in

Qemal Bej Karaosmani, delegati elbasanas firmëtar i Pavarësisë

Në 100 vjetorin e pavarësisë – Pas shpalljes ë Pavarësisë së vendit, Ismail Qemali e emëroi Qemal Karaosmanin (Elbasanin) kryesekretar të tij dhe në fund të nëntorit të vitit 1913 Ministër të Bujqësisë.

Atdhetari, politikani dhe administratori Qemal Karaosmani, ose i njohur ndryshe me mbiemrin Elbasani, lindi në Elbasan në vitin 1875 dhe vdiq më 1948. Mësimet e para i mori në qytetin e tij të lindjes, ndërsa ato të mesme në Stamboll, pasi babai i Qemalit, Shazivari, ishte njeri shumë i pasur dhe me dije dhe kërkonte që djali i tij të shkollohej në vendet e zhvilluara. Në Stamboll Qemali studioi për Administratë Civile dhe më pas nisi punën si fillim në Prefekturën e Janinës dhe kur u kthye në Shqipëri në kadastrën e Beratit si drejtor i saj.

Historiani Kastriot Dervishi në Enciklopedinë e Elbasanit shkruan “Qemal Karaosmani (Elbasani) u emërua drejtor në Kadastrën e Beratit, në këtë qytet ku edhe jetoi për shumë vite. Në vitin 1908 ai u ftua të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në vitin 1909 ishte një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Elbasanit. Njihej për rolin e tij të spikatur për Shpalljen e Pavarësisë dhe bashkëpunoi shumë me patriotët Lef Nosi, Ahmet Daklin, Aqif Pashë Biçakçiun, duke dhënë ndihmesën e tij për përhapjen e arsimit shqip në zonën e Beratit dhe të Elbasanit”.

Në kuvendin e Vlorës (28 nëntor-7 dhjetor 1912) Qemal Bej Karaosmani  ishte delegat i Elbasanit si dhe një ndër firmëtarët e aktit të pavarësisë, ku ai ka nënshkruar emrin Qemal Elbasani. “Pas shpalljes ë Pavarësisë së vendit, Ismail Qemali do ta emëronte Qemal Bej Karaosmanin, si kryesekretarin e tij dhe në fund të nëntorit të vitit 1913 e emëroi Ministër të Bujqësisë. Kjo kohë shënon edhe kulmin e karrierës politike të Qemal Karaosmanit (Elbasani). Në vitet në vijim ai dha një kontribut të çmuar për çështje të ndryshme shqiptare, aty ku kishte nevojë administrative”, shton Dervishi.

Këtë e dëshmon mjaft mirë organizimi dhe dëshira që Qemal Bej Karaosmani kishte për mbledhjen e Kongresit të Elbasanit më 1916 ku ishte një nga pjesëtarët kryesorë të tij. “Ai kishte si synim përcaktimin e mënyrës së qeverisjes së vendit deri në kthimin e mbretit, i njohur si princ Vidi, i cili nuk u kthye më dhe në vitin 1920 ishte një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, që hodhi përfundimisht themelet e shtetit shqiptar”, shkruan Dervishi.

Qemal Karaosmani u zgjodh dy herë deputet, në Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kushtetues. Ai u zgjodh fillimisht deputet i Beratit në zgjedhjet e 27 dhjetorit të vitit 1923, në Legjislaturën e Republikës ( 1925-1928), të dalë nga zgjedhjet e 17 Majit 1925. “Qemal Karaosmani ishte gjithashtu deputet i Dhomës së Deputetëve si përfaqësues i prefekturës së Beratit, pasi zëvëndësoi në fund të vitit 1925 deputetin e dorëhequr Qemal Vrioni. Në 27 prill të vitit 1938 Qemal Karaosmani ishte delegat i Elbasanit në dasmën e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, Qemal Karaosmani u zhvendos bashkë me bashkëshorten dhe gjashtë fëmijët në Kavajë, ku edhe jetoi deri në fund të jetës së tij.

Në vitin 1945 diktatura do të persekutonte familjen Karasomani dhe fëmijët e tij. Në vitin 1962 në Arkivën Qëndrore të Shtetit familja e tij dorëzoi penën me të cilën ai kishte nënshkruar aktin e pavarësisë në vitin 1912. Gjatë regjimit komunsit familja e nderuar e Qemal Bej Karaosmanit u persekutua dhe asnjë nuk shkruajti në histori apo në libra për patriotin e shquar, i cili me dijet e tij, shoqëroi nga Durrësi për në Vlorë Ismail Qemalin për ngritjen e flamurit të pavarësisë. Madje e gjithë pasuria e tij u mor nga shteti edhe banesa që kishte në lagjen “ Spaikorre” në Elbasan, çka shkaktoi edhe një tronditje të thellë tek vetë shëndeti i Qemal Karaosmanit.

Vitet e fundit i jetoi në dhomën e tij në Kavajë ku edhe jetonte me djalin e tij, Masarin. Edhe pse kishte përvjetore Pavarësie, askush nuk u kujtua gjatë regjimit komunist per te. Ai vdiq në vitin 1948 dhe asnjë nderim nuk u bë në ato kohë nga shteti shqiptar, për këtë figurë të shuqar të kombit. Pas vdekjes së tij fëmijët e Qemal Karaosmanit u ndoqën nga kalvari i vuajtjeve dhe persekutimit, pasi konsideroheshin bejlerë. (Sipas ATSh-së)

Milano Gruaja lakuriq pret metronë “Bëra një dush e dola”

Nasce la Rete delle Donne nel Mondo per promuovere la convivenza