Është protesta e veçantë e një 42 vjeçareje shqiptare rezidente në Chiavari të provincës së Genovës. Pas bllokimit të mjeteve të punës të kafenesë së saj, vendosi t’ia nxjerrë inatin vitrinës së Agjencisë lokale të tatim taksave
Pesë fotografi që tregojnë një Fiat 500 të bardhë kundër vitrinës së agjencisë së tatim taksave janë botuar më 16 tetor on line në profilin Facebook të gazetës lokale “Il Chiavarese” janë dëshmia e një proteste të veçantë. Një grua 42 vjeçe, shqiptare rezidente në Chiavari ku administron një kafene, e dëshpërurar për bllokimin administrativ të mjeteve të punës ia ka nxjerrë inatin hyrjes së agjencisë: është përplasur aty me fiatin e saj dhe ka thyer krejt xhamllëkun.
Në atë çast në zyrë kishte gjashtë punonjës dhe asnjëri prej tyre nuk ka pësuar asgjë. Edhe gruaja që ka kryer gjestin ekstrem është shoqëruar fillimisht në spital në repartin e ndihmës së shpejtë e më pas është çuar në komisariat ku është paditur për dëmtim pronë në rrethana rënduese.
Në profilin facebook ku janë botuar fotot e makinës në hyrje të agjencisë, janë me dhjetëra komentet, thuajse të gjitha në favor të gruas. Të kuptueshme (edhe pse ligjërisht të papranueshme) në një çast krize të thellë si ky i sotmi komentet me humor (si “Do t’i kenë sekuestruar makinën dhe ua ka sjellë”) që arrijnë deri në shprehje populizmi të tepruar (si “Të shkojmë të gjithë përpara komisariatit, që t’u tregojmë si e mendojmë. E pse jo të mbledhim ndonjë euro për zonjën që me siguri do të ketë nevojë”).
Nuk mund të jemi dakord me komentet, por gjithsesi siç shprehet L. Chiale “më mirë një lajm si ky që, sinqerisht, më bën të vë buzën në gaz, se të lexoj për një vetëvrasje”.