Kanë lënë, me vetëdije, të nisen nga Rinasi drejt vendeve të BE-së shtetas kosovarë me viza të falsifikuara. Pesë efektivë në ndjekje penale, shefi i shkarkuar nga detyra për neglizhencë
Tiranë, 19 prill 2012 – Pas një hetimi disa javor nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në aeroportin Nënë Tereza të Rinasit janë shkarkuar nga detyra dhe po ndiqen penalisht në gjendje të lirë pesë efektivë të policisë kufitare.
Nga hetimi i SHKB-së rezultoi se këta kanë favorizuar trafikun klandestin të të paktën 10 shtetasve kosovarë që kanë mundur të dalin me viza të falsifikuara nga aeroporti shqiptar drejt vendeve të BE-së, në të cilat nuk janë lënë të hyjnë por i kanë kthyer mbrapsht.
Nga hetimet e Kontrollit të Brendshëm, ka dalë në dritë se rastet nuk u kanë shpëtuar kontrollorëve të policisë kufitare të aeroportit të Rinasit, por se i kanë lënë me vetëdije të kalojnë.
Për këtë arsye efektivët do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë me akuzat e favorizimit të emigracionit klandestin. Nuk bëhen të ditur as emrat e efektivëve e as shumat në para që ata mund të kenë përfituar.
Është shkarkuar gjithashtu nga detyra edhe shefi i tyre që sidoqoftë nuk është në ndjekje pasi nuk ka qenë i përfshire në skandal, por ka neglizhuar në detyrë.