Bujar Nishani është presidenti i gjashtë i Shqipërisë, pas rënies së komunizmit. Presidenti i parë ishte Ramiz Alia, Berisha është i vetmi që ka marrë dy mandate në këtë post, edhe pse të dytin e la thuajse menjëherë. Nga 28 nëntori 1912 deri më sot, Haxhi Lleshi është personi që ka mbajtur më gjatë postin e kryetarit të shtetit Shqiptar, për thuajse 30 vjet
Presidenti i ri i Republikës, Bujar Nishani, i zgjedhur më 11 qershor nga Kuvendi, që sot merr detyrën duke zëvendësuar Bamir Topin, do ta ushtrojë detyrën e tij për 5 vite me radhë, dhe ka të drejtë të rikandidojë për këtë post vetëm një herë. Së shpejti do të zhvillohet ceremonia e betimit të Kreut të ri të shtetit dhe më pas ceremonia e dorëzimit të detyrës Presidentit të sapozgjedhur, nga ana e presidentit aktual, Bamir Topi.
Gjatë 21 viteve të pluralizmit politik Shqipëria ka pasur gjashtë Presidentë, në vijë kronologjike: Ramiz Alinë, Sali Berishën, Rexhep Meidanin, Alfred Mosiun, Bamir Topin dhe Bujar Nishanin, i zgjedhur sot.
Deri më sot President i vendit është Bamir Topi, i cili u zgjodh në këtë detyrë nga parlamenti shqiptar më 20 korrik të vitit 2007.
Presidenti Alfred Moisiu u zgjodh nga Parlamenti shqiptar më 24 korrik të vitit 2002, detyrë të cilën ia dorëzoi Topit më datën 24 korrik të këtij viti. Moisiu ishte emri konsensual për President, i pranuar nga partitë politike të majta dhe ato të djathta.
Gjatë periudhës kohore nga 24 korrik 1997 deri 24 korrik 2002, detyra e kreut të shtetit u mbajt nga Rexhep Mejdani. Kuvendi miratoi kandidaturën e Mejdanit për President, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1997, me propozim të PS-së.
Presidenca iu dorëzua Mejdanit nga Sali Berisha, i cili ishte në mandatin e tij të dyrë radhazi në këtë detyrë. Presidenti Sali Berisha u betua si President i Republikës në 9 prill 1992 dhe më pas më 3 mars të vitit 1997. Berisha dha dorëheqjen nga kjo detyrë më 24 korrik të vitit 1997, një muaj pas humbjes në zgjedhje të PD-së dhe fitores së koalicionit të majtë.
Presidenti i parë i Shqipërisë demokratike (i periudhës pas rënies së diktaturës), ishte Ramiz Alia. Ai u zgjodh President nga Parlamenti shumëpartiak më 30 prill 1991, kohë kur dhe u krijua Institucioni Kushtetues i Presidentit të Republikës.
Nga krijimi i shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912 deri më sot, Shqipëria ka provuar disa modele qeverisjeje. Gjatë këtyre 100 vjetëve funksioni i Presidentit të Republikës dhe i Kryetarit të Shtetit është ushtruar në forma të ndryshme.
Kështu, më 1912 u krijua Qeveria e parë me Ismail Qemalin në krye, e cila kishte edhe kompetencat e Kryetarit të Shtetit. Më 6 shkurt 1914, Konferenca e Ambasadorëve emëroi Princin Ëilhelm Ëied si Kryetar të Shtetit shqiptar. Në periudhën shtator 1914 – janar 1920, kohë në të cilën vendi u përfshi nga lufta, u ndërruan disa qeveri, dhe detyra e Kryetarit të Shtetit u mbulua nga qeveri-regjenca të ndryshme. Më 8 janar 1920, Kongresi i Lushnjes zgjodhi Këshillin e Lartë të përbërë prej 4 anëtarësh, i cili kryente funksionet e Kryetarit të Shtetit, duke rikthyer kështu parlamentarizmin. Në vitin 1924, Fan Noli u zgjodh kryetar i Qeverisë, duke ushtruar edhe funksionet e Kryetarit të Shtetit. Më 31 janar 1925, pas ndryshimeve të shpeshta në qeverisje, Asambleja Kombëtare miratoi formën republikane të regjimit dhe votoi Ahmet Zogun si President të Republikës. Shqipëria u shpall Monarki më 1 shtator 1928 dhe Ahmet Zogu u shpall Mbret i shqiptarëve.
Pas pushtimit të vendit nga Italia në prill 1939 dhe bashkimit të dy vendeve, Mbret i shqiptarëve u shpall Viktor Emanueli III. Ndërkohë, në vitet 1943-’44, nën pushtimin gjerman, në drejtimin e vendit u rikthyen qeverisjet-regjenca.
Me përfundimin e Luftës II Botërore dhe çlirimin e Shqipërisë më 1944, u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare në dhjetor të vitit 1945 dhe funksioni i Kryetarit të Shtetit u kalua në organ kolegjial, si Presidium i Kuvendit Popullor. Gjatë periudhës kohore 11 janar 1946 – 12 dhjetor 1990, kur përfundon regjimi njëpartiak e diktatura komuniste, funksionet e Kryetarit të Shtetit u kryen nga Omer Nishani (10 janar 1946 – 1 gusht 1953), Haxhi Lleshi (1 gusht 1953 – 22 nëntor 1982) dhe Ramiz Alia (22 nëntor 1982 – 22 shkurt 1991).
Më 22 shkurt 1991 u krijua Këshilli Presidencial, i drejtuar nga Ramiz Alia, i cili i ushtroi funksionet deri më 30 prill 1991.
Lexo edhe:
Bujar Nishani Presidenti i ri i Shqipërisë
Zgjedhja e Bujar Nishani president i Shqipërisë në mediat italiane