in

Dorëzohet “pirati” që aksidentoi 23-vjeçarin Kasa në Brescia

Quhet Klajdi Kasa, djali i lënduar në aksidentin rrugor në Brescia. Një bergamask dorëzohet te karabinierët e Grumello del Monte-s dhe deklaron se ka qenë ai në timon të makinës që ka shtypur djalin

Romë 29 tetor 2012 – Quhet Klajdi Kasa, 23-vjeçari i lënduar rëndë në aksidentin rrugor në Brescia që është gjetur pa ndjenja rreth orës 2.30 duke gdhirë e diel i braktisur buzë rruge. Klajdi është akoma i shtruar në rianimacion të Spitalit Civil të Brescias. Të dielën pasdite i është nënshtruar një ndërhyrjeje delikate kirurgjikale për t’i reduktuar disi lëndimet e brendshme të marra në aksident.

Nga ç’tregon i vëllai që i rri pranë në spital, Klajdi ishte nisur mbrëmjen e të shtunës nga Urago Mella ku jeton, për ditë e parë të punës si kamarier në një lokal në Brescia. Me të mbaruar turnin kishte marrë biçikletën e po kthehej në shtëpi kur një makinë e ka përplasur kundër murit krah rrugës. “Nuk na e priste mendja kurrë që mbrëmja e parë e punës të kthehej në një tragjedi të tillë” thotë i vëllai.

Shoferi që ka shkaktuar aksidentin fillimisht nuk ka ndaluar, as për të parë në ç’gjendje e kishte katandisur djalin. Vetëm të dielën, rreth orës 18.30, është dorëzuar në stacionin e karabinierëve të Grumello del Monte-s, brenda 24 orëve nga aksidenti duke shmangur kështu arrestimin. Sipas informacioneve të para, personi që ka shtypur Kasën është një i ri nga Bergamo. Siç bëjnë zakonisht të ashtuquajturit ‘piratë të rrugës’ edhe ky u ka treguar karabinierëve se në çastin e aksidentit ishte në gjendje konfuzionale ndaj edhe nuk ndaloi.

 

Sanatoria. Për patronatet “u përjashtua treçereku i të interesuarve”

Mbi 100 mijë fëmijë e të rinj shqiptarë në bankat e shkollave italiane