in

Himarë. Qafa e Vishës, segmenti rrugor i aksidenteve

Vetëm në 20 vitet e fundit, numërohen 6 aksidente me 10 viktima, ndërkohë që ai i pasdites të të hënës padyshim që është më i rëndi, që ka ndodhur ndonjëherë në rrugën e bregdetit

Tiranë, 22 maj 2012 – Segmenti që përshkon vendin e quajtur Qafa e Vishës, pak para hyrjes për në qytetin e Himarës, cilësohet si pjesa më e vështirë e të gjithë rrugës së bregdetit. Madje, sipas specialistëve edhe në procesin e rikonstruksionit të saj përpara 3 vjetësh, ajo është vlerësuar si e tillë edhe në krahasim me të gjitha ndërtimet e ngjashme, që janë realizuar apo janë në proces në vend dhe që kërkojnë cilësi e nivel të lartë teknik e profesional në konkretizim. Kështu, i gjithë ky segment me një gjatësi prej rreth 1,8 km, përshkon një zonë të vështirë me një koeficient fillestar pjerrësie prej 20%, që, pas përfundimit të rikonstruksionit të rrugës, zbriti në 17%.

Inxhinieri i zbatimit 3 vjet më parë të projektit për rindërtimin e segmentit rrugor të Qafës së Vishës, Edi Gjikuria, tregon për ATSH-në se, gjatë punës për ndërtimin e këtij segmenti, që përshkon një terren të frikshëm, u regjistruan tre shkarje masive dheu nga pjesa e sipërme e rrugës, të cilat janë të paparashikueshme në projekte të tilla. Këto raste, që u kapërcyen pa asnjë pasojë, përcaktuan edhe nivelin e lartë të vëshirësive për ndërtime të kësaj kategorie. Gjithsesi, pjesë e elementëve të sigurisë, përveç gjerësisë së trefishuar të bazamentit të rrugës, krahasuar me parametrat e dikurshëm, janë edhe bordurat anësore prej betoni, në të cilat janë montuar edhe kangjellat metalike.

Në këtë segment kanë qenë të shumta aksidentet e regjistruara në vite, të shoqëruara me shumë jetë të humbura njerëzish. Pllaka të shumta përkujtimore janë vendosur përgjatë saj, duke evokuar ngjarje të ndryshme tronditëse, të shoqëruara me humbje jetësh. Mes tyre, një familje e tërë e përbërë nga katër persona, apo të tjerë njerëz, janë viktima të ndodhura në dekada. Vetëm në 20 vitet e fundit, numërohen 6 aksidente me 10 viktima, ndërkohë që ai i pasdites të të hënës padyshim që është më i rëndi, madje më i rëndi që ka ndodhur ndonjëherë në rrugën e bregdetit.

Gjendja aktuale e segmentit rrugor të Qafës së Vishës është sot shumë më e mirë po ta krahasosh me gjurmën e ngushtë të dikurshme, së cilës i trembeshin edhe shoferët më me përvojë e më të guximshëm. “Vetëm me Vishën nuk bëhet shaka”, thonin dikur drejtuesit e automjeteve, kur binte fjala për udhëtimin përgjatë rrugës nga Vlora në Sarandë. 

Lexo edhe:

22 maji ditë zie. Shqipëria nderon kujtimin e viktimave të aksidentit rrugor në Himarë

Elbasan. Homazhe në kujtim të studentëve që humbën jetën