Një grup aktivistësh të Aleancës Kuqezi kanë pritur me një pankartë të madhe ku shkruhej “Sali Berisha për tradhti, burgim të përjetshëm” hyrjen e delegacionit të kryeministrit shqiptar Sali Berisha në një nga vilat qeveritare ku ai po drekon bashkë me krerë të tjerë qeverish të ftuar të kryeministrit italian Monti.
Arsye e protestës është takimi i mundshëm i Berishës me Samaras-in: “Po i fal detin Grekut” thonë aktivistët.
Berisha është në Romë për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Internacionales së Demokratëve të Qendrës, që zhvillohet sot. Në këtë takim, i cili drejtohet nga Presidenti i Internacionales së Demokratëve të Qendrës, Pier Ferdinando Casini, marrin pjesë liderë politikë nga vendet anëtare, ndër të cilët kryeministrat e Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë.
Berisha e kryeministrat e tjerë janë ftuar për drekë nga kryeministri italian Monti në vilën Pamphili. E pikërisht para hyrjes së kësaj vile protestuan të rinjtë e Aleancës Kuqezi duke shpalosur disa pankarta, mes të cilave veç “Sali Berisha për tradhti, burgim të përjetshëm” edhe të tjera si “Albanian’s future is not 4 sale” apo “Jemi nipërit e Gjergjit. Ti ke zgjedhur rrugën e Hamzait, kujto që nuk shkoi larg!”.
Veç vëmendjes së Berishës që i përshëndeti me dorë nga makina, të rinjtë e Aleancës Kuqezi tërhoqën edhe vëmendjen e mediave të huaja e të kalimtarëve.
Shqiptari i Italisë