin elektronik nuk njihen në vendet e tjera të BE-së si qëndrues afatgjatë, ndaj nëse mendojnë të shkojnë në një vend tjetër evropian duhet të ndryshojnë kartën e qëndrimit në lejeqëndrim CE për qëndrues afatgjatë, që është në formatin elektronik. Ministria e Brendshme ka nxjerrë edhe qarkore të tjera lidhur me konvertimin e lejeqëndrimit CE të një vendi në një tjetër të BE-së, ndër të cilat më e rëndësishmja është ajo e 16 shkurtit 2010.

Avv. Andrea De Rossi

Alketi është operuar. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar

Lejeqëndrim të paktën për një vit për të papunët. Norma vjen në fuqi më 18 korrik