in

Gjatë vitit të shkuar 134 vrasje në Shqipëri. 5% e tyre për gjakmarrje

Familjet në hasmëri për një vijë uji, vriten 17 vjeçarja Marie dhe gjyshi i saj Kolë Qukaj. Janë këta viktimat e fundit të gjakmarrjes, për të cilat Alternative Civile dhe organizata të tjera të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për t’u mbledhur para Piramidës në Tiranë

Tiranë, 19 qershor 2012 – Ditën e mërkurë (20 qershor), në orën 19.30 Alternative Civile dhe organizata të tjera të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për t’u mbledhur para Piramidës në Tiranë për të ndezur qirinj për jetën e shuar të Maries, e reja nga Dukagjini e vrarë përpara pak ditësh për gjakmarrje. Një homazh për këtë vajzë të pafajshme dhe një protestë kundër heshtjes së shtetit.

Sipas shifrave të dhëna së fundmi nga Top Channel gjatë vitit të kaluar, përqindja e vrasjeve për gjakmarrje shënuan rekordin e 8 viteve të fundit duke arritur në pesë për qind të vrasjeve zyrtare. Shtatë persona humbën jetën si rezultat i këtij fenomeni, nga 134 në total që regjistroi Shqipëria vitin e shkuar.

Por, lexohet më tej në materialin e përgatitur nga televizioni në fjalë, “si pasojë e vrasjeve u detyruan të ngujohen edhe 4 familje te tjera. Vrasja për gjakmarrje ka regjistruar në vend shifrën 0 sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme vetëm në vitet 2008 – 2009, por shpeshherë opozita akuzon në komisionet e ndryshme parlamentare se manipulohet me këtë statistikë, ndërsa deputetët e mazhorancës nuk e konsiderojnë këtë fenomen si një rrezik real për shoqërinë…

Një studim i para tre viteve, organizuar nga Forumi i Mendimit të Lirë me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, tregonte se në qarkun e Shkodrës ishin te ngujuara 84 familje, me rreth 400 persona nga te cilët 94 fëmijë. Me ndryshimet e bëra pesë vjet më parë, Kodi Penal parashikon si vepër penale detyrimin për ngujim dhe dënon kërcënuesit me 3 vjet burg e 1 milion lekë gjobë. Por deri tani, askush nuk është dënuar në bazë të këtij neni, e madje asnjë hetim zyrtar nuk është hapur edhe pse është dokumentuar zyrtarisht numri i familjeve të ngujuara”.

Marie Qukaj mbeti e vrarë në vend me armë zjarri, ndërsa ishte duke vaditur parcelat me misër pranë banesës së bashku me gjyshin 70 vjeç. Kolë Qukaj, edhe ai viktimë e hasmit po në të njëjtën ditë, më 14 qershor. Me sa dihet janë shpallur në kërkim tre persona: dy vëllezërit Prroi, 27 dhe 32 vjeç dhe xhaxhai i tyre 43 vjeç. Ata konsiderohen si autorë të hakmarrjes pasi dy familjet nga korriku i vitit 2010 kanë qenë në gjak, për një vijë uji.

Menjëherë pas krimit të rëndë, organizata Forumi i Mendimit të Lirë, e angazhuar në studimin e fenomenit të gjakmarrjes dhe dokumentimin e familjeve të ngujuara, përmes një deklarate dënoi ashpër traditën kriminale dhe strukturat e shtetit për mungesën e vëmendjes ndaj kësaj problematike.

 “Vrasësi i vërtetë – thuhet në deklaratë – nuk është gjakësi që fshihet pas shkurreve si burracak dhe vret fëmijët, por shteti që vazhdon të mbyllë sy e veshë përballë kësaj maskarade, e cila nuk mund dhe nuk duhet lejuar të na shoqëroje rrugës për në Bashkimin Europian”.

Censimento. L’Istat recupera 100 mila immigrati

Presidenti Nishani me Master të rremë?