Në shkallët e Universitetit të Elbasanit, lule e qirinj në kujtim të studentëve të vdekur. Sot në 15.30 ceremonia zyrtare në prani edhe të kryeministri Sali Berisha e politikanëve të tjerë
Qindra studentë e qytetarë në Elbasan i drejtohen Universitetit për të bërë homazhe në kujtim të studentëve që humbën jetën një ditë me parë në aksidentin tragjik në Himarë.
Në orën 15.30 do të nisë një ceremoni zyrtare ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Sali Berisha që ka lënë përgjysmë Samitin e Chicagos e është nisur për Shqipëri.
Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, ka ngushëlluar sërish sot familjarët e të afërmit e studentëve që humbën jetën në këtë aksident tragjik. Ai ka shpjeguar gjithashtu se “shoqëria e udhëtimit e kontraktuar nga universiteti rezulton më seriozja, se autobusët e kësaj shoqërie janë të koaliduar, ndërsa drejtoheshin prej shoferëve me përvojë”.
Në kujtim të studentëve, Atë Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse, ka mbajtur një meshë. “Dhimbja është e madhe dhe e pa ngushëllueshme, por kisha e Elbasanit do të mbajë një përshpirtje per engjëjt e vegjël të kombit tonë. – ka thënë prifti – Zoti qetsoftë familjet, prindërit, motrat, vëllezërit e tyre në këtë ditë të zezë”.
Lexo edhe: Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur