Inas, Inca, Ital dhe Acli: “Pati shtrëngime të tepruara, me gjithë kërkesat që i bëmë qeverisë. Numri i kërkesave është shumë i reduktuar në krahasim me realitetin e punës në të zezë”
Romë, 29 tetor 2012 – Sanatoria u interesonte qindra mijëra personave por vetëm një pjesë e vogël e tyre arriti të përfitojë prej saj për shkak të kufizimeve të vëna nga qeveria. E tregojnë këtë punonjësit dhe punëdhënësit që iu drejtuan sporteleve të patronateve dhe që vetëm një në katër arriti të paraqesë kërkesën.
Thekson “rastin e humbur” Cepa, organizmi që bashkon Inas, Inca, Ital dhe Acli. Me një komunikatë, katër patronatet nënvizojnë “angazhimin në linjë të parë në fushatën e legalizimit të punës në të zezë. Këtë e bëmë me gjithë kufizimet e përcaktuara në ligj dhe interpretimet shtrënguese të përcaktuara për paraqitjen e kërkesave”.
Një saktësim që duket sikur i drejtohet drejtpërdrejt ministrit të Integrimit, Andrea Riccardi, që ditë më parë në një intervistë dhënë të përditshmes Corriere della Sera ishte ankuar për “një rol më të ulët se në të shkuarën” që patronatet kana pasur në sanatoren e fundit, duke u shprehur se “ndoshta këtë radhë ka pasur më pak inkurajim nga bota e shoqatave, që iu kushtuan më shumë nxjerrjes në pah të kufizimeve se sa të mundësisë së ofruar nga masa e qeverisë”.
Ndërsa Inas, Inca, Ital e Acli kujtojnë që “gjatë javëve të vlefshme për paraqitjen e kërkesave kanë nxitur qeverinë dhe administratën publike që të kapërcenin shtrëngimet e tepruara që kjo sanatore vuri ndaj punëdhënësve dhe punonjësve të interesuar. Shtrëngime ekonomike dhe shtrëngime në dëshmimin e pranisë së punonjësit që vetëm pjesërisht u lehtësuan nga një interpretim autentik më 4 tetor, thuajse në mbyllje të muajit të vlefshëm për paraqitjen e kërkesave”.
“Angazhimi ynë, në të mirë të të gjithë atyre që na drejtohen, është të veprojmë në kuadër të ligjeve të Shtetit” parashtrojnë patronatet, dhe kujtojnë se gjatë fushatës së legalizimit kanë pasur kontakte “katër herë më shumë se numri i kërkesave të paraqitura. Për tre të katërtat e të interesuarve nuk ka qenë e mundur të paraqisnin kërkesë sepse nuk përmbushnin kriteret e caktuara nga ligji”.
“Jemi të mendimit – përfundon Cepa – që numri i përgjithshëm i kërkesave të legalizimit është shumë i reduktuar në krahasim me realitetin e punës së parregullt që ekziston në territor dhe që numri shumë i ulët i kërkesave të paraqitura nga ndërmarrjet, vetëm 14% e të gjithave, dëshmon që kjo mundësi nuk u shfrytëzua”.
Mbi të njëjtën temë: Speciale sanatoria 2012