in

Shtatë italianë në dhjetë janë dakord me dhënien e shtetësisë të lindurve në Itali

Por dy italianë në tre, e kanë pak apo shumë problem t’u japin vajzën për grua një shqiptari. Hulumtimi ISTAT: “Migrantët të parë nga italianët”

Romë, 12 korrik 2012 – Shumica e italianëve janë të mendimit që imigrantët diskriminohen, dënojnë racizmin dhe do t’u jepnin shtetësinë italiane bijve të tyre të lindur këtu. Por nga ana tjetër, mendojnë se janë më të shumtë nga ç’duhet, e do të dëshironin që për shtëpitë popullore dhe vendet e punës të kenë përparësi vendasit. Komuniteti më i paragjykuar, ai rom, por edhe për rumunët e shqiptarët gjykimet nuk janë gjithnjë pozitive.

Këtë nxjerr pak a shumë në dritë hulumtimi i institutit të statistikave ISTAT me titull “I migranti visti dai cittadini”, i promovuar dhe i financuar nga Departamenti për Shancet e Barabarta i paraqitur dje në Romë. Ja disa nga rezultatet:

– 59,5% e italianëve të intervistuar pohon se në vendin tonë imigrantët trajtohen më keq se italianët. Pjesa dërrmuese e italianëve është e mendimit se imigrantët e kanë të vështirë të intëgrohen në shoqërinë italiane (80,8%), madje 2,4% mendon se e kanë të pamundur.

– Thuajse të gjithë dënojnë qëndrimet diskriminuese: në fakt shumica e të intervistuarve, janë të mendimit që nuk duhet të justifikohen qëndrimet tallëse me një student (89,6%) apo të trajtohet keq një punonjës (88,7%) vetëm pse është imigrant.

– E megjithatë, 55,3% janë të idesë se “në dhënien e shtëpive popullore, për kushte të njëjta, imigrantët duhet të renditen pas italianëve”, ndërsa 48,7% shprehen se “në kushte krize të tregut të punës, punëdhënësit duhet t’u japin përparësi italianëve” mbi imigrantët.

– 60% e të intervistuarve janë shumë apo mjaft dakord me idenë se “prania e imigrantëve është pozitive sepse mundëson përballjen mes kulturave”. Po aq (63%) janë dakord me pohimin që “imigrantët janë të nevojshëm për punët që italianët nuk duan të bëjnë më”. Është 35% kuota e atyre që mendojnë se imigrantët u marrin vendet e punës italianëve.

– 65,2% e italianëve mendojnë se imigrantët janë më të shumtë në numër nga ç’duhet.

– Shtimi i martesave të përziera konsiderohet në mënyrë pozitive nga 30,4% e të intervistuarve, kundrejt një të pestës (20,4%) që e konsideron në mënyrë negative këtë dukuri. Por nëse është e bija që martohet, 59,2% e të intervistuarve do ta kishin shumë problem dhe 25,4% do ta kishin disi problem nëse dhëndri është rom. Dhe jo vetëm: mëse një e treta (37,2%) do ta kishte shumë problem e 31,7% të tjerë do ta kishin disi problem në rastin e dhëndrit rumun. E shqiptar? Pak a shumë si për rumunët: 33,8% shumë problem dhe 34% disi.

– Për shumicën nuk është problem nëse fqinji është i huaj. E megjithatë bëhet dallim mes komuniteteve: 64,4% nuk do të dëshironin të kishin për fqinj një ro. Me distancë të madhe ndjekin sërish rumunët e shqiptarët: 25,6% nuk duan të kenë fqinj rrumunin dhe 24,8% shqiptarin.

– 61,7% e të intervistuarve janë të mendimit se disa komunitete të huajsh krijojnë probleme në Itali. Dhe rendisin pikërisht tre komunitetet më të mëdha: atë rumun (34,5%), shqiptar (25,1%) dhe atë maroken (12,1%).

– 72,1% e të intervistuarve janë në favor të njohjes së shtetësisë italiane të bijve të imigrantëve të lindur në Itali. Madje 91,4% konsiderojnë të drejtë që imigrantët që paraqesin kërkesë pas një numër vitesh rezidence të rregullt në Itali të marrin shtetësinë: për 38,2% do të mjaftonin 5 vjet, për 42,3% duhen 10.

– 42,6% e të intervistuarve shprehen në favor të të drejtës së votës në zgjedhjet lokale për imigrantët që jetojnë prej disa vitesh në Itali, edhe kur nuk kanë shtetësinë.

– Më të hapur ndaj imigrantëve janë të rinjtë e gratë dhe rezidentët në Italinë e mesme.

Shkarko tekstin e plotë të hulumtimit

Katër vjet burg të resë që me premtimin e martesës i vjedh paratë të moshuarit

Aplikimi për pasaportat biometrike në Romë – Udhëzues i përditësuar