Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lajmëroi të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit që në vigjilje të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të gjitha institucionet shkollore të arsimit parauniversitar orën e parë të mësimit, të ditës së sotme, t’ia kushtonin 28 nëntorit, kësaj dite të rëndësishme të historisë së shqiptarëve. Kështu, në të gjitha shkollat e Kosovës, sot, ora e parë në ditar u shënua si “Kronika e krijimit të shtetit shqiptar”.
Me këtë rast, ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, të gjithë nxënësve, mësimdhënësve, punonjësve të institucioneve shkencore, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës u ka uruar 100-vjetorin e shtetit shqiptar.