in

Kuvendi miraton reformën e ligjit zgjedhor

Kuvendi miraton të enjten me 127 vota pro dhe 2 vota kundër dhe 3 abstenime, ndryshimet në kodin zgjedhor, një nga reformat ligjore më të rëndësishme në vend dhe prioriteti më kyç i BE-së, në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Miratimi i kodit të ri, që do të aplikohet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 u finalizua pas marrëveshjes PD-PS, një javë më parë, e cila i hapi rrugë konsensusit dhe për tre çështjet ‘e nxehta’: rikompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, problemin i procedurave ankimore dhe përdorimi i teknologjive të reja.

Megjithëse pritej që tetë deputetët e partive të vogla të votonin kundër, vetëm dy prej tyre e kanë bërë, ministri i Mjedisit dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa. Tre abstenimet u përkisnin tre deputetëve të LSI-së, Vangjel Tavo, i  cili mban edhe postin e ministrit të Shëndetësisë, Nasip Naçi dhe Lefter Koka.

Procesi i votimit u shoqërua me të qeshura pasi drejtuesja e Kuvendit, Jozefina Topalli i tërhoqi vëmendje deputetit dhe ministrit të Turizmit, Aldo Bumçit. Topalli duke parë në tabelën elektronike një votë kundër në rreshtin e kabinetit qeveritar iu drejtuar Bumçit: “O Aldo ke votu gabim”. Por pasi kuptoi se vota kundër ishte e kryetarit të Partisë Republikane dhe njëherësh ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, Topalli u tërhoq duke thënë: “O më fal është zotnia”.

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule deklaroi që në fillim votën pro ndryshimeve në reformën zgjedhore, por kërkoi ndërhyrjen në të gjithë kuadrin ligjor për Kodin Zgjedhor.

“Kjo vota ime ka disa por-ë që kërkojnë përgjigje. Freedom House vlerëson se vetëm 40 vende kanë demokraci zgjedhor të mirëfillta dhe vendi ynë nuk është mes 40 vendeve me demokraci zgjedhore të plotë. DASH vlerësonte se ka humbur shpresa se në vendin tonë, qeveria mund të ndryshohet me votë. Nuk ka asnjë garanci se procesi i ardhshëm zgjedhor do jetë i ndryshëm nga ato të mëparshme. Garancitë i jep kryetari i PS-së në një kohë kur këtë duhet ta jepte kryeministri. Votën time po e jap pro si sinjal pozitiv. Nuk do të kemi bërë asgjë nëse ne, me vullnet dhe sinqeritet, nuk i hyjmë një reforme të mirëfilltë që do të garantonte barazinë e votës dhe një proces të drejtë, të barabartë e të pakontestueshëm”, nënvizoi Dule.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi në Kuvend se do të votonte kundër ndryshimeve, pasi kodi i ri nuk garanton barazinë e votës së qytetarëve.

Kryetari i PR-së, tha se komisioni i posaçëm ka bërë një reformë tërësisht jotransparente, ku nuk u morën  në konsideratë propozimet e shprehura në deklaratën e 26 partive politike, ku firmëtarë ishin dhe Berisha e Rama. “Këto propozime iu përcollën komisionit, por nuk u morën parasysh nga PD e PS, duke cënuar barazinë e votës së qytetarëve, e shprehur në Kushtetutë”, tha Mediu.

Ç’parashikon reforma

Reforma elektorale, e miratuar sot në Kuvend të paketës së ndryshimeve në kodin zgjedhor, përfshin amendimin e ligjit në dhjetë kapituj të tij, sipas rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR-i, në përfundim të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe atyre lokale të vitit 2011.

Pas më shumë se gjashtë muaj punë, përfaqësues të PD-së e PS-së arritën t’i japin zgjidhje pjesës më të madhe të problematikës së konstatuar në dy zgjedhjet e fundit, si  formula e kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e drejta e ankimimit, përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, financimet në fushatë, kuotat gjinore etj. 

Ndërkohë që konsensusi PD-PS nuk përfshiu amendimin e kodit për çështjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor, i kërkuar me ngulm nga partitë aleate të dy forcave kryesore, duke vendosur që në zgjedhjet parlamentare të 2013-s të shkohet me të njëjtin sistem, atë proporcional rajonal.

Çështja e rikompozimit të KQZ-së, ishte kompromisi më i vështirë i arritur nga palët, në limitet e afatit të reformës zgjedhore. Ligji i ri elektoral përcakton qëKQZ të riformatohet në shtator dhe kryetari i tij të zgjidhet me konkurs dhe do të votohet më pas në parlament në seancë plenare. Ndërsa 6 anëtarët e tjerë do të jenë propozime politike, tre nga maxhoranca dhe tre nga opozita, të cilët do të kenë mandate 6-vjeçare, ndërsa kreu i KQZ-së do të ketë mandat 4 vjeçar. Që të gjithë anëtarët dhe kryetari kanë të drejtë rizgjedhjeje. 

Sipas ligjit të ri, kryetari i KQZ-së zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Ndërkaq lista e kandidatëve për postin e kreut të KQZ-së i kalon komisionit të Ligjeve për të verifikuar përmbushjen e kritereve.

Procesi i ankimimit në kodin e ri zgjedhor parashikon që kërkesa për marrjen e provave, kur mbështetet nga dy anëtarë të KQZ-së dhe kur këto prova administrohen vetëm nga KQZ, do të pranohet menjëherë pa iu nënshtruar debatit apo votimit në Komision. KQZ është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara. 

Zbatimi i teknologjisë në procesin zgjedhor, i përfshirë në ligjin e ri elektoral, mbështetet në sugjerimin e ekspertëve të ODIHR. Sipas tij, ky proces do nisë me një projekt pilot në Tiranë, si zona më e madhe zgjedhore e vendit, ku do të zbatohet identifikimi elektronik i votuesve, ndërsa në Fier, një tjetër zonë e madhe elektorale, do të zbatohet numërimi elektronik. Asnjë e re në aspektin e përdorimit të teknologjisë për t’u siguruar praktikisht të drejtën e votës edhe emigrantëve.

Ndryshimet e miratuara sot në kodin zgjedhor parashikojnë dhe rishikimin e shtatë neneve në kapitullin për financimin e subjekteve zgjedhore, ku përfitues realë do të jenë partitë e vogla, të cilat edhe nëse nuk marrin mandate parlamentare, do të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit. Sipas këtij ndryshimi, partive po ashtu ju jepet mundësia të marrin dhe kredi për fushatën.

Sa i takon reklamave qeveritare gjatë periudhës paraelektorale, ligji i ri parashikon që çdo reklamë me karakter propagandistik, e bërë pas datës kur kreu i shtetit ka dekretuar datën e zgjedhjeve, duhet të ndalohet deri në çeljen e fushatës elektorale. 

Lidhur me përcaktimin e kuotave gjinore të grave, kodi elektoral parashikon që për çdo zonë zgjedhore, të paktën 30% e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini.

Reagimet e të huajve

Përmes zëdhënësit të tij, Peter Stano, Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Stefan Fule, vlerëson se maxhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të përgëzohen për punën e mirë të përfunduar dhe për bashkëpunimin konstruktiv në këtë fushë.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme përbën një hap domethënës përpara në përmbushjen e marrëveshjes politike të nëntorit 2011, si dhe drejt arritjes së një prioriteti kyç të Opinionit. Megjithatë reforma zgjedhore nuk është vetëm një nga prioritetet kyçe të Opinionit, por është esenciale në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2013-ës”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Peter Stano shton se, “ne i bëjmë thirrje si maxhorancës qeverisëse dhe opozitës të ndërtojnë mbi këtë zhvillim pozitiv dhe të përkrahin më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për plotësimin e punës në vazhdim për priotitetet e tjera kyçe të Opinionit, si dhe për të arritur një numër të madh rezultatesh brenda shtatorit. Reformat për drejtësinë përbëjnë një faktor kyç drejt rrugës së integrimit në BE”.

“Kemi ndjekur nga afër, si nga Tirana dhe nga Brukseli, çdo hap dhe etapë të reformës, e cila ka pasur dhe momente të vështira, por jemi të lumtur që shohim sot kurorëzimin e këtij procesi. Besoj se të dyja palët, si opozita dhe maxhoranca, dëshmuan gatishmëri dhe nivel të lartë kompromisi dhe vullneti politik, që nuk ishte i thjeshtë për t’u arritur”, thotë Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi pas miratimit në seancë plenare të kodit zgjedhor, ku ai ishte i prezent.   

Duke e kondideruar një hap “shumë të rëndësishëm për integrimin dhe për vlerësimin e  radhës nga KE”, Sequi tha se suksesi i sotëm duhet të shërbejë për trajtimin e sfidave të së ardhmes, si reforma parlamentare dhe heqja e imunitetit.

Hapi tjetër i Kuvendit të Shqipërisë duhet të jetë votimi për heqjen e imunitetit. Kjo është kërkesa që ka bërë ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu pak çaste pas votimit në Kuvend të reformës zgjedhore. 

“Hapi tjetër të jetë heqja e imunitetit, të gjithë duket se janë dakord”, thotë ambasadori amerikan në Shqipëri, Arvizu. 

Njëkohësisht Ambasada e SHBA-së, në një njoftim për shtyp është shprehur se ka mirëpritur miratimin e legjislacionit të kodit zgjedhor: “tani parlamenti duhet ta kthejë menjëherë vëmendjen në përmbushjen e reformës parlamentare dhe punës për heqjen e imuniteteve, çka sipas të gjitha palëve përbën një pengesë madhore në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Nxisim palët që të punojnë me seriozitet për të gjetur emëruesin e përbashkët, i cili dimë që ekziston, dhe të votojnë për këtë legjislacion më 6 gusht”.

Lef Nosi, ruajtësi i dokumentit të Pavarësisë

PDIU: Kodi zgjedhor lë jashtë një të tretën e shqiptarëve që janë në emigracion