in

Vizitë në Shpellën e piratëve

Shpella e Piratëve, që është bërë e famshme, jo vetëm për historinë e saj, por edhe nga libri me të njëjtin titull i Petro Markos, si edhe filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re” që bazohet në këtë libër të shkrimtarit të njohur, përbën një nga objektet më me vlerë, në bregdetin e Himarës.

Tiranë, 10 gusht 2012 –  Çdo herë Shpella e Piratëve në bregdetin e Dhërmiut të krijon ndjesinë e rikthimit në kohë. Faqet e saj të thepisura brenda asaj hapësire të ngushtë, nxisin fantazinë rreth asaj që ato kanë fshehur dikur piratët e detit që qëndronin në pritje për të ndjekur gjahun e radhës.

Sa herë që vjen këtu, të duket se sheh diçka të re dhe përjeton një perceptim të ri të paprovuar më parë. Por, të lundrosh drejt këtij objekti me Ashirin, 35 vjeçarin nga Lushnja, është një gjë me të vërtetë interesante. Ai është i pasionuar pas detit, me të cilin siguron jetesën. Është licensuar për peshkim, por në këto ditë gushti ai e përdor gomonen e vogël edhe për qëllime turistike, duke shëtitur me të pushues vendas dhe të huaj. Destinacioni më i zakonshëm i Ashirit është Shpella e Piratëve. Aty ai çon çdo ditë dhjetëra pushues, kundrejt një pagese të arsyeshme. I është bërë si një ritual i përditshëm që e përjeton në mënyrën e vet. Nuk qëndron indiferent ndaj kuriozitetit të klientëve, por, përkundrazi, mundohet të marrë pjesë sa më shumë në ato çaste kërshërie. Tregon pjesë të ndryshme të shpellës, si një ciceron i vërtetë.

Për 35 vjeçarin nga Lushnja kjo nuk është thjesht dhe vetëm një punë e rëndomtë, por edhe një mundësi për të promovuar një nga monumentet natyrore më të bukura të gjithë vijës bregdetare. Nga ato monumente që kanë pas një histori, madje një histori të paeksploruar piratësh, që të fton në mistiçizmin e thellësisë së shekujve.

Shpella e Piratëve, që është bërë e famshme, jo vetëm për historinë e saj, por edhe nga libri me të njëjtin titull i Petro Markos, si edhe filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re” që bazohet në këtë libër të shkrimtarit të njohur, përbën një nga objektet më me vlerë, në bregdetin e Himarës. Ajo ndodhet pranë plazheve të Dhërmiut, në një breg shkëmbor tepër të thyer që bie pingul mbi det dhe gjendet shumë pranë Manastirit të Shën Theodhorit, gjë që e pasuron më tepër gjeografinë dhe historinë e kësaj pjese tërheqëse të bregdetit shqiptar.

Brenda mjediseve të shpellës

Për të shkuar në këtë shpellë, mënyra e vetme është deti. Mjaftojnë 10-15 minuta lundrim, me një motobarkë vogël dhe mund të gjendesh në këtë objekt që evokon natyrshëm Mesjetën Shqiptare. Deti i thellë, në një ngjyrë të errët dhe bregu me formacione shkëmbore që bien thikë mbi sipërfaqen ujore, të paralajmërojnë për një surprizë të këndshme. Hyrja e shpellës, e përbërë nga dy zgavra të mëdha të krijon një ndjesi të veçantë.  Është një rikthim i menjëhershëm në historinë e disa shekujve më parë që, natyrshëm, ngjall emocione. Ato kanë në bazë historinë: piratët e famshëm që e shfrytëzonin këtë hapësirë shkëmbore në një mjedis detar, apo beteja me saraçenët, gjë që na vjen përmes toponimisë së këtij vendi. Sepse Shpella e Piratëve ndodhet pranë gjirit të mrekullueshëm tek Alevrat (Al-Evra), ku gjendet plazhi me të njëjtin emër.

Teksa shëtisim me barkë brenda hapësirës së shpellës, konstatojmë masivet shkëmbore që përbëjnë faqet anësore të saj. Ato janë të thyera dhe me xhepa shumëllojesh, ndërkohë që në kube(pjesa e sipërme), spikat një zgavër në formë rrethore, prej së cilës depërtojnë rrezet e diellit.

Shpella është e përmasave modeste. Ashiri  thotë se ka sjellë këtu qindra pushues dhe turistë të huaj për të cilët ky objekt është mjaft interesant. “Kam transportuar anglezë, francezë, italianë, zviceranë, gjermanë, norvegjezë, maqedonas, kroatë, malazezë, çekë, që kanë ardhur këtu dhe kanë bërë mjaft fotografi, apo kanë regjistruar me kamera”, thotë ai.

Historia që mbart Shpella e Piratëve, bukuria e jashtëzakonshme natyrore, mjaftojnë që të tërheqë pafundësisht vizitorë. Ata kanë ardhur dhe do të vijnë në këtë mjedis natyror, ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen në një dhe ngjallin emocione të pazakonta.

(ATSh)

Rreth 350 mijë shqiptarë dhe biznese kanë kredi aktive në banka

I hidhte benzinë zjarrit, arrestohet 48 vjeçarja Lindita P.