Dekreti ndërministror me detajet e sanatores ende nuk arrin në Gazetë Zyrtare. Për të paguar kontributin forfetar është e udhës të pritet botimi i dekretit ndërministror, edhe pse kodet për pagesën janë të aktivizuar nga sot
Romë 7 shtator 2012 – Më parë shikohet, pastaj paguhet. Dekreti ndërministror mbi legalizimin nuk duket në horizont? Atëherë më mirë që ato 1.000 eurot t’i mbani akoma në xhep e të prisni.
Të premten e shkuar, Zyra e Tatim Taksave përcaktoi kodet për derdhjen me modelin F24 të 1.000 eurove të kontributit forfetar. Kodet dhe udhëzimet përmbahen në një rezolutë që i referohet “dekretit të ministrisë së Brendshme të 29 gushtit 2012” të nënshkruar bashkë me ministritë e Punës, Integrimit dhe Ekonomisë.
Por e vërteta është se ky dekret ndërministror ende nuk është botuar në Gazetë Zyrtare. Dhe sot është data 7 shtator, datë kur kodet janë aktive e teorikisht mund të niste pagesa e 1.000 eurove. Nga dekreti ndërministror është në qarkullim një bocë, por meqë këtu luhet me diçka shumë të rëndësishme (dhe të shtrenjtë) është mirë të pritet versioni zyrtar i dekretit në mënyrë që të gjithë të kenë sa më të qartë nëse përmbushin apo jo kriteret për të përfituar nga kjo sanatore.
Të gjithë presin: punonjësit e huaj, punëdhënësit, familjet e rrjeti i shoqatave, patronateve dhe konsulentëve të punës që mund të ndihmojnë në përpilimin e praktikave.
Deri tani një gjë është e sigurt. Për sa kohë dekreti nuk del në Gazetë Zyrtare, më mirë mos i paguani akoma ato 1.000 euro.
E.P.