Pas tre vjetësh nga kërkesa, Tirana i ka bërë detyrat e saj më parësore
Romë, 24 shtator 2012 – Shqipëria së shpejti mund të jetë shteti i ardhshëm ballkanik me statusin e vendit kandidat. Është kjo sipas agjencisë ANSA çka përmban një dokument i Komisionit europian mbi të cilin do të përgatitet raporti për zgjerimin e BE-së që do të bëhet publik më 10 tetor.
Sipas Komisionit europian dialogu mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri ka mundësuar “kapërcimin e ngërçit politik dhe miratimin e reformave elektorale dhe parlamentare”. Tirana, pohohet në dokument, ka kryer “punën thelbësore” lidhur me përparësitë kyçe të përcaktuara nga vetë Komisioni eropian për marrjen e statusit të Vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të aderimit.
Pas tre vjetëve të mosdhënies së këtij statusi (nga prilli 2009 kur Shqipëria paraqiti zyrtarisht kërkesën) Shqipëria duket se më në fund është gati të kalojë provimin e Brukselit duke fituar më 10 tetor mendimin pozitiv të Komisionit europian, që nuk është tjetër veçse një rekomandim që do të shkojë drejt e në tavolinën e Këshillit të BE-së që do të mbahet në dhjetor në të cilin do të jenë shtetet anëtare që do të marrin vendimin. Në rast se do të vendosin pro njohjes së statusit, atëherë Shqipëria do të bëhet vendi i pestë i Ballkanit perëndimor kandidat për t’u futur në Bashkimin Europian, pas Kroacisë (që do të hyjë në Europë korrikun e ardhshëm), Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.këtyre u shtohen vendet e tjera kandidate si Turqia dhe Islanda, ndërsa mbeten në sallën e pritjes Bosnja dhe Kosova.