in

Nisin në Tiranë aplikimet për punësimin e infermierëve në Gjermani

20 infermierë  shqiptarë do të përfitojnë kontrata pune 18 mujore në Gjermani  

Tiranë, 24 maj 2012 – Në zbatim të Marrëveshjes me Gjermaninë të vitit 1991 “Mbi punësimin e punëtorëve për zgjerimin e njohurive të tyre profesionale dhe gjuhësore” u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarata dhe Qendrës për Ndërmjetësim Punësimi dhe Ndërmjetësim me Jashtë (e Agjencisë Federale të Punës), i cili mundëson zbatimin e një projekti për ndërmjetësimin e rreth 20 infermierëve të parë shqiptarë që do të përfitojnë kontrata pune në Gjermani deri në 18 mujore.

Shqipëria shfrytëzon kështu nevojën e Gjermanisë për një numër gjithnjë e në rritje punonjësish të kualifikuar në fushën e përkujdesjes shëndetësore, duke qenë ndër vendet e para partnere të Agjensisë Federale të Punës në këtë projekt.

Kriteri kryesor që duhet përmbushur për të aplikuar është njohuria e gjuhës gjermane e verifikuar kjo me certifikatë përkatëse. Kusht tjetër është edhe përvoja në punë. Infermierët shqiptarë mund të përfitojnë deri në 18 muaj kualifikim të mëtejshëm profesional e gjuhësor si punonjës “mysafirë” në Gjermani. Deri në marrjen me sukses të provimit për njohjen e diplomës, punonjësit do të punojnë fillimisht si ndihmës-infermierë. Aplikimet duhet të dorëzohen deri më 6 qershor 2012 nëpërmjet postës ose përmes e-mailit triplewin.Albanien[at]giz.de.

Kriteret që duhet të përmbushin aplikantët
– Shtetësia shqiptare 
– Mosha minimale 22 vjeç. 
– Të kenë përfunduar studimin për infermier në Shqipëri (Fakulteti i Infermierisë, Infermieri e Përgjithshme). 
– Të kenë përvojë pune në profesion 
– Të kenë njohuri të mira të gjuhës gjermane. (shënim: Intervista do të zhvillohet në gjermanisht).

Dokumentet (në 2 kopje) që duhen dorëzuar
– Dëshmitë e notave për të gjithë vitet e shkollës mjekësore në shqip dhe të përkthyera në gjermanisht. 
– Dokumenti përfundimtar i Studimeve / Diplomë të përkthyer gjermanisht. 
– Jetëshkrim (CV) në gjuhën gjermane 
– Kopje e Librezës së punës / dokument i punësimit (përkthyer në gjermanisht). 
– Dëshmi penaliteti. 
– Dokument që vërteton njohuritë në gjuhën gjermane / Certifikatë 

Ministria e Punës, e Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta, vitet e fundit është fokusuar në promovimin e një menaxhimi të koordinuar dhe efikas të flukseve migratore, nëpërmjet nënshkrimit dhe zbatimit të Marrëveshjeve dypalëshe me vendet pritëse të cilat synojnë lehtësimin e mekanizmave të pranimit të punojësve nga Shqipëria.

Kështu për shembull, një muaj më parë, në bashkëpunim me Ministrinë italiane të Punës dhe Politikave Sociale nisi aplikimi i marrëveshjes dypalëshe nëpërmjet zbatimit të një projekti pilot që parashikon mbështetjen e 255 shqiptarëve me formim profesional dhe punësim në shtetin fqinj. Aktualisht Ministria e Punës është duke diskutuar dhe së shpejti pritet të firmosen marrëveshje edhe me Qipron dhe Katarin për bashkëpunim dypalësh përfshirë edhe punësimin.
Krahas arritjes së marrëveshjeve të reja me vende me të cilat nuk kemi pasur kontakte të tilla, Ministria po punon për të riaktivizuar marrëveshjet që ekzistojnë, siç është rasti i fundit me Gjermaninë.

Zbatimi i projekteve të tilla ka efekt edhe në tregun vendas të punës pasi me rritjen e nivelit të kualifikimit të profesionistëve rritet edhe konkurrueshmëria në tregun vendas të punës duke e rritur edhe cilësisht atë.

Aksidenti i Himarës. Ëndrrat e lëna në mes të Eriola Xhoit

Lejeqëndrimi. Shkon nga 6 muaj në një vit kohëzgjatja për ata që mbesin pa punë