“Res Albanicae”, revistë gjashtëmujore, ka lindur falë bashkëpunimit të dy katedrave albanologjike pranë universiteteve të Kalabrisë dhe të Palermos të drejtuara përkatësisht nga Prof. Francesco Altimari dhe Prof. Matteo Mandalà.
Në komitetin shkencor të revistës, të drejtuar nga profesor Altimari, marrin pjesë albanologë të njohur, ndërsa në redaksi janë përfshirë studiues të rinj që do të merren me punën e mirëfilltë redaksionale.
Synimi është që nën këtë emër të mblidhen gjithë albanologët, kudo ku ata janë në Europë. Qëllimi i hapjes së kësaj reviste, i përshkruar nga Prof. Francesco Altimari, është ai i krijimit të urave të reja midis Italisë dhe vendeve të tjera ku është rrënjosur albanologjia, mes albanologëve në vendet e ndryshme të Europës.
Prof. Matteo Mandalà tregon për të përditshmen Panorama për këtë iniciativë më të fundit për të mbajtur gjallë Albanologjinë e për vështirësitë me të cilat përballen studiuesit e shkencëtarët.
Shpjegon synimet, “rreptësinë” që do të ndiqet në seleksionimin e materialeve që po botohen në të, por edhe vështirësitë financiare e të tjera që po kalojnë katedrat e Albanologjisë në Europë.
Në një kohë kur është provuar vështirësia e mbajtjes së një reviste, ju ngrini një të re, si lindi nevoja për një revistë albanologjike?
Ishte një dëshira jonë, imja dhe e profesor Altimarit dhe Gëzim Gurgës, një bashkëpunëtor i vyer në katedrën tonë albanologjike në Palermo, por më së shumti për të vënë në vend amanetin e prof. Francesco Solano, mjeshtri ynë i Albanologjisë. Ai ka ndërruar jetë disa vjet më parë dhe na ka lënë një amanet që të zhvillonim marrëdhëniet shkencore mes Ballkanit shqipfolës dhe Arbërisë. E tashmë po e vëmë në vend këtë amanet, duke botuar një revistë, e cila do të jetë hapi i parë i një projekti më të madh, më të gjerë, që do të përfshijë edhe bashkëpunimet dhe projektet e universiteteve shqiptare, sidomos ato shqiptare.
Më konkretisht…
Revista synon të krijojë një rrjet ndërkombëtar albanologjie, ku të përfshihen të gjitha katedrat albanologjike, kudo ku ato janë në Europë. Në komitetin shkencor janë përfshirë katedrat albanologjike gjermane, ruse, ekspertë nga Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Kosova dhe nga Italia kuptohet. Kjo është baza për të krijuar një sistem shkencor, ku do të përfshihen patjetër të gjithë ata studiues që në të ardhmen do të merren me albanologji. Në fakt, ne nuk e kemi menduar thjesht si një revistë albanologjike. Ajo synon të hapë dyert e saj shkencës në përgjithësi. P.sh., për të marrë edhe vlerësimin e tyre ia kemi dhënë revistën tonë disa kolegëve që merren me Gjermanistikën, Romanistikën, Historinë e kulturës etj. dhe reagimi jo vetëm ka qenë shumë pozitiv, por u kemi marrë edhe premtimin për bashkëpunim. Pra, duam të vendosim një nivel tjetër të Albanologjisë, që është niveli i ballafaqimit me shkencat e tjera. Ne mund të matim rezultatet tona shkencore vetëm duke i krahasuar me ato të shkencave fqinje. Në këtë numër kemi studime edhe nga kolegët tanë që nuk janë albanologë të mirëfilltë, por janë marrë me çështje albanologjike, p.sh. sociologu, dekani i Fakultetit të Letërsisë në Palermo, i cili prej kohësh studion emigracionin arbëresh e tani atë shqiptar, duke na dhënë një pamje më të gjerë edhe në atë të integrimit europian.
Do të jetë ajo një revistë me një publik të gjerë, apo vetëm për rrethet e studiuesve?
Kjo nuk është një revistë divulgative dhe nëse ka diçka për të cilën revista është kundër, është sharlatanizmi apo prirja që ka dëmtuar albanologjinë viteve të fundit, sidomos në Ballkan. Unë nuk kam asgjë me mediat, por ato janë mjete për të informuar njerëzit mbi ngjarjet e jetës, nuk janë tribuna shkencore, nuk mund të jenë. Fatkeqësisht, në dhjetëvjeçarët e fundit, artikuj të përciptë janë interpretuar si artikuj shkencorë. Shkenca është shkencë dhe informacioni është informacion. Shkenca synon të zbulojë diçka të re që më përpara nuk është ditur dhe ta komunikojë atë, por më përpara rrethit shkencor, i cili është i detyruar që ta vlerësojë si diçka me, ose pavlerë dhe pastaj të kalojë në fazën e dytë që është ajo e divulgacionit e qarkullimit. Ne do të zbatojmë patjetër në mënyrë të rreptë metodën botërore që vlerëson cilësinë shkencore të çdo kontribuuesi me sistemin e “paper revieë”. Sipas këtij sistemi, përpara se t’i jepet leja për botim një artikulli, do të kontrollohet nga personalitete që do ta vlerësojnë në formën anonime dhe pastaj t’i japin OK, apo vërejtjet e tyre për ta përmirësuar artikullin. Pra, kush do që të bashkëpunojë me ne, nuk mund të na dërgojë thjesht një artikull, duke menduar që kjo mjafton për ta botuar, sepse do të kalojë atë sistem “darvinist” që i siguron cilësi shkencore artikullit. Vetëm pas kalimit të këtij provimi, artikulli mund të quhet një “paper revieë”, duke gjetur në revistën tonë vendin që meriton. Çdo artikull mund të pranohet në çdo fushë, që lidhet me shkencën albanologjike, ndaj dhe quhet “Res Albanicae”.
Si mbahet Albanologjia në universitete europiane, më konkretisht në Itali, pasi kemi dëgjuar për vështirësi të mëdha financiare…?
Kriza u shfaq sidomos në Mynih, por kjo është kriza që ka formën e ajsbergut, d.m.th, në këtë moment ato katedra që janë më të izoluara e pësojnë më shumë, por edhe ne në Itali, ku rrjeti i katedrave albanologjike është më i gjerë dhe më i shëndoshë sepse ka një traditë më të lashtë, ndjejmë vështirësi, sidomos financiare. Me reduktimin e fondeve në përgjithësi reduktohen edhe fondet që kemi në dispozicion. Kishim pak, do kemi edhe më pak dhe mund të mos kemi më. Kolegu im Altimari, momentalisht është duke ushtruar më shumë një aktivitet si menaxher sesa si profesor universitar, duke shfrytëzuar gjithçka, të gjitha institucionet e mundshme, që të mund të plotësojmë nevojat tona e të mund të realizojmë tubime shkencore, botime, projekte, siç është ai i fjalorit të arbërishtes, botime kritike. Pra, janë fonde që mblidhen me vështirësi, por mund të ishin më të dobishme, nëse do të gjenim mbështetje edhe nga institucionet shqiptare dhe nga rrjeti i botuesve shqiptarë.
Po krizë intelektuale a ka?
Jo, krizë intelektuale nuk mund të themi se ka, sepse shohim te të rinjtë arbëreshë që ka interes, ka vullnet, ka dëshirë dhe mjaft projekte interesante që mund të na çonin në zbulime të reja, por ka probleme financiare. Kolegu ynë, Bardhyl Demiraj, vuan më shumë nga kriza financiare, që ka Universiteti i Mynihut dhe jo nga vullneti që kanë studentët e tij. Pati një reagim nga Shqipëria, por nëse do të kishte qenë më i shëndoshë, mundet që katedra e Mynihut të arrinte diçka më shumë. Duhet thënë se Bardhyli ka bërë një punë të mrekullueshme atje, që ka gjetur mbështetjen nga katedrat italiane, në Palermo e Kozencë, duke zhvilluar shkëmbime, orë leksionesh etj. Nëse këtë punë do ta bënin 10% e profesoratit shqiptar, ne do të kishim rreth e rrotull shumë shqiptarë, jo në diasporë për emigracion, për punë, por për kulturë…
Largesia gjeografike jep mundësi të shohësh gjërat më qartë, ç’mendoni për zhvillimet albanologjike në Shqipëri?
Ka shumë gjëra pozitive, por ka ca të tjera negative, që pengojnë shumicën e gjërave pozitive… Kjo nuk varet nga kolegët tanë, por nga sistemi arsimor. Është shumë e vështirë për një universitet publik të përballet me dhjetëra jopublikë (privatë), jo në cilësi, por financiarisht. Nëse shteti nuk mbështet arsimin publik, që mbetet një nga parimet bazë që shquan vendet moderne bashkëkohore nga mesjeta, kuptohet që arsimi publik do të vazhdojë të ecë me vështirësi, ngadalë. Për t’u angazhuar në kërkimet shkencore duhen investime, duhen botime, duhen krijuar mundësi për t’u ballafaquar me metoda të tjera, duhet të udhëtosh, të kesh projekte…
Ju jeni edhe pedagog i Letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, ç’interes ka për të në Itali? A njihen shkrimtarët shqiptarë apo vetëm Kadareja?
Interes për letërsinë shqiptare ka, por librat që vijnë nga Shqipëria nuk bëhen të njohur, nuk qarkullojnë. Si është e mundur që shtëpi të mëdha botuese italiane botojnë shkrimtarë shqiptarë që shkruajnë në gjuhën italiane, por nuk përkthejnë nga gjuha shqipe vepra që kanë rëndësi?! Ismail Kadareja është një fenomen më vete, nuk mund të krahasohet, sepse rrezikon t’i mbajë nën hijen e vet autorët e ndryshëm shqiptarë. Kadareja është i njohur, i lexuar, i çmuar, i studiuar nëpër shkolla. Ai tashmë është një “trashëgimi i UNESCO-s”. Por, nuk ka një lob që ndihmon prodhimin kulturor shqiptar, dhe këtu kam parasysh jo vetëm letërsinë. Kemi shkrimtarë, por kemi edhe kineastë, piktorë, balerinë, këngëtarë… Mbetet vetëm në dorën e individit për t’u afirmuar, si Ermonela Jaho, Inva Mula… Por ka edhe shumë të tjerë, që nuk arrijnë atje ku duhet, për shkak se nuk kanë mbështetjen e një sistemi që i mbron. Nuk ka shtëpi botuese me kurajë që të krijojnë lidhje, të investojnë, por shikojnë vetëm interesat e tyre të momentit. Kjo nuk është e drejtë, sepse nëse ndihmohet njohja, rritja e një autori, në vende të huaja, mundet që ai të lexohet më shumë se sa në Shqipëri. Mjafton përkthimi në një gjuhë të madhe në Europë, që të bëhet urë dhe numri i lexuesve të kalojë atë në Shqipëri. Nëse Kadare nuk do të ishte përkthyer në gjuhën frënge, askush nuk do ta njihte dhe do të mbetej pak a shumë i errët si autorë të tjerë që i çmoj shumë, si Dritëro Agolli, nëse flasim për klasikët, por edhe shkrimtarë të tjerë që nuk njihen. I tillë është edhe Martin Camaj, i cili njihet vetëm nga rrjeti i albanologëve dhe shumë pak nga Europa, sepse fatkeqësisht shumë pak nga krijimtaria e tij është përkthyer në gjuhë të huaj. Pra, duhet të krijohet një sistem, të cilin nuk mund ta bëjnë shkrimtarët, intelektualët.. Kjo vlen edhe për arsimin, universitetet. Ne punojmë, bëjmë sakrifica, por duam edhe ndihmën e institucioneve dhe të politikës.
Intervistoi Alma Milo, Panorama