Reagon menjëherë Dr. Orenada Dhimitri, Psikologe dhe Psikoterapeute në Romë për rastin e vajzës nga Berati, viktimë e aksidentit në Himarë, të cilës spitali i qytetit nuk i jep ndihmë
Romë, 25 maj 2012 – “Nuk arrij ta besoj që në një rast të tillë strukturat shëndetësore të mohojnë kurimin e pacientit. Shëndeti është e drejtë e të gjithëve”. Kështu thotë doktoresha Orenada Dhimitri, Psikologe dhe Psikoterapeute në Romë sapo lexon shkrimin mbi Erigerta Opingarin.
Doktoresha Dhimitri shkon edhe më tej, nuk mjaftohet me shfryrjen e mllefit, ofron profesionalitetin e saj për të ndihmuar personalisht Origertën nga ana psikologjike.
“Edhe pse mund të mos jetë zgjidhja më optimale, është e vlefshme në këto raste traumash të rënda kur distancat janë të mëdha dhe lëvizjet të pamundshme. Raste të ngjashme largësie janë të shumta, por me anën e teknologjisë (internet apo telefon) bëhet e mundur ndihma psikologjike për pacientët: nëse Origerta ka një linjë interneti, mund të lidhem me të në Skype e t’i ofroj konsulencë sa herë të ketë nevoje.”
Sipas saj, pas tragjedisë se Himarës, të gjitha të mbijetuarat veç plagëve fizike kanë edhe plagë të rënda në shpirt që nuk duhen lënë mënjanë. Ato të gjitha e kanë absolutisht të domosdoshme konsulencën e një mjeku specialist për një kohë të gjatë dhe nuk mund të braktisen siç thuhet për rastin e Erigerta Opingarit.
Doktoresha Dhimitri ka mbaruar studimet e larta universitare dhe specializimet në Psikologji Klinike e Psikoterapi në “La Sapienza”. “Vajzat kanë nevojë të ndiqen patjetër dhe menjëherë nga ana psikologjike për të përballuar të ashtuquajturin Post-Traumatic Stress Disorder që është i paevitueshëm. Gjithashtu me kalimin e kohës trauma të tilla, në qoftë se nuk kurohen, kanë një rrezik shumë të lartë që të evoluojnë deri në faza depresive të rënda apo edhe në psikopatologji e çrregullime psicologjike të ndryshme. Nëse Erigerta apo kushdo nga vajzat e tjera të aksidentuara dëshiron, të më kontaktojnë pa hezituar përmes Shqiptarit të Italisë.”
Ia përcjellim ofertën e doktoreshës Dhimitri lexuesve, me shpresë që të vlejë si apel edhe për mjekë të tjerë, veçanërisht në Shqipëri, në mënyrë që t’u ofrojnë ndihmë këtyre vajzave tani që kanë më shumë nevojë sepse jane ne situate te veshtire.
Shqiptari i Italisë
Lexo edhe: Berat. Spitali përzë të mbijetuarën e aksidentit të Himarës