in

IMU. Taksa mbi shtëpinë ku banohet do të paguhet me tri këste

Në qershor, shtator dhe dhjetor. Zbritjet aplikohen vetëm një herë për çdo familje. Ja si llogaritet tatimi IMU

Romë, 17 prill 2012 – Falë një modifikimi të votuar në Dhomën e Deputetëve, goditja mbi familjet e Tatimit komunal mbi pasurinë e patundshme, i ashtuquajturi IMU, do të jetë disi më e lehtë. Për sa i takon shtëpisë së parë, taksa e re hyn në fuqi që këtë vit por do të ndahet në tri këste me këto skadenca: 18 qershori për këstin e parë, 17 shtatori për të dytin dhe 17 dhjetori për të tretin.

Për të ditur shumën e tatimit për banesën kryesore (që për pjesën dërrmuese të pronarëve është edhe e vetmja pasuri e patundshme) duhet llogaritur 0,4% e të ashtuquajturës “rendita catastale” (e ardhur vjetore që përllogaritet mbi vlerën kadastrale të banesës), që shënohet në aktin e shit-blerjes, e rivlerësuar me 5% dhe e shumëzuar me 160. Për të gjithë parashikohet një zbritje me 200 euro dhe 50 euro të tjerë do të zbriten për çdo fëmijë deri në 26 vjeç në ngarkim, por këto lehtësime mund të aplikohen vetëm një herë për çdo familje, edhe nëse jetojnë në shtëpi të ndryshme.

Duke pjesëtuar tatimin e gjetur si më lart në tre mësohet shuma e secilës prej dy kësteve të para. Këstit të fundit  i duhet shtuar edhe rritja e mundshme e tatimit IMU (deri në 0.06%) që vendosin komunat.

Më e kripur do të jetë IMU për shtëpitë e dyta: 0,76% e të ashtuquajturës “rendita catastale” (e ardhur vjetore që përllogaritet mbi vlerën kadastrale të banesës), që shënohet në aktin e shit-blerjes, e rivlerësuar me 5% dhe e shumëzuar me 160. Për këto shtëpi nuk parashikohet asnjë zbritje dhe do të paguhet në dy këste: brenda 18 qershorit do të paguhet 50% e tatimit dhe brenda 17 dhjetorit pjesa tjetër, përfshirë rritjet e mundshme komunale, që mund ta çojnë IMU-n mbi shtëpinë e dytë deri në 0,106%.

Lexo edhe: Taksa mbi shtëpinë kryesore. Gati për barrën e re? Ja sa ndryshon nga qyteti në qytet

Rimini. Kur droga shndërrohet në biznes familjar

Melissa, 11-vjeçarja në Sanremo Junior 2012