Ende pa zënë vend në Pallatin e Brigadave, Presidenti i sapozgjedhur i Shqipërisë përflitet për titullin e tij akademik “Master për studime Europiane” të marrë në vitin 2005 që sipas gazetës Tema është i rremë e që të kthen në mendje historinë e freskët të diplomimit të Renzo Bossit në Tiranë.
Sipas gazetës, titulli akademik i presidentit – që përmendet në kurrikulumin e tij por nuk thuhet se ku është marrë – shpërndahej nga një institut fantazmë francez, në bashkëpunim me pedagogë të Fakultetit të Histori-Filologjisë. Më 31 janar të këtij viti Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vjet heqje lirie shtetasin francez Bruno Hamard, që gjatë periudhës 2003-2007 shiste për 300-1000 euro tituj akademikë “Master” dhe “Doktoraturë” të institutit “IRERIE”. “Gjykata arrin në përfundimin se aktiviteti i Institutit “IRERIE”, i themeluar dhe drejtuar nga i pandehuri Bruno Hamard ka qenë i paligjshëm. Ky institut është krijuar dhe drejtuar nga i pandehuri me qëllimin e vetëm të përvetësimit … të shumave të parave, që studentët shqiptarë kanë arkëtuar në këtë institut. Ky Institut nuk ka qenë asnjëherë i licensuar dhe i regjistruar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Shetit Shqiptar. Për rrjedhojë diplomat që ky Institut lëshonte nuk kishin asnjë vlere, pasi ato nuk njihen nga autoritet e Shtetit Shqiptar” lexohet në vendimin e Gjykatë.
Nga procesi gjyqësor ka dalë në dritë se pasi mashtroi profesorin e fakultetit të Histori-Filologjisë, Petrit Nathanailin, francezi Bruno Hamard i datëlindjes 1970, nga Nanterre (Francë), hapi në Shqipëri Institutin “IRERIE”. Në fletë-palosje përshkruhej aktiviteti dhe adresa e IRERIE. Sipas këtyre materialeve, që u administruan gjatë procesit penal, ky Institut i Kërkimeve Ndërkombëtare dhe Europiane kishte krijuar kurse pasuniversitare për studime të larta “Master” dhe “Doktorature” në këtë fushë. Mashtruesi vijoi edhe më tej duke krijuar seksionin shqiptar “IRERIE” me drejtor profesor Petrit Nathanailin.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës ambasada franceze është përgjigjur se Instituti “IRERIE” është i panjohur në mjediset akademike franceze dhe për rrjedhojë diplomat që shpërndante ky institut nuk kanë asnjë formë njohjeje ose ekuivalence në shtetin francez.
Në vitin 2003 instituti kishte 17 studentë por në vitin 2007 ata arritën në 65. “Me qëllim që stafi pedagogjik dhe studentët të kishin besim tek ai dhe instituti që ai drejtonte, i pandehuri Bruno Hamard ka ardhur vetë në Shqipëri disa herë, duke organizuar edhe aktivitete të ndryshme qoftë në Ministrinë e Mbrojtjes ashtu edhe në Prefekturën e Rrethit Durrës… Merrte pjesë në ceremonitë e shpërndarjes së diplomave … dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, Ministrisë së Integrimit” lexohet në vendim të Gjykatës e nuk kuptohet se pse autoritete të qeverisë (përfshirë ato të Arsimit dhe të Shkencës që në gjykatë thanë më pas se nuk e kanë licencuar asnjëherë “IRERIE”) pranonin të shkonin e të ndiqnin ceremonitë e shpërndarjeve të diplomave të rreme.
Për t’iu kthyer presidentit Nishani, shpresojmë që nesër të tregojë se Masteri që ka është marrë në një tjetër universitet, përndryshe do të ishte e turpshme të mendohet që mban ende në kurrikulumin e tij zyrtar një titull që është vërtetuar nga gjykata e Tiranës se është i rremë, që kush ia ka dhënë është dënuar me pesë vjet burg. Mund të thotë edhe ai që nuk e dinte sa u tha më sipër, edhe Renzo Bossi nuk ishte në dijeni të diplomës së tij shqiptare, por ky të paktën është “Troftë” që askush nuk ka ndërmend të bëjë një ditë president.
Shkarko vendimin e Gjykatës së Tiranës ndaj Bruno Hamard.
Lexo edhe: Universiteti Kristal e politika shqiptare