in

Ohër Plagoset Big Mama, vdes miku i saj

Këngëtarja Besiana Kasami e njohur si Big Mama ka pësuar një aksident të rëndë me motor uji në liqenin e Ohrit, duke u plagosur rëndë, ndërsa miku i saj Lirim Jusufi ka ndërruar jetë.

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Liqenin e Ohrit, një kilometër larg Strugës. Zëdhënësi i Policisë së Ohrit, Stefan Dimovski, deklaroi se ka mbetur viktimë një 27 vjeçar nga Debreshti i Tetovës, i cili ishte me punë të përkohshme në Danimarkë.

Ai së bashku me këngëtaren Big Mama po drejtonin motorin e ujit në Liqenin e Ohrit në orët e mbrëmjes, dhe për një çast kanë humbur drejtimin dhe janë përplasur në ujë. Motori me shpejtësi të lartë ka goditur në kokë shoqëruesin e Big Mamës, Lirim Jusufi, 27 vjecar, i cili nga goditja e rëndë është fundosur disa metra në thellësi të Liqenit.

Një grup personash ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka nxjerrë viktimën me plagë të rënda, dhe e ka dërguar menjëherë në Spitalin e Strugës. Megjithë ndërhyrjen mjekësore, ai ka ndërruar jetë në orën 20.00.  

Këngëtarja Big Mama ka pësuar tronditje të thellë, është në gjendje të rëndë shpirtërore, ka lëndime trupore por nuk rrezikon jetën.

Aksidenti ka ndodhur pikërisht ditën kur ka hyrë në fuqi ndalimi për lundrimin e motorëve në ujë nëpër liqene nga ora 11 deri në ora 18 , masë që do të vlejë deri më 31 gusht.

Në Liqenin e Strugës nga fillimi i sezonit kanë ndodhur tre fatkeqësi të tilla, me persona të plagosur. (INA)

A Tavarnelle Val di Pesa, Italiani e Albanesi brindano alla loro amicizia

“Shqiponja” e Reggio Emilias në ndihmë të popullatës së prekur nga tërmeti