in

Aldo Moro, 55 ditët që tronditën Italinë

Më 16 mars 1978 presidenti i atëhershëm i Demokracisë Kristiane, Aldo Moro rrëmbehet në Romë nga Brigadat e Kuqe (Brigate Rosse) ndërsa pesë truprojat e tij vriten. Po shkonte në parlament ku do të diskutohej dhënia e besimit qeverisë së re Andreotti e cila për herë të parë përbëhej edhe nga përfaqësues të PCI-së, Partia Komuniste Italiane. Brigadat e Kuqe kërkojnë me këtë akt të bëhen bashkëbisedues politik i vendit dhe njëkohësisht lirimin e disa prej militantëve të tyre të burgosur. Politika nuk pranon të bjerë në ujdi me brigadistët për të liruar Moron. Mobilizohen gjithë politikanët e botës, vetë Papa Paolo Sesto, deri edhe, flitet, eksponentë të Cosa Nostra-s. Më kot. Moro ekzekutohet dhe trupi i tij lihet pak metra larg selive të Demokracisë Kristiane dhe Partisë Komuniste

nga Massimo Canario

“…Për të gjitha këto arsye, të nderuar kolegë që na paralajmëruat për proceset në sheshe, ju themi që ne nuk do t’ju lejojmë të na gjykoni…”

Është 11 marsi i vitit 1977, kur para parlamentit Aldo Moro mban një nga diskutimet e tij më të ashpra.
Ato fjalë do t’u kthehen në mendje shumë kolegëve të tij më 16 mars 1978, kur Brigadat e Kuqe (Brigate Rosse, BR) rrëmbejnë kryetarin e DC-së, pasi masakrojnë pesë burrat e truprojës së tij dhe i bëjnë të ditur një kombi të shokuar dhe të trembur deri në palcë që do ta gjykonin në burgun e popullit ku e mbanin.
Për Brigadat e Kuqe flitet për herë të parë në vitin 1970 kur një gazetë e të majtës jashtëparlamentare shpall lindjen e tyre. Në vitet e para të jetës organizata terroriste që numëronte mes themeluesve të saj Renato Curcion, të shoqen Mara Cagol, Roberto Franceschinin dhe Mario Morettin, dallohet kryesisht për veprime demonstrative.

I pari hap cilësor është i datës 18 prill 1974 kur në Genova rrëmbehet gjykatësi Mario Sossi, që kishte rënë në sy për hetimet e para kundër fenomenit subversiv që po lindte. Gjykatësi lëshohet pas një muaji.
Në tetor të po atij viti arrestohen Curcio dhe Franceschini: kreu i BR-ve shpartallohet.
Gjatë vitit 1975, dy ngjarje lënë gjurmë në historinë e organizatës: arratisja nga burgu i Curcios në shkurt, arratisje e organizuar nga Mara Cagol, me thënë të vërtetën, pa hasur shumë vështirësi, dhe vrasja e kësaj të fundit në një përleshje me armë me karabinierët gjatë rrëmbimit të industrialistit Vallarino Gancia, në qershor.
Në janar 1976 Renato Curcio arrestohet sërish; më 8 qershor, po në Genova, organizata terroriste kryen vrasjen e parë të bujshme politike me goditjen e prokurorit të Republikës Francesco Coco, të shoferit të tij dhe të truprojës.
Vitin pasardhës, më 1977-ën, kur atmosfera e vendit ndizet përditë e më shumë, mbajnë firmën e BR-ve disa plagosje dhe një tjetër vrasje: këtë herë bie nën plumbat e terroristëve gazetari nëndrejtor i të përditshmes “La Stampa”, Carlo Casalegno.

Pikërisht ndërsa organizohet një proces gjyqësor i madh kundër krerëve të Brigadave të Kuqe (proces i shtyrë disa herë pasi nuk gjendeshin gjykatës të popullit të gatshëm të kryenin detyrën e tyre për shkak të kërcënimeve që merrnin) rrëmbehet parlamentari Aldo Moro, kryetar i DC-së, Demokracisë Kristiane.
Ndoshta edhe data e 16 marsit nuk ka qenë e rastësishme: pikërisht atë ditë Parlamenti mblidhet për të votuar dhënien e besimit qeverisë së re të udhëhequr nga Giulio Andreotti: për herë të parë nga viti 1947, Partia Komuniste, PCI, do të jetë pjesë përbërëse e mazhorancës; ky operacion, i kundërshtuar nga sektorë të gjerë të DC-së dhe nga shërbimet amerikane, që shohin me shqetësim ardhjen në qeveri të një partie komuniste, po dështonte dhe Moros iu desh të punonte rëndshëm për ta çuar deri në fund. Rezultati nuk ishte aspak i sigurt; shumë pakënaqësi qarkullonin edhe në brendësi të PCI-së, kryesisht për shkak të pranisë në ekzekutiv të disa emrave të papëlqyer. Besimi nga anë e partisë së Berlinguerit nuk është aspak i sigurt dhe Moro pret me merak çka mund të ndodhë atë mëngjes në Parlament. Por rrëmbimi i tij ndryshon rrënjësisht rrjedhën e historisë: Dhoma e deputetëve në fillim dhe më pas Senati i japin menjëherë besimin Giulio Andreottit në mënyrë që qeveria të ketë fuqi të plotë sa më parë.
Vendi mobilizohet; punëtorët, në emër të të cilëve thonë se veprojnë Brigadat e Kuqe, i izolojnë: nuk arrijnë të kuptojnë logjikën që mund të çojë në masakrimin e pesë punonjësve të ndershëm në emër të një revolucioni që duhet të sjellë në fuqi vetë punonjësit.

Gjatë 55 ditëve të mbajtjes peng të Moros terroristët lëshojnë nëntë komunikata. E para, për rivendikimin e rrëmbimit, arrin më 18 mars dhe i bashkëngjitet një fotografie të udhëheqësit të DC-së në vendin që ata quajnë burg të popullit: kjo përbën provën që Moro është gjallë, gjë që ndokush kishte vënë në dyshim. Në komunikatë BR-të i bëjnë biografinë udhëheqësit të DC-së duke e akuzuar si përgjegjësin kryesor të vendimeve qeveritare që, duke filluar nga vitet Pesëdhjetë, janë marrë në Itali, përfshirë edhe të fundit, me hapjen ndaj partisë komuniste. Flasin për herë të parë për SIM-in, Shtet imperialist të multinacionaleve: “Transformimi i Shteteve europiane të tipit liberal në Shtete Imperialiste të shoqërive shumëkombëshe (SIM) është një proces që po ndodh edhe në vendin tonë”. Ata kanë për qëllim shthurjen e këtij procesi: “Do të ndërmarrim më të gjerën e më të vendosurën nismë të armatosur për rritjen e mëtejshme të luftës së klasave për komunizmin. Për të sulmuar shtetin imperialist të multinacionaleve. Për shthurjen e strukturave, të projekteve të borgjezisë imperialiste duke sulmuar personelin politik ekonomik ushtarak të SIM-it…”

Klasa politike rreshtohet e gjitha kompakte pro linjës së mosnegociimit, linjë që nuk do të ndryshojë gjatë të gjithë 55-ditëshit, por mbi të cilën disa fillojnë të kenë dyshime, kryesisht nga anë e partisë Socialiste dhe e grupeve politike që lëviznin në të majtë të PCI-së.

Më 25 mars mbërrin komunikata e dytë, në të cilën thellohen konceptet e të parës dhe thuhet se procesi ndaj liderit demokristian vazhdon.
Nga fundi i marsit nisin të qarkullojnë disa letra që Moro u dërgon bashkëbiseduesve të ndryshëm.
Së bashku me letrën e urimeve për Pashkët drejtuar të shoqes Eleonora, është edhe një tjetër për ministrin e Brendshëm Francesco Cossiga. Në të, kryetari i DC-së flet për çështjen që trazon të gjithë vendin: nëse është apo jo me vend të nisen negociatat me rrëmbyesit e tij. Pasi konsideron bashkëfajtore partinë e tij për çka po pëson (“… Duhet të mendoj që fajësimi i rëndë që më bëhet, më drejtohet mua si eksponent i DC-së dhe ka të bëjë, me tërësinë e administrimit të linjës së saj politike. Në të vërtetë, jemi të gjithë ne të grupit drejtues që akuzohemi, është veprimtaria jonë e përbashkët e vënë nën akuzë dhe për të cilën duhet të përgjigjem…”), Moro hyn drejtpërdrejt në vlerësimin e çështjes, fillimisht duke lënë të kuptohet që në situatën në të cilën ndodhet mund edhe të humbasë mendjen (“… sepse unë ndodhem nën një sundim të plotë e të pakontrolluar, i vënë nën proces popullor që mund të egërsohet kur ta lypë puna, … me rrezikun që mund të detyrohem të flas në mënyrë të papëlqyeshme dhe të rrezikshme në situata të caktuara…”) dhe më pas duke kërkuar hapur që të nisen negociatat: “…Madje edhe doktrina sipas së cilës rrëmbimi nuk duhet të sjellë avantazhe, e diskutueshme kjo edhe për rastet e zakonshme kur dëmi ndaj të rrëmbyerit është mëse i mundshëm, nuk qëndron në rrethana politike kur shkaktohen dëme të sigurta dhe të pallogaritshme jo vetëm ndaj personit, por edhe ndaj Shtetit. Sakrifikimi i të pafajshmëve në emër të një parimi abstrakt ligjshmërie, kur gjendja e padiskutueshme e nevojës të shtyn t’i shpëtosh, është i papranueshëm.”

Por të nesërmen kryesia e Demokracisë Kristiane hedh poshtë çdo mundësi bisedimesh. Disa janë të mendimit që letrat nuk janë të Moros, apo edhe nëse janë të tijat, nuk vijnë nga një person me mendje krejtësisht të kthjellët.

Ditët ikin: arrijnë komunikata dhe letra të tjera, disa shumë të ashpra, si ajo e drejtuar Benigno Zaccagninit, sekretar i DC-së: “Moralisht je ti në vendin ku fizikisht ndodhem unë… Jam një i burgosur politik të cilin, vendimi juaj i prerë për të mbyllur çdo lloj diskutimi në lidhje me të tjerë të burgosur si unë, vë në një situatë të papërballueshme…”
Ndodhin edhe gjëra jo krejtësisht të qarta: më 2 prill zhvillohet në Bolonjë një seancë spiritizmi, ku merr pjesë edhe Romano Prodi, gjatë të cilës del emri i Gradolit. Gradoli është një fshat i vogël pranë kryeqytetit ku forcat e rendit shkojnë e nuk gjejnë gjë. Por aspekti më alarmues i gjithë kësaj është që më 29 prill, falë një infiltrimi uji të shkaktuar me qëllim, zbulohet një fole e Brigadave të Kuqe, e braktisur nga terroristët, në rrugën Gradoli në Romë.
Më 15 prill, me komunikatën e tyre të gjashtë, BR-të shpallin fundin e procesit ndaj Aldo Moros dhe dënimin e tij me vdekje.
Më 18 prill jepet një komunikatë e re, numër shtatë. Por edhe stili i tekstit dëshmon se jemi përballë një të rreme. Në të përpiluesi thotë që me rastin e 30-vjetorit të fitores nga Demokracia Kristiane të zgjedhjeve të para politike pas fashizmit, ekzekutohet dënimi me vdekje i kryetarit të saj dhe tregohet vendi ku të merret kufoma e tij. Në vazhdim kërcënohen edhe udhëheqës të tjerë demokristianë.
Dy ditë më pas Brigadat e Kuqe nxjerrin komunikatën e vërtetë numër shtatë me një fotografi të Moros që ka në dorë një numër gazete të një dite më parë.
Ndërkohë Moro vazhdon, me të gjitha mjetet në dispozicion, të sulmojë rreptësinë e partisë së tij.
Më 21 prill kryesia e partisë Socialiste hap një të çarë në murin e linjës së rreptë dhe voton unanimisht një rezolutë me anë të së cilës adopton linjën e bisedimeve. Sekretari i PSI-së është prej dy vjetësh Bettino Craxi: pas vendimin të tij për thyerjen e linjës së qëndrueshmërisë ka arsye të ndryshme: nga njëra anë udhëheqësi socialist është në kontakt me disa eksponentë të të majtës ekstremiste që janë bashkëbisedues të dy brigadistëve dhe që nxisin për nisjen e bisedimeve, nga ana tjetër Craxi kupton që politikisht mund të zhbllokojë më në fund partinë e tij nga dy forcat më të mëdha, DC dhe PCI, që rrezikojnë ta shkelin me këmbë.

Craxi nuk është i vetëm pro kësaj linje: shumë intelektualë mbështesin linjën e bisedimeve duke mos pranuar idenë që në emër të një arsyeje të skajshme shteti të shkohet deri në sakrifikimin e jetës së një njeriu. Nga ana tjetër, ata që janë kundër negociatave, përgjigjen se po të hysh në bisedime me BR-të do të thotë t’u japësh ligjshmëri politike, gjë që nuk duhet lejuar. Madje bëhet thirrje për respekt ndaj pjesëtarëve të truprojës që humbën jetën, familjet e të cilëve nuk do të arrinin të kuptonin pse bëhet e gjithë kjo për t’i shpëtuar jetën një politikani.

Ndërkohë Moro i drejton një letër drejtpërdrejt Papës Paolo VI me të cilën i lutet të mbajë patjetër qëndrim në favor të një shkëmbimi të burgosurish.
Por edhe këtij apeli nuk do t’i vihet veshi. Më 22 prill Paolo VI do t’u drejtohet publikisht “njerëzve të Brigadave të Kuqe” por vetëm për t’iu lutur që të lëshojnë parlamentarin Moro “pa kushte”.
Pas dy ditëve, me komunikatën numër tetë, terroristët japin shkoqur kushtet e negociatave, duke kërkuar lirimin e 13 shokëve të tyre, mes të cilëve edhe Renato Curcion, në këmbim të jetës së udhëheqësit demokristian. Propozimi me këto kushte është padyshim i papranueshëm, por flitet për të parin hap serioz drejt ndërmjetësimit. Më 2 maj Craxi i jep sekretarit demokristian Zaccagnini emrat e dy terroristëve të cilëve mund t’u jepet falja për arsye shëndetësore: ka kaluar mëse një javë nga komunikata e fundit dhe të gjithë kanë përshtypjen që nuk ka mbetur shumë kohë. Por nga PCI dhe nga qeveria arrijnë vetëm sinjale mbylljeje: më pesë maj Andreotti përsërit mendimin e tij të prerë kundër bisedimeve, tamam vetëm pak orë përpara mbërritjes së komunikatës së nëntë dhe të fundit në të cilën, pasi rivihen në dukje të gjitha qëndrimet e tyre, brigadistët hedhin poshtë edhe propozimin e sekretarit socialist dhe përfundojnë: “Me fjalë nuk kemi më asgjë për t’i thënë DC-së, qeverisë dhe përkrahësve të saj. E vetmja gjuhë që kanë treguar se kuptojnë shërbëtorët e imperializmit është ajo e armëve, dhe pikërisht me këtë proletariati po mëson të flasë. Kështu, përfundojmë betejën e nisur më 16 mars, duke ekzekutuar sentencën me të cilën është dënuar Aldo Moro”.

Më 8 maj një e çarë duket se është hapur në radhët e demokracisë kristiane: flitet që në mbledhjen e kryesisë të thirrur për të nesërmen Amintore Fanfani, një nga njerëzit më në zë të partisë, mund t’u hapë rrugën bisedimeve. Por në mëngjesin e 9 majit, në Romë, në rrugën Caetani, pak qindra metra larg selive kombëtare të DC-së dhe PCI-së, gjeet kufoma e Aldo Moros, në portobagazhin e një Renault të kuqe.
Mbyllet kështu një nga faqet më tragjike të historisë së Italisë republikane. Sot, pas mëse 30 vjetësh, ende diskutohet mbi pikëpyetje të ndryshme. Më kryesorja ka të bëjë me natyrën e terrorizmit: është folur për njëfarë Mario Moretti, ai që udhëhoqi komandon e rrugës Fani dhe administroi marrjen në pyetje të Moros, si për një njeri të shërbimeve të fshehta, duke paraqitur si provë fshehjen e tij për një kohë të gjatë; dikush ka hedhur edhe hipotezën që në rrëmbimin dhe vrasjen e udhëheqësit demokristian të kenë dorë edhe shërbimet e fshehta amerikane, që gjithnjë shihnin me mosbesim politikën e tij pro bashkëpunimit me komunistët.

Personalisht, të dyja hipotezat më duken larg realitetit: Brigadat e Kuqe vepruan të shtyra nga një analizë politike thuajse autistike, larg realitetit dhe pa asnjë parim etik. Kjo u lejoi Brigadave të vrisnin njerëz të pafajshëm dhe të pambrojtur dhe të ngriheshin në rolin e gjykatësve në emër të proletariatit, proletariat që nga anë e tij i perceptonte si të huaja dhe armike. Pyetja e dytë, të cilës vështirë t’i jepet përgjigje, është: “A mund t’i shpëtohej jeta Aldo Moros?”. Përshtypja, absolutisht personale, është që ndoshta do të kishte mjaftuar pak, por nga të dyja palët mungoi vullneti politik për të ndërmarrë deri në fund këtë rrugë. Të mbyllur në logjikën e tyre, krejtësisht ushtarake, krerët e BR-ve nuk e kuptuan që Moro i liruar do të përbënte, pas atyre 55 ditëve, një problem politik jo aq të thjeshtë; nga ana tjetër partitë politike dhe krerët e institucioneve u trembën se mos hyrja në bisedime dobësonte shtetin dhe inkurajonte Brigadat e Kuqe. E vërteta është se terrorizmi u mund pas disa viteve, e pas një rrjedhe të gjatë gjaku që hodhi gjithnjë e më shumë dritë mbi karakterin kriminal, sepse ishte i izoluar nga vendi dhe shumë larg interesave të klasave që donte të përfaqësonte.

Massimo Canario

Grimca: Ndërron jetë e shoqja e Aldo Moros

Anbeta, sërish protagoniste në Sferisterio të Maceratës