in

Një pjesë e mirë e imigrantëve preferon të djathtën

60% e imigrantëve do të merrte pjesë në zgjedhje dhe 30% do të votonte qendrën e djathtë, me gjithë politikat për imigracionin të vëna në jetë nga kjo mazhorancë, ku fryma legiste ka bërë ligjin. Po shqiptarët për kë do të votonin, po t’u jepej mundësia? Nëse dëshironi të shprehni se kë do të zgjidhnit po t’ju jepej kjo e drejtë në Itali, mund të lini komentin tuaj nën këtë artikull

Roma, 4 maj 2010 – Në një takim të mbajtur sot në një nga ambientet e Dhomës së Deputetëve, ISMU/universiteti i Milanos Bicocca kanë paraqitur raportin e fundit “Qytetarët e rinj të Qendrës së Djathtë – realitet gjithnjë e më në pah”.

Nga studimet e dyvjeçarit 2008-2009, del në dritë një kuadër i papritur mbi rezultatet e pjesëmarrjes së hipotizuar të imigrantëve në zgjedhjet e tyre elektorale. Dy ishin pyetjet që u janë drejtuar nëntë mijë imigrantëve, përfaqësues të popullatës së huaj me moshë mbi 14 vjeç me prejardhje nga vendet me fluks më të fuqishëm migrator dhe të pranishëm në territorin e Lombardisë: “Po të votohej këtë të diel për zgjedhjet politike, dhe të kishit të drejtën e votës, do të shkonit të votonit?” dhe pyetja tjetër “Në një shkallë nga 0 në 10, ku 0 do të thotë e majtë dhe 10 e djathtë, ku do ta vendosnit veten tuaj?”.

Në vitin 2009, 59% e të intervistuarve ka deklaruar se është i interesuar të votojë, pra i është përgjigjur “Po” pyetjes së parë. “Gatishmëria” për të votuar duket se varet nga vjetërsia e qëndrimit të të huajve në Itali, ashtu siç është e natyrshme, sa më gjatë jetojnë këtu, aq më shumë duan të marrin pjesë edhe në jetën politike italiane. Kështu, nga ata që jetojnë në Itali prej mëse 10 vjetësh, janë të interesuar për zgjedhjet 71,3%, ndërsa nga ata që jetojnë në Itali prej, maksimumi, dy vjetësh, vetëm 47,3% tregojnë interes për zgjedhjet.

Për sa i përket pyetjes së dytë, të dhënat e vitit 2009 dëshmojnë që në përgjithësi mbizotëron një pozicionim majtas: mes të intervistuarve të interesuar për të votuar, 42,1% janë padyshim të orientuar majtas, me përgjigje që shkojnë nga 0 në 3, 28,8% janë djathtas, me përgjigje nga 7 në 10. Ndërsa të tjerët, që kanë votuar 4, 5 dhe 6, konsiderohen jo qartësisht të orientuar. Orientimi majtës është më theksuar mes të huajve me qëndrim të parregullt (190 deklarohen majtas për çdo 100 që deklarohen djathtas), mes atyre që nuk kanë diplomë (209 për çdo 100), mes të papunëve (167 për çdo 100) dhe mes studentëve që punojnë (292 për çdo 100). Ndërsa djathtas orientohen më shumë sipërmarrësit (145 deklarohen djathtas për çdo 100 që deklarohen majtas) dhe ata që fitojnë mbi 2.500 euro në muaj. Për ata që jetojnë në Itali prej më shumë se dhjetë vjetëve, raporti mes zgjedhësve të mundshëm të majtë me ata të djathtë është 2 me 1, përfshirë edhe grupin e të ardhurve nga Europa lindore.

Edhe pse jemi të bindur që rruga më e mirë e më e saktë për të ditur ç’duan të votojnë të huajt mbetet njohja e të drejtës së votës edhe për ta, nuk i shpëtojmë dot kureshtisë për të krijuar një ide sado të vagët edhe mbi prirjet e shqiptarëve. Për kë do të votonin? Në zgjedhjet e fundit ka pasur nga ata që kanë hedhur kandidaturën me grupimin e djathtë, jo vetëm me PdL por edhe me Legën, por edhe nga ata që militojnë majtas. Nëse dëshironi të shprehni se për kë do të votonit po t’ju jepej kjo e drejtë në Itali, mund të lini komentin tuaj nën këtë artikull.

Qeveria: i pamundur legalizimi i të dënuarve për mos-respektim të dëbimit

Fini në Tiranë për të diskutuar mbi temën e imigracionit