Në Gjermani jetojnë rreth 2,7 milionë turq apo persona me orgjinë turke, nga të cilët vetëm 700 mijë kanë shtetësinë gjermane
Rreth 45% e turqve që jetojnë në Gjermani dëshirojnë të kthehen në vendlindje, dhe vetëm 15% e tyre e konsiderojnë Gjermaninë vendin e tyre. Për më tepër, 62% deklarojnë se ndihen më mirë në shoqërinë e turqve. Këtë thotë një studim i bazuar në intervistat me një mijë persona, i institutit Info të Berlinit i publikuar më 17 gusht.
Edhe pse 39% e të intervistuarve jetojnë në Gjermani prej të paktën 30 vjetësh, janë 45% ata që konsiderojnë njësoj atdhe qoftë Turqinë e qoftë Gjermaninë dhe vetëm 15% e konsiderojnë atë atdheun e tyre në vend të Turqisë, përqindje kjo në rënie të vazhdueshme po të mbahet parasysh që në vitin 2009 ishin 21% që e mendonin kështu e në vitin 2010 kur ishin 18%.
Ndër 45% të të intervistuarve që dëshirojnë të kthehen në Turqi, pjesa më e madhe janë të moshës nga 30 deri në 49 vjeç. Në dëshirën për kthim duket se një rol të rëndësishëm luajnë besimi fetar dhe traditat, kështu 55% e të intervistuarve do të kishin dashur që Gjermania të kishte më shumë xhami.
Gjermania dhe Turqia kanë festuar vjet 50vjetorin e traktatit të miqësisë, falë të cilit arritën fillimisht në Gjermani 900 mijë “punonjës të ftuar” turq. Shumë prej tyre vendosën të mos ktheheshin në atdhe dhe kështu me kalimin e viteve ai komunitet, falë ardhjeve të reja e lindjeve ka shkuar në 2,7 milionë persona. Nga këta rreth një e katërta, rreth 700 mijë vetë, ka marrë ndërkohë shtetësinë gjermane.
Lexo edhe: Berlini i emigrantëve