Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, dy medalje për Kosovën, shtetin që ende nuk njihet nga federatat ndërkombëtare sportive
Me gjithë paraqitjen zhgënjyese në lojërat olimpike “Londër 2012”, Majlinda Kelmendi ka ditur të tregojë se është mes xhudistëve më të mirë të globit. E ka bërë edhe në Kampionatin Botëror të Xhudos, të zhvilluar në Romë, ku më 30 shtator u shpall nënkampione e botës. Shqiptarja nga Kosova arriti në mënyrë të mrekullueshme deri në finale, për peshat deri në 52 kg dhe vetëm aty u mposht nga atletja italiane Elena Moretti që u shpall kampione e botës. Kelmendi, 21-vjeçare, është prej vitesh një xhudiste e nivelit të lartë. Ka fituar titullin botëror për të reja në vitin 2009 në Paris, dhe ka dalë e 9-ta në botërorin për të rritur në vitin 2010 në Tokio.
Bashkë me Kelmendin, në Botërorin e Romës mori pjesë edhe kosovarja tjetër Nora Gjakova, e cila ka marrë medalje bronzi në peshat deri në 57 kg.
Kjo është herë e parë që Kosova (edhe pse dy atletet nuk kanë përfaqësuar shtetin e tyre në botëror) merr dy medalje në Kampionatin e Botëror të Xhudos. Kelmendi ishte në Lojërat Olimpike në Londër me flamurin e Shqipërisë, por këtë herë të dyja vajzat morën pjesë nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Gjithsesi, paraqitja shumë e mirë e dy sportisteve shqiptare nga Kosova rrit imazhin e shtetit të tyre të ri dhe shtron rrugën për një njohje të tij nga federatat ndërkombëtare dhe nga Komiteti Olimpik.