in

Zbulohet në parkun e Butrintit një varr mesjetar

 

Arkeologët: “Është rasti i parë që një varr mesjetar zbulohet i plotë në lindje të teatrit antik të Butrintit dhe mendohet se i përket shekulli XV-XVI”

Tiranë, 11 maj 2012 – Një varr mesjetar, që mendohet se i përket shekulli XV-XVI, u zbulua sot në lindje të Parkut Kombëtar të Butrintit nga dy arkeologë, njëri shqiptar dhe tjetri amerikan.

Lajmin e bëri të ditur drejtuesi i ekspeditës, arkeologu amerikan David R. Hernandez, i cili tha se varri i përket një 35 vjeçari, por nuk saktësoi se për cilën periudhë të mesjetës bëhet fjalë.

“Mendohet se skeleti i përket gjinisë mashkull, por është ende herë të japësh një përgjigje shkencore”, tha Hernandez.

Sipas tij, varri mesjetar do t’i nënshtrohet një ekzaminimi profesional.

“Ky është rasti i parë që një varr mesjetar zbulohet i plotë në lindje të teatrit antik të Butrintit. Varri tashmë është konservuar dhe së shpejti pritet që një antropolog amerikan në vijë në Shqipëri, për të nisur studimet mbi skeletin”, pohon Hernandez.

Arkeologu shqiptar Dhimitër Çondi theksoi se këtë vit gërmimet arkeologjike, të cilat i kanë fillesat 10 vjet më parë, kanë qenë të mbara. “Në fillimjavë u zbulua një godinë njëkatëshe dhe një shesh-qëndrimi, që mendohet se i përkasin periudhës August, shekulli I, para dhe pas erës sonë. Ndërsa zbulimi i sotëm është ‘qershi mbi tortë’. Ekspedita do të vijojë deri në javën e katërt të këtij muaj”, specifikoi Çondi.

Parku Kombëtar i Butrinit, me një sipërfaqe prej 15 hektarë, në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit, ndodhet rreth 20 kilometra larg qytetit të Sarandës, i ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ai ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysëm të kripur dhe gjysëm të ëmbël, dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.

Në përbërjen e saj, gjenden lloje me gjelbërim të përhershëm si; dafina, prralli, ilqe, fishekarthi, kullastra, mimoza, si dhe lloje gjetherënës. Drurët arrijnë lartësi deri 12 metra, kanë një diametër 60-80 centimetra dhe arrijnë moshë maksimale 200 vjeçare.

Në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorrën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tre dhoma ndodhet në pjesën jugore të akropolit, në perëndim të ndërtesës me peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrimi, i cili datohet në shekullin I pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva, ndërtuar nga Manius Otacilius Mystes.

Zgjohet Renzo Bossi: “Diploma? Unë s’di gjë!”

‘Brain Gain’, konferenca rajonale mbi kthimin e studentëve që studiojnë jashtë shtetit