Por premtojnë se do të gjejnë forma të tjera proteste për përmbushjen e kërkesave të tyre
Tiranë, 22 tetor 2012 – Sot ish të burgosurit politikë i dhanë fund grevës së tyre që bënin prej 31 ditësh, por njoftuan se do të vijojnë të luftojnë për të drejtat e tyre dhe do të protestojnë në mënyra të tjera. Grevistët kanë deklaruar se problemi i tyre nuk është zgjidhur. “Ne do vijojmë me protesta paqësore. Nuk e shtynim dot më tepër, u bënë 31 ditë nën një terror psikologjik si ky i ditëve të fundit”- tha njëri prej grevistëve.
Grevistët u shprehën që edhe pse nuk arritën të realizojnë kërkesat e tyre për dëmshpërblimin e viteve të burgut të kryer në kohën e komunizmit, ia dolën të ndërgjegjësojnë mbi problemin e tyre shoqërinë shqiptare dhe përfaqësitë të huaja diplomatike. Këto të fundit më kot kërkuan me këmbëngulje që kryeministri Sali Berisha të takonte e të dialogonte me grevistët, gjë që nuk ndodhi asnjëherë.
Gjatë këtij muaji koordinatori i grevës së urisë Skënder Tufa ka theksuar se situata është kritike. Ai ka kërkuar ndërhyrjen e organizmave ndërkombëtare dhe ka vënë disa herë në dukje se qeveria po fyen, jo vetëm ish të burgosurit, por të gjithë. “Organizmat ndërkombëtarë të ndërhyjnë për të shpëtuar jetën e atyre martirëve që po japin shembullin dhe po shuhen nga momenti në moment” tha ai.
Sipas Tufës, greva u zhvillua nën terrorin policor; ai akuzoi policinë për ndërhyrje që shkelin të drejtat e njeriut.
Lexo edhe: Corriere della Sera: ‘Ish të burgosurit politikë i vënë flakën vetes për të pasur drejtësi’