Ndeshje “e nxehtë” ajo e sotmja mes Shqipërisë e Zvicrës. Kundër përfaqësueses kuqezi do të luajnë edhe shqiptarët që militojnë në radhët e kombëtares zvicerane: Xherdan Shaqiri, Valon Berhami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi
Romë, 11 shtator 2012 – Aventura e Kombëtares së drejtuar nga De Biasi ka filluar më 7 shtator, kur në fushën e Qemal Stafës në Tiranë u luajt ndeshja e parë e Grupit E të kualifikueseve të Botërorit Brazil 2014, ajo ndaj Qipros, që edhe pse u dha kuqezinjve tri pikët (fituan me rezultatin 3-1), nuk tregoi nivel loje të kënaqshëm.
Ajo e sotmja në stadiumin “Swisspoarena” të Luçernës kundër përfaqësueses zvicerane është ndeshja që konsiderohet më intesante, më “e nxehtë”. Kjo ndeshje mbingarkohet me emocione, edhe për faktin se kundër Shqipërisë mund të luajnë pesë futbollistë shqiptarë të rreshtuar në radhët e kombëtares zvicerane: Xherdan Shaqiri, Valon Berhami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi.
Këta futbollistë rregullisht janë në listën e Ottmar Hitcfeldit, i cili madje i cilëson si pjesë e rëndësishme e kombëtares së tij. Ndërkaq në Shqipëri nuk mungojnë zërat që veçanërisht këto ditët e fundit i quajnë padrejtësisht ata tradhtarë të kombit.
Kapiteni i përfaqësueses së kuqezi, Lorik Cana, edhe pse mendërisht e ka “të vështirë ta pranojë zgjedhjen e tyre”, është shprehur se skuadra shqiptare duhet ta trajtojë Zvicrën si çdo ekip tjetër kundërshtar, edhe pse në radhët e saj do të jenë pesë lojtarë shqiptarë. “Mua më intereson pak, ose aspak, ajo që ndodh te Zvicra. Edhe pse aty ka lojtarë nga Kosova, kur t’i kemi përballë do t’i trajtojmë si kundërshtarë dhe kaq”, ka deklaruar për mediat në Shqipëri mesfushori i Lazios.
Sipas mediave shqiptare edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka akuzuar futbollistin shqiptar të Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhakën, duke thënë se Xhakës duhet t’i vijë turp që mendon të shënojë gol kundër Shqipërisë. Duka ka akuzuar edhe futbollistët e tjerë shqiptarë të Zvicrës, duke i cilësuar ata vetëm si “shqipfolës”. “Nuk dua të komentoj një deklaratë të tillë”, ka thënë Xhaka lidhur me deklaratën e Dukës. Ndërkaq ka shtuar se dëshiron fitore ndaj Shqipërisë. “Objektivi ynë është i qartë, kualifikim në Botëror. Fitorja ndaj Sllovenisë ishte hapi i parë, kurse të martën do të mundohemi të bëjmë hapin e dytë ndaj Shqipërisë. Edhe pse luajmë në fushën tonë, për ne do të jetë sikur të luajmë si mysafir, sepse stadiumi do të jetë plot me tifozë shqiptarë. E dimë që do të jetë shumë e vështirë, por duhet të japim maksimumin për të fituar”.
Në fakt në stadiumin e Luçernës me 16.800 vende, tifozët shqiptarë do të jenë të shumtë. Përveç grupimit “Tifozët Kuqezi”, në shkallët e stadiumit do të bëjnë tifozllëk për Shqipërinë edhe mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë në Zvicër, Gjermani, Itali, Francë.