Çfarë kanë të përbashkët bunkerët me kapelat? Veç formës, i bashkon emri i Anila Rubikut, artistes shqiptare që vjet çoi të parët në Venecia, ndërsa këtë vit ka krijuar një koleksion të kapelave për firmën italiane të modës, Borsalino, për vjeshtën e dimrin 2012/2013.
Anila ka lindur në Durrës e prej viteve ’90 jeton në Milano ku erdhi për studime. Ajo tregon se edhe si studente nuk e kishte të lehtë t’i shpëtonte opinionit të krijuar nga mediat mbi shqiptarin, dhe se vuajti sa çdo bashkatdhetar i saj paragjykimet e racizmin: “Sapo ndizje televizorin dëgjoje vetëm lajme mbi shqiptarët: prostitucion, drogë, emigrantë. Kur më pyesnin se nga vija e kur tregoja kombësinë time isha e lidhur menjëherë me këtë imazh… “ tregon ajo sot.
Studimet e para i ka bërë në Durrës, ndërsa në Milano ka ndjekur Akademinë e Brerës. Sot është artiste e afirmuar që ekspozon në të katër anët e botës: Angli, ShBA, Izrael, Zvicër, Ukrainë. Kur e pyet se ç’ndihet sot të thotë natyrshëm se nuk i pëlqejnë kufizimet gjeografike, ndaj edhe projekti që paraqiti vjet në Venecia kishte për titull “Është më mirë të jesh qytetar i botës sesa vetëm i një kombi”. Por megjithatë mbetet shumë e lidhur me Shqipërinë e veçanërisht me gjuhën shqipe: në një nga instalacionet e saj shkruan “Personi që mohon gjuhën e tij për të adoptuar një tjetër, ndërron identitet e zhgënjime”. Ndjek jetën artistike në Shqipëri, dhe shpreh keqardhje për mungesën e një koleksioni privat me vepra të artistëve bashkëkohore apo një fondacion privat për artin bashkëkohor. “Nëse një vepër arti si piktura, instalacioni e të tjera mjete ekspozimi bëhen vetëm për kënaqësinë tonë private atëherë arti ynë mbetet vetëm një hobby”.
Bota Shqiptare: Së fundi keni nisur një bashkëpunim me Borsalino për koleksionin e ardhshëm vjeshtë/dimër 2012/2013. Si lindi bashkëpunimi?
Anila Rubiku: Ky projekt lindi pas një eksperience pozitive për të dyja palët si për mua si artiste ashtu edhe për Fondacionin Borsalino në Pavijonin Shqiptar në rastin e Biennales së 54-rt të Venecias që u zhvillua në qershor-nëntor 2011. Unë paraqita instalacionin e ri “Hats Protect Ideas” të përbërë nga 62 kapela.
Borsalino S.P.A më kontaktoi për të bërë një Capsule Collection Uomo 2012/2013 të titulluar “Borsalino dà i numeri” i cili u paraqit në janar tek Pitti Uomo 2012 në Firence, një ndër aktivitet ndërkombëtare më të rëndësishme të modës. Për herë të parë unë krijova një linjë mode.
Ky projekt mbart jo vetëm vlerat e një marke ‘Made in Italy’ siç është Borsalino – një markë historike italiane por edhe të tjera si p.sh: artin bashkëkohor, kulturën e historinë time si artiste.
Këto vitet e fundit arti dhe moda janë të lidhur gjithnjë e më tepër. Kufiri që i ndan është shumë i hollë e shpesh njëra ndikon tjetrën. Gjatë gjithë realizimit të projektit më kujtoheshin momente të të kaluarës si për shembull kur durrsakët e vjetër kur dilnin të dielave në mëngjes nga Vollga thoshin “ai zotëria atje me Borsalinën në kokë”. E për një Durrsak një Borsalinë është një Borsalino e jo çfarëdolloj kapele.
Çfarë përfaqëson kapela për ju? E keni pasur temën tuaj edhe vjet në Bienalen e Venecias.
Historikisht në cilindo besim fetar, kulturë, gjini, vend, të varfër apo të pasur, koka është e mbledhur/mbuluar.
Po shpjegohem më mirë: kur i lutesh Zotit, në shenjë respekti ndaj tij, në kishë, xhami apo sinagogë funksionon i njëjti rregull: koka duhet të jetë e mbuluar, me një kapelë, shami, qeleshe, kippah, Një mbret, mbretëreshë, fshatar, qytetar apo malësor historikisht gjithmonë kanë pasur një kapelë apo kurorë në kokë. Shpesh kapela ka qenë një objekt për të dalluar klasën, fenë apo kulturën të cilës i përket një person.
Sot kapela si objekt ka vlera të tjera që janë shtuar me kohën. Jemi në 2012-tën, por nuk ka humbur kurrë cilësinë për të cilën ka lindur: “të mbrojë kokën” nga shiu, era, i ftohti, i nxehti, por edhe të mbrojë idetë që janë brenda një koke: “Hats Protect Ideas” siç quhej edhe instalacioni im i paraqitur në Venecia.
Në instalacionin e Biennales së Venecias keni çuar 62 kapela burrash mbi të cilat gra të huaja me banim në Itali kanë qëndisur secila një frazë. Cili është filli që lidh ato shprehje, ç’keni gjetur të përbashkët e të veçantë?
Ftova disa gra që kanë emigruar e jetojnë në Europë, të merrnin pjesë ne projektin tim të Biennale-s duke qëndisur historinë e tyre personale të emigrimit mbi 62 kapelat e prezantuara. ‘Një fije e një gjilpërë’ që lidhi këto gra ishin problemet e tyre të emigrimit duke jetuar në vende të ndryshme. Një histori e treguar pikërisht nëpërmjet një fijeje e një gjilpëre.
Pse në njërën prej kapelave tuaja keni zgjedhur të shkruani:
“Everybody I met in those years asked me if I came with a boat like all the Albanians arrived in Italy.
My only fault was being in Italy. It was OK for me to become a prostitute but not an Artist.”
Po kjo frazë është qëndisur mbi një nga 62 kapelat. Flasim për vitet 90. Emigracioni shqiptar në Itali ishte një fenomen i jashtëzakonshëm. Situata nuk ishte e lehtë për një shqiptare studente si unë në ato vite në Milano. Sapo ndizje televizorin dëgjoje vetëm lajme mbi shqiptarët: prostitucion, drogë, emigrantë. Kur më pyesnin se nga vija e kur tregoja kombësinë time isha e lidhur menjëherë me këtë imazh… por koha është ilaç për të gjitha gjërat.
Në instalacionin tuaj me titull “Lanscape Legacy” 2012 keni kaluar nga kapelat tek … bunkerët. Në formë shumë të ngjashme, edhe pse si objekte përfaqësojnë dy botë shumë të largëta mes tyre. Çfarë mendoni se përfaqësojnë bunkerët tuaj në miniaturë për një artdashës jo shqiptar?
Janë që të dyja të rrumbullakëta e të ngjashme si forma por jo në vlerat që ato sjellin e simbolizojnë. Një kapelë Borsalino mbart në vete vlera të mrekullueshme që lindën në 1856-tën në Alessandria dhe vishet me krenari.
Një bunker shqiptar është një objekt tipik i një arkitekture lufte. Për më tepër, një bunker i rrumbullakët si ata që gjenden në Shqipëri është një objekt tipik i arkitekturës shqiptare gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Në Shqipëri nga ana arkitektonike nuk ka shumë objekte që përfaqësojnë atë periudhë përveç pallateve 5 katëshe.
Por Bunkeri dhe Mentaliteti i Bunkerit që përfaqëson më mirë se gjithçka atë periudhë historike, politike dhe gjeografike. E çuditshme por e vërtetë. Ky projekt “Lanscape Legacy” i bunkerëve shqiptarë u paraqit për herë të parë në Ukrainë (Ish vend i bllokut sovjetik) e kishte edhe një arsye pse të paraqitej atje. Ky lloj mentaliteti nuk ndryshon kollaj. Vazhdon e trashëgohet edhe në vlerat e politikanëve të Shqipërisë sot. Është një trashëgim i një peizazhi shqiptar i së djeshmes e të sotmes.
Në punët tuaja ndihet një traditë e rrënjosur e endjes, thurjes dhe qëndisjes. Kush ju ka mësuar të qëndisni?
Në familjen time të gjithë dinë të qëndisin me dorë e me makinë qepëse. Është një vlerë e traditë familjare që trashëgohet prej shumë brezave. “I kemi duart flori” them unë.
Keni studiuar në Shqipëri e në Itali. Si e vlerësoni shkollën shqiptare? E artistët e tjerë shqiptarë në Itali?
Një ndër momentet e rëndësishme të formimit tim si artiste janë bazat e 4 vjetëve të studimit në Liceun e Durrësit. Nuk ishte vetëm piktura apo skulptura, ishte e gjithë atmosfera e studimit. Dashuria për artin në të gjitha fushat nga viola tek pianoja, violina e kantoja. Një pjesë e mirë e artistëve durrsakë si Gavril Priftuli, Nikolet Vasija, Nelo Lukaci kanë lënë gjurmë të rëndësishme në formimin tim si artiste.
Shqipëria është një vend shumë i vogël, e megjithatë janë të shumtë artistët e personazhet kreativë që po njihen nëpër botë. Ka ardhur koha të njihemi për gjëra të mira, pozitive e kreative sepse për të këqijat jemi goxha të njohur.
Veprat tuaja gjenden përveçse në Itali edhe në Angli, ShBA, Izrael, Zvicër. Keni hapur ekspozita personale e keni marrë pjesë në ato kolektive në Europë e Amerikë. Ndiheni më shumë përfaqësuese e artit shqiptar apo italian. Apo këto kufizime bien në art? Sa ndihet Shqipëria dhe dyzimi i emigrantit në veprën tuaj?
Nuk më pëlqejnë kufijtë në përgjithësi, ato kufizojnë edhe mendimet.
Projekti që paraqita në Biennalen e Venecias ishte pikërisht mbi këtë temë. “Është më mirë të jesh qytetar i botës sesa vetëm i një kombi”, kështu e mendoj unë.
Në punët tuaja, që nga kapelat, tek shtëpizat në miniature të qëndisura e të ndriçuara nga brenda deri dhe tek bunkerët e fundit, ndihet një lloj poezie intime me emërues të përbashkët mbulesën, mbrojtjen, nevojën për të qenë i sigurt. Është ndoshta pasqyrim i ndjesisë së çdo njeriu që jeton larg vendit të vet apo thjesht një rastësi?
Varet nga këndvështrimi, për ju është mbrojtje, për mua është rrëfim. Është mirë që punët të kenë këndvështrime e interpretime të ndryshme. I lë spektatorit mundësinë e leximit.
E sot marrëdhëniet tuaja me Shqipërinë? E ndiqni artin në Shqipëri?
Kanë qenë e janë shumë të mira. E ndjek artin shqiptar e uroj të jenë më tepër mundësitë për artistët shqiptarë e brezat e rinj në Shqipëri e jashtë saj, në mënyrë që të krahasohen e të ekspozojnë më tepër. Në Shqipëri nuk ka asnjë koleksion privat me vepra të artistëve bashkëkohore apo një fondacion privat për artin bashkëkohor. Ne bëjmë punë që duhen ekspozuar. Puna duhet të shikohet, të kritikohet e të krahasohet nga të tjerët. Nëse një vepër arti si piktura, instalacioni e të tjera mjete ekspozimi bëhen vetëm për kënaqësinë tonë private atëherë arti ynë mbetet vetëm një hobby.
A keni ndier ndonjëherë vështirësitë, pengesat, diskriminimin në jetën e përditshme?
Në të vërtetë unë nuk kam qenë kurrë “emigrante” në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Erdha në Itali, në Milano, për të studiuar në Akademinë e Brera-s. E megjithatë në mënyrë absurde provova në kurrizin tim të gjitha problemet e emigracionit për të vetmin fakt sepse isha në Itali në vitet ‘90 në momentin më kritik për shumë shtetas shqiptarë që ndodheshin në Itali.
Po, kam ndier të gjitha vështirësitë e diskriminim në jetën e përditshme sikur të isha një emigrante edhe pse në të vërtetë isha studente por me kombësi shqiptare.
Duket se jeni shumë e lidhur me gjuhën shqipe, keni një dashuri të madhe për të. Një mesazh i juaji “The person who disowns his own language in order to adopt a different one, changes identity and disillusions” (personi që mohon gjuhën e tij për të adoptuar një tjetër, ndërron identitet e zhgënjime), është shkruar nga germa të vendosura në varëse rrobash ku ndodhen të varura pantallona burrash.
E vërtetë. Një ndër pasuritë e pakta që unë kam është gjuha shqipe. Janë shumë pak vetë që flasin shqip në botë. Është një gjuhë shumë e vështirë. Pasi mëson të flasësh në shqip është shumë më e lehtë të mësosh gjuhët e tjera të huaja.
Po të ktheheshit mbrapsht, do të zgjidhnit gjithnjë Italinë?
Jo, do të më pëlqente të nisja një tjetër eksperience, në një vend e kulturë që nuk e njoh. Një vend ku femra ka më shumë hapësirë e rol në shoqëri, e vlera të tjera. Një vend ku të jesh ndryshe është një plus dhe jo një minus.
Keti Biçoku
{gallery}anila-rubiku{/gallery}