Nga mesi i shtatorit deri në mes të tetorit, me një kontribut prej një mijë eurosh, do të paraqiten kërkesat për legalizimin e punonjësve të huaj të parregullt. Përjashtohen imigrantët e konsideruar të rrezikshëm.
Një dekret ndërministror do të përcaktojë detajet.
Ndërmarrjet apo familjet që kanë punësuar të huaj pa dokumente nuk do të kenë pasoja. E thënë shkurt, nëse kanë punësuar të huaj pa dokumente, ligji që ndëshkon punësimin në të zezë, si edhe punësimin e emigrantëve të parregullt (me një fjalë ‘clandestini che lavorano in nero’ ) do të pezullohet përkohësisht. Domethënë që të huajt pa dokumente do të mund te marrin një leje qëndrimi. Domethënë, që erdhi çasti i shumëpritur për qindra mijëra vetë: sanatoria.
Quajeni po deshët edhe ‘regolarizzazione’, sipas terminologjisë së ‘politically correct’ ku fjala Sanatore është e ndaluar pasi shkakton reagime nervoze në radhët e politikanëve të partive apo një pjese të madhe të votuesve, kjo ‘dispozitë e përkohshme’ e përfshirë në dekretin legjislativ të miratuar më gjashtë korrik nga Këshilli i Ministrave është nënshkruar tashmë nga Presidenti i Republikës dhe për pak ditë do të botohet në Gazetën Zyrtare.
Kërkesat
Termi ‘dichiarazione di emersione’, që aq shumë i ngjan terminologjisë së lëvizjes së peshqve nga thellësia në sipërfaqe, por që në të vërtetë nënkupton shpalljen haptazi të të qenit klandestin dhe daljen ‘në sipërfaqe’ për t’u pajisur me dokumente, do të jetë titulli i formularit që duhet plotësuar nga 15 shtatori deri më 15 tetor nga nga punëdhënësit italianë apo të huaj (këta të fundit duhet të kenë lejeqëndrim afatgjatë) të cilët të paktën në tre muajt e fundit kanë punësuar të huaj pa dokumente. Marrëdhënia e punës duhet të jetë me kohë të plotë, ‘a tempo pieno’, me përjashtim të rasteve të të punësuarve shtëpiakë për të cilët lejohet edhe një punësim part-time me të paktën njëzet orë në javë.
Të huajt pa dokumente, nga ana e tyre, duhet të dëshmojnë nëpërmjet ‘dokumentacionit me prejardhje nga organizmat publikë’ se kanë qenë të pranishëm në Itali të paktën që nga 31 dhjetori i 2011-ës. Normë kjo e shtuar për të penguar dyndjen nga jashtë të të huajve gjatë këtyre javëve, por që mund t’i ndërlikojë jetën shumë vetëve, meqë, dihet që klandestinët nuk mund të kenë marrëdhënie me ‘organizmat publikë’, madje u rrinë larg. Më me fat duket se janë ata që kanë marrë një fletë dëbimi e nuk janë larguar nga Italia duke mbetur klandestinë. Të tjerët, duhet të sajohen. Edhe një gjobë e marrë në autobus para dhjetorit 2011 mund t’u hyjë në punë.
Të përjashtuarit
Janë të përjashtuar punëdhënësit që në pesë vite e fundit janë dënuar, edhe me vendim jo përfundimtar, për favorizim të emigracionit klandestin, për trafik dhe shfrytëzim të prostitucionit e të të miturve, për kapolarat apo për punësim të klandestinëve. Punë që s’bëhet edhe për ata që në të kaluarën kanë bërë kërkesa për flukset apo legalizime të tjera e pastaj nuk kanë punësuar punëtorin e kërkuar.
Përjashtohen gjithashtu të huajt që janë dëbuar për arsye të rendit publik apo të sigurisë së shtetit, dhe ata që janë dënuar, edhe me vendim jopërfundimtar, për një nga krimet e parashikuara nga neni 380 i kodit penal. Nuk do të pajisen me dokumente as ata që do të konsiderohen, në bazë dënimesh të marra, kërcënim i rendit publik apo të sigurisë.
1000 euro
Kaq do t’u kushtojë punëdhënësve çdo i huaj i punësuar në të zezë që ata do të deklarojnë, shumë që nuk do të mund ta zbresin nga taksat dhe që konsiderohet ‘kontribut forfetar’. Kur të firmosin kontratën e qëndrimit duhet edhe të tregojnë që kanë paguar rregullisht rrogat, taksat dhe tatimet për të paktën gjashtë muaj apo edhe për tërë kohëzgjatjen e raportit të punëdhënies.
Për të njohur të gjitha hollësitë, duhet ende pritur disa javë. Brenda njëzet ditësh nga botimi në gazetën zyrtare të dekretit legjislativ, një dekret ndërministror do të përcaktojë tërë procedurat (që mund të jetë telematik), derdhjen e kontributit forfetar, caqet e të ardhurave të punëdhënësve e hollësi të tjera.
Elvio Pasca