in

Kosova gëzon pavarësi të plotë. Merr fund mbikëqyrja

 
Grupi drejtues ndërkombëtar shpalli më 10 shtator përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 11 shtator 2012 – 10 shtatori 2012 do të mbetet një datë e shënuar për historinë e Kosovës. Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë.  

Ky vendim erdhi pas konstatimit më 2 korrik 2012 se, Propozimi gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe se, në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar paketat e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit parësor duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës.

Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. 

Me efekt të menjëhershëm, nga 10 shtatori, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit.

Presidentja Jahjaga: “Kosova është sot shoqëri e njerëzve të lirë, vend i mundësive të barabarta, shtet qytetar në të cilin të gjithë njerëzit pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore, gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat në mënyrë të barabartë”

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar dje një seancë speciale – solemne, të parën në pavarësinë e plotë të vendit, menjëherë pasi Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli në Prishtinë, përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. 

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se, “është një ditë e shënuar për Kosovën”. “Me përmbylljen me sukses të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, që është suksesi yni i përbashkët, Kosova tregon se institucionet dhe qytetarët e saj janë të përkushtuar dhe të përgjegjshëm t’i kryejnë të gjitha detyrimet në funksionimin e shtetit”, tha Jahjaga.

“Ne sot jemi shoqëri e njerëzve të lirë, vend i mundësive të barabarta, jemi shtet qytetar në të cilin të gjithë njerëzit pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore, gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat në mënyrë të barabartë”, vijoi ajo.

Presidentja e Kosovës siguroi se, “do të dialogohet me qytetarët në tre komunat në veri të territorit të Kosovës duke arritur mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve dhe qeverisja në nivel komunal do të jetë e suksesshme edhe në këtë pjesë të territorit, duke iu mundësuar qytetarëve që nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të zgjedhin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e tyre legjitimë, që do të përfaqësojnë interesat e tyre”.

“Kontribut për paqen dhe stabilitetin dhe për normalizimin dhe relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve ne shohim edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ne e kemi shprehur përkushtimin tonë që të zhvillojmë marrëdhënie si dy shtete sovrane dhe të pavarura. E respektojmë dhe e mirëpresim si tejet të nevojshme ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces, sidomos në dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy vendeve tona”, tha ajo.
Jahjaga u shpreh se “Kosova po bënë reforma të thella në të gjitha fushat, përfshirë edhe ato në administratë, për të arritur standarde dhe për ta përafruar vendin me BE-në”.

Perugia. Tenton të marrë avionin për Londër me dokumente italiane

Zvicër–Shqipëri, 16 lojtarë shqiptarë në fushë