Ishin dorëzuar më 13 mars firmat e mbledhura nga Aleanca kundër importit të plehrave për mbajtjen e referendumit për shfuqizimin e ligjit të miratuar në nëntor 2011 që lejon importimin e mbetjeve në Shqipëri. Pas dy ditë shqyrtimi të kërkesës, KQZ vendos ta konsiderojë të rregullt dokumentacionin e paraqitur nga AKIP
Tiranë, 28 qershor 2012 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të enjten t`i hapë rrugën organizimit të një referendumi të përgjithshëm ‘kundër mbetjeve’, të kërkuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP).
Pas dy ditë shqyrtimi të kërkesës, KQZ, me 6 vota pro, vendosi sot ta konsiderojë të rregullt dokumentacionin e paraqitur nga grupi nismëtar i AKIP, që kërkon mbajtjen e një referendumi me qëllim shfuqizimin e dy neneve të ligjit “Për menazhimin e integruar të mbetjeve”. Në nëntor 2011, Aleanca kundër Importit të Plehrave depozitoi në KQZ kërkesën për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i miratuar në Kuvend në shtator 2011. Sipas grupit nismëtar, dy nene të këtij ligji (22 dhe 49) lejojnë importimin e mbetjeve urbane nga vende të tjera në shërbim të industrive ricikluese, duke rrezikuar jetën e shoqërisë dhe mjedisin shqiptar.
Pas miratimit të p/vendimit, KQZ, do t’ia përcjellë kërkesën për referendum Gjykatës Kushtetuese, por vetëm më 3 janar 2013, e cila më pas do marrë në shqyrtim ligjshmërinë e saj. Ishte pikërisht Njazi Kosovrasti, përfaqësues i PD në KQZ, që bëri një kërkesë të tillë. Dhe ajo u pranua nga kryetari i KQZ-së Ristani.
Por sipas ligjit mbajtja e një referendumi nuk mund të bëhet 6 muaj para zgjedhjeve dhe tre muaj pas tyre. Pas dorëzimit të vendimit të KQZ, Gjykata Kushtetuese ka 2 muaj kohë për vendimmarrjen e saj e pas kësaj 45 ditë i takojnë dekretit të Presidentit. Nëse përgjigja është pozitive, është KQZ që kërkon nga 1-3 muaj kohe përgatitje për referendum duke e shtyrë praktikisht atë dy vite më vonë.
Pas marrjes së vendimit nga KQZ, drejtuesit e Aleancës kundër Importit të Plehrave e cilësuan procesin një farse.
Përfaqësuesi i Aleancës, Lavdosh Ferruni, ka deklaruar se KQZ ka vendosur jashtë interesave të vendit. “KQZ me këtë vendim mban në sirtar referendumin deri në vitin 2013. Por në këtë kohë nuk mund të zhvillohet për shkak të zgjedhjeve”, tha ai, duke shtuar se Aleanca do të dalë brenda pak ditëve me të tjera alternativa.
Edhe më herët në mbledhjen e KQZ, përfaqësuesi i grupit nismëtar të AKIP ka theksuar se me deklaratat për firmat e falsifikuara është manipuluar publiku. Ai ka kërkuar nga KQZ-ja të marrë në konsideratë 50 mijë firmat e mbledhura e që janë konstatuar që janë të vlefshme për të miratuar me konsensus nismën për referendum nismën referendare si shprehje e vërtetë e demokracisë popullore.
“Ne nuk e pritëm mirë shtyrjen e takimit për sot. Sot jemi përsëri këtu për bindjen se do merret në konsideratë kërkesa jonë për referendum. Insistojmë se kërkesa është dhënë në kohën e duhur, më 13 mars dhe e certifikuar nga ju. Ne kërkojmë që të ndiqet linja e djeshme ku u shpreh qartë që ne si firmëtarë i kemi 50 mijë firmat që kërkon Kushtetuta. Na vjen keq që është spekuluar me firmat dhe është manipuluar publiku”,shtoi Ferruni.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, i cili theksoi se vetë Aleanca nuk duhet të kishte toleruar firmat nga e njëjta dorë. “KQZ-ja nuk ka manipuluar publikun. Ne kemi thënë që 70 përqind të kampionit që ne çuam për verifikim ishin të falsifikuar prandaj është e papranueshme që të thuhet se procese të tilla ne e dimë si po kalojmë në Shqipëri”, tha Ristani.
Anëtari i djathtë në KQZ, Njazi Kosovrasti, kërkoi hetime të thelluara për manipulimin e firmave. “Ishte e qartë dhe me sy të lirë dukej që firmat ishin vënë nga e njëjta dorë”. Por kërkesa e tij për hetim u rrëzua nga anëtarët e tjerë të KQZ-së.
Lexo edhe:
Kuvendi hedh poshtë dekretin e Topit. Mbetet në fuqi ligji i plehrave
Vjen në fuqi ligji i plehrave. Protestojnë në Vlorë të rinjtë e Kuvendit Civil
Kuvendi Civil: “Shqiptarë, mos pranoni plehrat e Italisë”
Referendum apo opozitë plehrash?