in

Italia vend tërmetesh

Italia është zonë sizmike. Prej shekujsh goditje të rënda kanë shembur brenda pak sekondash qindra vite qytetërimi.  Vetëm gjatë shekullit të kaluar janë me dhjetëra tërmetët që kanë lënë pas rrënoja dhe kobe. I fundit ai që goditi Abruzzon, plot një vit më parë, më 6 prill 2009

Nga Massimo Canario

Italia është zonë sizmike. Shekullin e kaluar pati disa tërmete kobi i të cilave është vështirë të imagjinohet. Në orën 5.21 të 28 dhjetorit 1908 Messina dhe Reggio Calabria u përfshinë nga një tërmet jashtëzakonisht i fortë, 7,1 ballë i shkallës Richetr. Toka u lëkund për 37 sekonda të pafund duke lënë pas vdekje e shkatërrim. Qyteti sicilian u fshi praktikisht nga faqja e dheut: 90% e banesave ranë; nga 140 mijë banorët humbën jetën 80 mijë prej tyre.

Nuk shkoi më mirë në Reggio Calabria: qyteti i rrënuar; një e treta e banorëve të vdekur: 15 mijë banorë në 45 mijë.

Viktimave të lëkundjeve të tokës u duken shtuar edhe ato të cunamit që pasoi: tre valë vërshuan në brigjet e qyteteve duke shtuar tjetër vdekje e shkatërrim. Bilanci qe i tmerrshëm: të vdekurit ishin më shumë se 130 mijë. Vizituesit e parë ishin të tronditur. Deputeti socialist Pietro Mancini, që mbërriti në Reggio nga Consenza, për të shpënë ndihmën e tij, deklaroi: “Përshkrimet e gazetave të Reggios dhe përreth tregojnë më pak se e vërteta. Nuk ka fjalë, sado e tepruar, që të mund ta përshkruajë. Duhet parë me sy. Imagjinoni gjithçka që mund t’ju duket më e trishtueshme e më e tmerrshme. Imagjinonin një qytet të shembur plotësisht, njerëz të çoroditur që enden rrugëve, kufoma në dekompozim e sipër në çdo cep, dhe përsëri nuk mjafton për të imagjinuar si është katandisur Reggio sot, qyteti i bukur i dikurshëm”.

Ndihmat e parë për popullatën u dhanë nga anijet ruse dhe angleze që po kalonin rastësiht nga ato anë. Ndihmat italiane u vonuan dhe nuk munguan polemikat. Po të lexohen sërish disa artikuj gazetash të asaj kohe, çudit fakti se sa të ngjashme janë me ato që do të shkruhet edhe në raste të tjera në vitet e ardhshme: “Tashmë nuk ka dyshim se, në Reggio po të kishin mbërritur ndihma të shpejta, tani nuk do të kishte gjithë këto viktima”.

Kritikoheshin masat financiare të marra me atë rast, veçanërisht rritja e taksave; u akuzuan komandat ushtarake për drejtim të keq të ndihmave; marina italiane u akuzua në të vërtetë jo edhe aq me forcë, se u tregua më pak reaguese e më pak e aftë se ajo ruse, angleze, franceze apo gjermane. Gazeta e Sicilisë hodhi akuza të hapura për mënyrën se si u shpërndanë ndihmat.

Ata që venë sot në Messina duke kaluar nga Campania, pasi dalin nga porti ndeshin menjëherë një barakopol disi anormale. Shtëpi amianti të mbuluara me antena parabolike. Janë ato që u ndërtuan pas tërmetit në fillim të shekullit të kaluar, dhe që përzihen me ato të ndërtuara pas luftës. Nuk është e denjë për një vend të qytetëruar të gjendesh përpara shfaqjeve të tilla.

Shtatë vjet më vonë toka filloi të lëkundej dhunshëm në Marsica: në 7.30 të 13 janarit të 1915 një lëkundje prej shtatë ballësh të shkallës Richter shkatërroi Avezzanon dhe gjithë territorin përreth; në qytezën abruceze mbeti vetëm një shtëpi dhe nga 11 mijë banorët mbijetuan vetëm 300. Të njëjtin fat pësoi edhe Sora, në Lazio, ku të vdekurit qenë pothuaj tremijë.

Mospërgatitjes së shtetit për të përballuar këtë emergjencë i duhet shtuar edhe fakti se prej disa muajsh kishte shpërthyer lufta e parë botërore dhe edhe pse Italia hyri pesë muaj më pas, ushtria ishte në gjendje alarmi, dhe nuk mund të angazhohej plotësisht në katastrofën e shkaktuar nga tërmeti. Sapo kishte kaluar mesnata e 23 korrikut të 1930, kur një lëkundje prej 6.7 ballësh Richter, përfshiu territorin e Vultures, ndërmjet Campania-s, Puglias dhe Basilicatës. I rënduar nga cilësia e dobët e materialeve të përdorura për ndërtimet dhe nga natyra argjilore e terrenit, tërmeti shkaktoi më shumë se njëmijë viktima.

Që nga ajo kohë dukej se tërmetet kishin vendosur të linin të qetë Italinë: deri në 1968 kishte pasur lëkundje, edhe të forta por nuk numëroheshin viktima.

Natën ndërmjet 14 dhe 15 janarit 1968 toka filloi të dridhej në Sicili. Tërmeti i Belices, në pjesën perëndimore të ishullit, mbeti në kujtesën e ishullit duke u shndërruar në diçka paradigmatike. Shpesh herë në dhjetëvjeçarët në vijim, është përdorur shprehja “të mos bëjmë si në Belice”. Me një magnitud 6.4 ballë të shkallës Richter, tërmeti rrënoi fshatra të ndryshme përreth Trapanit, Agrigentos, si Gibellinën, Salaparutën, Salemin, Santa Margheritën, e Belices, dhe Menfin, duke shkaktuar 370 viktima.

Ajo që u shfaq hapur nga ai tërmet ishte gjendja e prapambetjes së plotë në të cilën jetonte popullata e dëmtuar: shtëpi të rrënuara të ndërtuara me tufo, që u shembën si të ishin prej rëre; fshatra të banuar vetëm nga gra, pleq, e fëmijë. Një gjendje e keqe shoqërore që shteti nuk mund të njihte dhe që me dashje kishte lënë pas dore.

Ajo që e bën tërmetin e Belices edhe më të famshëm për keq ishte rindërtimi: vepra pa kuptim dhe gjigante, shpesh pas asnjë lloj lidhjeje me territorin, u parapëlqyen përpara projekteve më të dobishme: linja hekurudhore që lidhte fshatrat e goditur nga tërmeti nuk u ndërtua më kurrë, siç u vonua edhe sistemimi i rrugëve të zakonshme. Nga ana tjetër u financua autostrada që lidh Palermon me Mazara del Vallon, e mbiquajtur, në vitet e ardhshme, autostrada e shkretëtirës.

Në orën 21.06 të 6 majit 1976 ndodhi tërmetit i vetëm i rëndë në Italinë veriore në shekullin e kaluar. Epiqendra u regjistrua në Udine, por lëkundjet u ndjenë në gjithë veriun e Italisë dhe Slloveninë fqinje. Në ditët vijuese lëkundjet e stabilizimit i kalonin 9 ballët e shkallës Mercalli, dhe në fund u numëruan rreth një mijë viktima.

Ndryshe nga sa ndodhi më parë në Sicili, në Friuli rindërtimi që i shpejtë dhe efikas. Në shtator të pastrehët u sistemuan në parafabrikate dhe për dhjetë vjet fshatra të tëra u rindërtuan.

Viti 1980 ishte për Italinë një vit tragjedish të mëdha: 28 qershor rënia e një avioni të linjës në qiellin e Ustikës shkaktoi vdekjen e 81 vetave. Pak më shumë se një muaj më pas, në 2 gusht një bombë shpërtheu në stacionin e Bolonjës: viktimat qenë 85.

Në 23 nëntor, pak pas 19.30 toka u lëkund për 90 sekonda të pafund, në Campania dhe në Bazilikatë. Tërmeti i Irpinias siç mbeti në kujtesë, ishte tragjedia më e rëndë që i kishte rënë Italisë pas mbarimit të luftës së dytë botërore: fshatra të tëra u fshinë nga faqja e dheut: Lioni, Sant’Angelo dei Lombardi, Laviano sa për të cituar disa. Shembje dhe vdekje pati edhe në kryeqendrat e provincave si në Avellino, Salerno, dhe Potenza. Në Napoli u dëmtuan disa pallate dhe gjatë rënies së njërit prej tyre humbën jetën 52 njerëz. Paaftësia e shtetit arriti nivele të papara. Shumë fshatra u mbërritën nga ndihmësit vetëm pas 4-5 ditësh, dhe vonesa e çorganizimi bën që numri i viktimave të rritej deri në pothuaj tremijë.

Presidenti i republikës Sandro Pertini, mbërriti në Irpinia tre ditë pas tërmetit dhe mbeti i shtangur. Ishte politikani i parë që i vizitoi dhe priti e trumbetoi akuzat e njerëzve fatkeqe. Pasi u kthye në Romë gjatë një interviste në TG denoncoi punën e qeverisë: “Pati mungesa shumë të rënda, nuk ka dyshim. Dhe kështu ata që nuk kanë respektuar duhet të dënohen. Pyes veten nëse këto qendra të ndihmës së shpejti janë krijuar përse nuk pati ndihmë të shpejtë siç duhej të kishte qenë. Akoma mes rrënojave dëgjoheshin rënkime dhe ulërima dëshpërimi të të varrosurve të gjallë. Nuk duhet të përsëritet më ajo që ndodhi në Belice”.

Por për fat të keq kujtimi Belices do të zbehej krahasuar me sa ndodhi në Irpinia në 1980: skandali i rindërtimit arriti nivele të një cinizmi të paimagjinueshëm. U spekulua mbi një nga tragjeditë më të mëdha të shekullit të kaluar. U arrit deri aty sa që u ndryshua numri i komunave të goditura nga tërmeti për të marrë para për rindërtim.

Tërmet tjetër i rëndë ishte ai që goditi Umbrian dhe Market, ndërmjet shtatorit dhe tetori të 1997. Pati 11 të vdekur dhe të shumta ishin dëmet në pasuri artistike në atë zonë.

I fundit në kohë, tërmeti që tronditi Krahinën e Abruzzos, mëngjesin e së hënës së 6 prillit 2009, por edhe gjatë ditëve në vazhdim, shkaktoi 308 viktima, 20 prej të cilave fëmijë dhe rreth 1500 të lënduar. Mes viktimave, edhe një vajzë shqiptare 4 vjeçare, E. Boshti, që banonte me prindërit në zonën Paganica, dhe katër qytetarë maqedonas që, duke gjykuar nga mbiemrat, janë shqiptarë: Refik Hasani, 44 vjeç, Valbona Osmani, 13 vjeç, Alejna Zejnulla, 11 vjeç dhe Nurie Abdiu, 41 vjeç.

Ajo që duhet theksuar është se siç thonë disa gazeta lëkundje shumë më të mëdha se sa ato që shkatërruan Abruzzon, në Japoni nuk përfundojnë as si lajm gazete. Pra është e paimagjinueshme që një spital i ndërtuar para dhjetë vjetësh në një zonë me sizmicitet të lartë të shembet sikur të ishte prej letre. Këtej e tutje, le të ndërtohen sipas ligjit shkollat, spitalet, banesat, vendet e punës dhe të argëtimit, duke nisur pikërisht nga ato zona ku të gjitha studimet thonë se mund të ketë sërish lëkundje të reja tragjike. Vetëm kështu mund të tregohet se më në fund e kemi kuptuar mësimin gjithë tërmetet e kaluara na kanë dhënë gjithë këto vite.

Punësim në shtet edhe për familjarët e qytetarëve të BE-së

Sikur të mos kishte qenë 7 prilli…