Po punohet për një “masë kalimtare” për të shpëtuar familjet dhe ndërmarrjet nga sanksionet e për t’u dhënë një leje qëndrimi punonjësve të huaj. Por duhen kapërcyer kundërshtimet e ministrisë së Punës dhe shqetësimet e BE-së
Romë, 25 qershor 2012 – Mos e quani në asnjë mënyrë ‘sanatore’, përndryshe hapu dhè! Kush po i jep formë e ka të vështirë të flasë hapur edhe për “legalizim”. Më mirë “masë kalimtare”, por sidoqoftë është ajo që presin të gjithë.
Qeveria po shqyrton konkretisht një legalizim që o t’u japë një leje qëndrimi qindra mijëra punonjësve të huaj, por që mbi të gjitha (e si gjithnjë ky është qëllimi kryesor) do t’u japë një mundësi familjeve dhe sipërmarrjeve private që i punësojnë t’u shpëtojnë sanksioneve të rënda që do të godasin të gjithë ata që u japin punë imigrantëve të parregullt.
Loja është e vështirë e me shumë fronte. Ekzekutivi duhet të përthithë direktivën europiane 2009/52/KE, duke miratuar një dekret legjislativ që nga ana tjetër duhet të mbajë parasysh edhe vërejtjet e Parlamentit e në veçanti atë të Senatit që kërkon një brez shpëtimi për punëdhënësit e imigrantëve të parregullt.
Tashmë mes ministrive shëtit një shënim i përgatitur në zyrat e ministrit Andrea Riccardi. Për më tepër, ishte vetë ministri i Integrimit që, ndërsa qeveria fliste për përthithjen e normativës europiane e përgatiste dekretin legjislativ mbi sanksionet, thoshte se do të kishte qenë e udhës “të përcaktoheshin norma kalimtare, edhe për kohë të shkurtër, siç bëhet zakonisht në këto raste”. Fjalë që si gjithnjë kishin shkaktuar shpërthimin e Gasparrit (PDL): “Qeveria as të mos e çojë nëpër mend sanatoren!”.
Por me gjithë shfryrjet e Gasparrit, duket se në PDL ka nga ata që kanë ndërruar ide. Në fakt, vërejtja pro-legalizim është miratuar në senat falë votave të senatorëve të partisë së Alfanos, madje ka qenë pikërisht një koleg partie i Gasparrit, Filippo Saltamartini ai që ka thënë në Senat që “nevojitet një fazë transitore brenda të cilës subjektet e interesuara të mund të legalizojnë marrëdhëniet e punës së parregullt dhe të shmangin në këtë mënyrë sanksionet e ashpra që po sillen në fuqi”.
Nëse pengesa kryesore duket e kapërcye, tani duhet të binden ‘teknokratët’. Para disa ditëve, ministri i Brendshëm Cancellieri thonte për Shqiptari i Italisë që “Vendi nuk mund të shkojë përpara me sanatore njëra pas tjetrës”. Por e shtrënguar të shrehej mbi nevojën e legalizimit të punonjësve në të zezë, u përgjigj që “është e komplikuar”. Por burime nga qeveria thonë se në ministrinë e Brendshme po mendohet seriozisht për legalizim, dhe se komplikimet duken të kapërcyeshme.
Tani për tani duket më e vështirë të binden ekspertët në ministrinë e Punës, të njëjtët që kanë bllokuar edhe dekretin e ri të flukseve. Janë të mendimit që edhe legalizimi i të parregulltve që punojnë në të zezë është i paparshtatshëm për krizën aktuale, sepse të legalizuarit do të “konkurronin” me të huajt që qëndrimin e rregullt e kanë por që për faj të krizës kanë humbur vendin e punës e që reforma e ministrit Fornero do të përpiqet të tutelojë, duke u zgjatur kohën e lejes së qëndrimit për pritje punësimi.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe Bashkimi Europian. Edhe pse direktiva që duhet pranuar mbërrin nga Brukseli, nuk është e lehtë që fqinjët e Italisë të kapërdijnë “masën kalimtare”, që faktikisht do të shtonte papritur e pakujtuar imigrantët e rregullt që, pasi të marrin të shumëpriturën leje qëndrimi, mund të lëvizin lirisht në BE, madje edhe të braktisin Italinë për t’u vendosur në mënyrë të parregullt në një vend tjetër të kontinentit të vjetër.
Sanatoria apo legalizimi – ta quajmë si t’u pëlqejë më shumë atyre që duhet ta miratojnë – është shumë i rëndësishëm për qindra mijëra emigrantët që punojnë në të zezë, por edhe për arkat e shtetit italian në këtë periudhë krize, por është po aq e vështirë edhe rruga për të mbërritur deri te miratimi i normës. Por me sa duket, nën rrogoz loja ka nisur, dhe javët e ardhshme pritet që të luhet në dritë të diellit.
Elvio Pasca