Një aksident tragjik që u ka marrë jetën 13 personave, ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 16:15, pranë qafës së Vishës, në Himarë. Një autobus me 33 studente (të gjitha vajza) të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, dega Letërsi, që ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë rreth 80 metra të thellë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, autobusi po udhëtonte nga Elbasani drejt Sarandës. Mësohet se autobusi ishte me targa të Elbasanit (El 2274 B) dhe drejtohej nga shoferi 55-vjecar, Pëllumb Çela, që është mes viktimave. Në vendngjarje u mobilizuan autoambulanca, zjarrfikës dhe forca të shumta të policisë e forcat RENEA, disa minuta pas aksidentit. 8 helikopterë, 2 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 6 të Ministrisë së Brendshme transportuan nga Himara drejt spitalit Ushtarak në Tiranë, të plagosurit më rëndë. Duket se ka qenë një autobus me turistë grekë ai që u ka dhënë ndihmën e parë, studenteve të përfshira në aksident.
(në përditësim)
24 maj – Policia: “Shkaku i aksidentit, shpejtësia e lartë”
Nuk ka pasur dëmtim të sistemit të drejtimit apo frenimit por shkak ka qenë shpejtësia. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga Policia e shtetit për aksidentin tragjik në Himarë.
Policia e Shtetit deklaroi sot se shkak për aksidentin e ndodhur të hënën në Himarë, ku humbën jetën 13 persona dhe u plagosën 26 studente, ishte shpejtësia me të cilin udhëtonte autobusi.
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit tha në një konferencë për shtyp se, “shpejtësia e autobusit ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit”. Sipas saj, segmenti rrugor ku ka ndodhur aksidenti është një rrugë e rregullt me të gjithë parametrat, i pajisur me sinjalistikën e nevojshme horizontale dhe vertikale, si dhe me parmakët metalikë anësorë mbrojtës.
“Në bazë të sinjalistikës vertikale të vendosur nga Enti Pronar i Rrugës, shpejtësia e lejuar për këtë segment rrugor është 20 km/orë. Gjithashtu në këtë aks ka dhe tabela paralajmëruese që tregojnë se rruga ka një pjerrësi 10%, si dhe tabela të tjera që paralajmërojnë drejtuesin e mjetit se në këtë aks kemi të bëjmë me kthesa të dyfishta. Nga këqyrja e automjetit nuk konstatohet ndonjë dëmtim tek sistemi i drejtimit të automjetit, pra rezulton se ky sistem ka qenë në rregull në momentin e aksidentit. Gjendja teknike e gomave të mjetit ishte e rregullt, ndërkohë goma e krahut të majtë rezulton të jetë çarë në momentin e kontaktit me bordurën mbrojtëse dhe nuk ka pasur një skopjim të gomës”.
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, theksoi se, “nga këqyrja e gjurmës së frenimit në vendin e ngjarjes rezulton se në momentin e fundit sistemi i frenimit të automjetit ka funksionuar, por nuk ka qenë i suksesshëm në eliminimin e aksidentit, pasi bazuar në provat e fiksuara në vendin e ngjarjes dhe gjurma e frenimit, shpejtësia ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit të mësipërm”.
“Bazuar në konstatimet në vendin e ngjarjes dhe në provat e fiksuara nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve është konkluduar se sistemi i frenimit dhe drejtimit të automjetit kanë qenë të rregullt në momentin e aksidentit dhe shkaku kryesor i këtij aksidenti ka qenë mosrregullimi i shpejtësisë në këtë aks rrugor nga drejtuesi i mjetit, duke bërë që mjeti të dalë jashtë kontrollit, mjeti nuk është komanduar në kthesë e për pasojë ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë. Vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje të rëndë”, tha zëdhënësja e policisë.
23 maj – Sequi: “Kur përballet me sfida të mëdha, shoqëria shqiptare bëhet një e tregon solidaritet”
Ambasadori i OSBE-së, Ettore Sequi vizitoi sot studentet e aksidentuar në Himarë, që ndodhen në Spitalin Ushtarak. Ai vlerësoi solidaritetetin e shqiptarëve dhe tha se para sfidave ata dinë të bëhen gjithnjë bashkë.
“Vendosa të shoh pacientet dhe të bisedoj me drejtorin e spitalit për hapat e marra. Më është thënë që është bërë e pamundura, i vizitova edhe vetë dhe kuptova që për to është bërë e pamundura. Vendosa të vij këtu, se kjo ngjarje na ka prekur të gjithëve në shpirt. Rinia shqiptare është pasuria më e madhe e këtij kombi, rinia e Shqipërisë janë pasuria. Pata mundësi të bisedoj me to, më ka bërë përshtypje forca dhe vendosmëria e vajzave për t’u përballur me këtë situatë”, tha ambasadori.
Sipas tij “Solidariteti është treguar fare qartë gjë që e kemi vënë re edhe në raste të tjera, kjo tregon se shoqëria shqiptare kur përballet me sfida të mëdha ka mundësi të bëhet bashkë dhe t’i përballojë. Ky bashkim të tregohet edhe për ngjarje të tjera”, tha ai.
Politikanë e zyrtarë të lartë homazhe në Elbasan
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Kryetari i LSI, Ilir Meta, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të të gjitha forcave politike, pushtetarë qendrorë dhe lokalë, ambasadorë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, bënë sot homazhe në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ku ishin vendosur fotot e 11 studenteve të këtij universiteti që humbën jetën aksidentalisht një ditë më parë, në Himarë, teksa kishin shkuar për ekspeditë.
Homazhe dhe vizita u zhvilluan edhe në familjet e viktimave studentore, duke u shprehur familjarëve ngushëllimet e përzemërta për humbjen e njerëzve më të dashur të tyre.
Në emër të deputetëve të Parlamentit shqiptar, kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehu dhimbjen dhe ngushëllimin më të madh nënave dhe prindërve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik të mesditës së djeshme në Himarë.
“Ata ishin ëngjëj, që sot ato do shikojnë nga lart, por në familjet e tyre ato kanë lënë një dhimbje jashtëzakonisht të madhe. Foto e tyre, sytë e tyre kishin shpresë, kishin projekte, por ëndrra e tyre mbaroi dje. Ishte një ditë e tmershme për të gjithë popullin shqiptar”, u shpreh Topalli.
Homazhe dhe vizita ngushëllimi në familjet e studenteve të aksidentit të djeshëm tragjik zhvilloi edhe nënkryetari i Parlamentit, Ardian Turku, i cili e ka nisur këtë homazh në familjet e viktimave së pari në fshatin Katund i Ri të Elbasanit, në familjen e studentes Eranda Baloshi.
Në fjalët e tij ngushëlluese, Ardian Turku e ka cilësuar këtë ngjarje si mjaft tragjike për mbarë vendin, dhe mbasi ka ngushëlluar familjarët e Erandës, ka shprehur mirënjohje për të gjithë stafin spitalor të Vlorës dhe Himarës, si edhe kryetarët e bashkive të këtyre qyteteve dhe qytetarët, të cilët dhanë ndihmesën e tyre për këtë tragjedi.
Të njëjtin ngushëllim ka shprehur edhe Valentina Leskaj, deputete e PS, e cila ka bërë homazhe në familjen e Eraldës, për të vijuar më pas në familjet e studenteve Elsa Daka në fshatin Kuqan të Elbasanit, Eriola Xhoi në Elbasan, Ermira Mana, në Shelcan, Lindita Kabashi në Shtërmen dhe Juliana Tola në Librazhd.
“Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë studentët tanë”, shprehet gjatë vizitës së tij në banesën e prindërve të studentes Lindita Kabashi, pedagogu i saj Ilir Yzeiri, ndërsa edhe deputeti Luçiano Boci, njëherazi edhe pedagog në këtë universitet, ka shprehur ngushëllimet e tij për të gjithë familjet e studentëve që humbën jetën në këtë aksident tragjik.
Vizita janë zhvilluar edhe në banesën e shoferit Pëllumb Çela, ku edhe të afërmit e këtij të fundit nuk kanë fjalë të përshkruajnë zinë që i ndodhi në familje e tyre.
Berisha i përlotur në Elbasan: “Zoti ju dhëntë forcë për të përballuar dhimbjen”
Kryeministri Berisha i përlotur, ka ngushëlluar familjarëve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi një ditë më parë në afërsi të Himarës, në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”.
Kryeministri Berisha e cilësoi dramë të madhe ngjarjen e djeshme, teksa kreu sot homazhe në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani”, ndërkohë garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të plagosurit.
“Uroj që shpirti i tyre të gjejë paqen e merituar, uroj që familjarët dhe prindërit të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen. I lutem Zotit që të plagosurit të shërohen sa më shpejt, sikundër u garantoj që do të bëjmë gjithçka që plagët e tyre të mbyllen sa më mirë. Ngushëllimet më të thella famijeve të këtyre vajzave”,- u shpreh Berisha.
Kryeministri Sali Berisha menjëherë sapo mori lajmin e hidhur njoftoi gjatë një interviste televizive nga Chicago se ka lënë në mes Samitin për t’u kthyer në Tiranë.
Presidenti Topi, homazhe në Elbasan
Presidenti Bamir Topi zhvilloi mesditën e sotme homazhe në ambientet e Universitetit ” Aleksandër Xhuvani”, ku edhe janë vendosur 11 fotot e studenteve, viktima të aksidentit tragjik ndodhur një ditë më parë në një fshat në Himarë.
Pasi ka lënë edhe ngushëllimin në librin e përshtypjeve, presidenti Bamir Topi tha se është shumë i pikëlluar për fatin tragjik të të rinjve që humbën jetën: “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit, shokët e shoqet e tyre, të cilët kaluan vitet e rinisë në këtë shkollë. Uroj që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Në situata të tilla vërehet edhe një solidaritet i madh, gjë që shikohet kudo”.Gjatë homazheve, Presidenti Topi shoqërohej nga kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, rektori i universitetit Liman Varoshi dhe stafi pedagogjik.
Edhe në spitalin e Vlorës, të plagosurat drejt përmirësimit
Gjendja shëndetësore e 10 vajzave të plagosura që ndodhen për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Vlorës është drejt përmirësimit.
Drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Selami, tha për ATSH-në se, “me përjashtim të dy vajzave, që kanë nevojë për skaner rezonancë, gjendja e 8 të tjerave është drejt një përmirësimi të dukshëm”.
Sipas tij, të gjitha të plagosurat janë jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen në terapi intensive, në ambientet më të mira të këtij spitali.
“Në mëngjes është bërë një konsultë e specializuar nga një grup prej 10 mjekësh të specialiteteve të ndryshme, të cilët kanë vlerësuar gjendjen shëndetësore të tyre dhe në përfundim është arritur në konkluzionin se situata në përgjithësi paraqitet e mirë dhe me tendencë përmirësimi të vazhdueshëm”, theksoi Selami.
Ai shtoi se të plagosurat do të mbahen në këtë spital dhe në varësi të situatës do të gjykohet nëse ato do të kenë nevojë për një mjekim më të specializuar apo do të mbahen në këtë institucion shëndetësor.
Në aksidentin rrugor të ndodhur ditën e djeshme në orën 16:15 në vendin e quajtur Qafa e Vishës kanë humbur jetën 13 persona, ndërsa janë plagosur 26 të tjerë. 10 prej vajzave të plagosura u transportuan në spitalin rajonal, ku ndodhen aktualisht në trajtimin mjekësor.
Trupat e viktimave janë dërguar pranë familjeve
Sot rreth orës 06:00 të mëngjesit ka përfunduar dërgimi i 11 trupave të viktimave në aksidentin tragjik të së hënës në Himarë.
Drejtori i spitalit të Vlorës, Shkëlqim Selami, tha për ATSH-në se, “gjatë gjithë natës u punua me intensitet dhe u ndoqën të gjitha procedurat për identifikimin e 11 viktimave, gjë që u realizua në bashkëpunim me familjarët e tyre.Të gjitha procedurat përfunduan rreth orës 06:00 të mëngjesit, kohë kur u nisën edhe dy trupat e fundit të viktimave, që humbën jetën në aksidentin tragjik”.
Sipas tij, për dërgimin e trupave drejt familjes u angazhuan mjetet e shërbimeve shtetërore, funerale si dhe të spitalit, që së bashku me personelin përkatës shoqëruan familjarët.
Trupat e pajetë të aksidentit të një dite më parë mbërritën në morgun e spitalit rajonal të Vlorës rreth orës 01:00 të mëngjesit nën shoqërimin e një personeli të specializuar mjekësor dhe policisë.
Edhe trupat e dy viktimave që ndodheshin në spitalin Ushtarak u janë dërguar familjeve.
Ora 11.00 – Të plagosurat në Spitalin Ushtarak në gjendje shëndetësore të stabilizuar
Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja bëri të ditur se në spital janë të shtruara aktualisht 14 vajza, ndërsa një tjetër i është nënshtruar një operacioni në Spitalin Amerikan në Tiranë.
Sipas drejtorit Mihja, 9 vajza janë në terapi intensive dhe 5 të tjera në kirurgji. Dy prej vajzave janë në gjendje më të rëndë, por përgjithësisht gjendja e të aksidentuarave konsiderohet e stabilizuar.
“Ne do t’ia dalim. Sot vajzat do të mbahen në reanimacion. I kemi nën kontroll. I kemi identifikuar të gjitha vajzat, kartelizuar dhe kemi kontakuar edhe me të afërmit e tyre”- deklaroi Mihja për mediat sot në mëngjes.
Dëmtimet e të gjitha rasteve, sipas tij, “janë serioze, por jemi optimistë. Edhe 2 vajzat që janë në gjendje shëndetësore më të rëndë kanë parametra të stabilizuar, janë vlerësuar pozitivisht nga ekipet e mjekëve. Sidoqoftë do të vazhdojë ndjekja e tyre pa ndërprerje duke u ribërë ekzaminimet e nevojshme”.
Mihaj tha se konkluzionet e ekipeve mjekësore janë të tilla që nuk do të ketë invaliditet.
Sipas tij, pas apelit të bërë për dhurimin e gjakut, edhe me grup të rrallë A- dhe 0-, Spitalit Ushtarak i janë drejtuar shumë qytetarë dhe nuk ka pasur mungesa të rezervave të gjakut. Dhurimi i gjakut do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.
22 maj, ora 08.00 – Identifikohen të gjitha viktimat
Janë identifikuar gjatë natës të gjitha viktimat e aksidentit:
1. Denisa Guzi nga Gramshi
2. Ermira Mana nga Elbasani
3. Aurora Molla nga Pogradeci
4. Lindita Kabashi nga Elbasani
5. Joana Debinja nga Lushnja
6. Elsa Daka nga Elbasani
7. Juliana Tola nga Elbasani
8. Armand Halilaga nga Kavaja
9. Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani
10. Fabiola Shehi nga Bërxulla Tiranë
11. Eriola Xhoi nga Elbasani
12. Eranda Baloshi nga Elbasani
13. Dorina Stafa nga Kruja