in

Përpjekja më e re për përçarjen e shqiptarëve

Nga Pëllumb XHUFI

Nisma e fundit e z. Berisha për t’i dhënë shtetësinë dhe për të pajisur me pasaportë shqiptare të gjithë bashkëkombësit tanë, që jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar, mund të vendoset në vazhdën e shpërthimit të papritur nacionalist të Kryeministrit, pikërisht pas kremtimeve të 100-Vjetorit të Pavarësisë. Me siguri, z. Berisha do ta ketë pikasur ftohtësinë e akullt që shoqëroi fjalimet e tij patetike, nëpër konferenca e mitingje, në Vlorë apo në Tiranë.

Njerëzit e kanë të vështirë ta pranojnë këtë ndryshim të befasishëm të njeriut, që në këto tetë vjet i ka bërë lëshime kolosale nacionalizmave fqinje, greke e serbe, duke varrosur axhendën kombëtare e duke zbatuar axhenda të huaja. Më konkretisht: duke u falur të huajve territorin kombëtar; duke favorizuar nënshtrimin ekonomik ndaj bizneseve greke e serbe; duke e ngritur korrupsionin në sistem, veçanërisht korrupsionin e ushqyer nga vende të interesuara të huaja; duke përdhosur historinë e figurat kombëtare e duke mistifikuar ngjarje e individë të kurdisur e të paguar nga shovinistët fqinjë; duke krijuar minoritete të paqena nëpërmjet regjistrimesh të organizuara sipas kritereve të imponuara nga qarqe shoviniste ballkanike; duke rrënuar arsimin publik e duke hapur shkolla greke e serbe në fshatra e qytete shqiptare të pretenduara nga nacionalistët fqinj; duke goditur shkencën e veçanërisht shkencat albanologjike, nëpërmjet shkatërrimit të Akademisë së Shkencave dhe institucioneve kërkimore-shkencore; duke inkurajuar lidhjen dhe orientimin e trevave të jugut drejt Greqisë, nëpërmjet rrënimit të infrastrukturës rrugore dhe prerjes së lidhjeve të atyre trevave me pjesën tjetër të vendit; duke lejuar ngritjen e monumenteve e simboleve të huaja me nëntekst të qartë shovinist; duke lejuar e duke bashkëpunuar në përdhosjen dhe shkatërrimin e monumenteve dhe të varreve shqiptare; duke persekutuar nëpunës e intelektualë të ndershëm e patriotë, që i janë kundërvënë këtyre politikave antishqiptare e duke promovuar nëpunës e qeveritarë të korruptuar të lidhur me qarqet më të egra antishqiptare; duke mbajtur të vakëta lidhjet jetike, ekonomike e kulturore, me Kosovën; duke nxitur ndarje dhe e urrejtje ndërshqiptare, ndërkrahinore e ndërfetare; duke sabotuar qëllimisht procesin e integrimit evropian; duke e dobësuar në infinit mbrojtjen e sigurinë e vendit, nëpërmjet një procesi shproporcional çarmatosjeje e reduktimi drastik efektivash e nëpërmjet diskreditimit të forcave tona të armatosura me anën e kultivimit të një kulture korruptive, bashibozuke, krahinariste e mercenare; duke ngritur një polici e një drejtësi të regjimit. Dhe kështu mund të vazhdojmë pafundësisht.

Në kushtet e një të kaluare të afërt aspak nacionaliste e aq më pak patriotike, mbetet të zbulojmë se cila është arsyeja e kësaj dalldisjeje të radhës. Sigurisht, mënyra më e mirë sot për të sabotuar procesin e integrimit, për të komprometuar marrëdhëniet me fqinjët dhe me aleatët, për të rrënuar edhe njëherë imazhin e shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar, është t’i drejtohesh instinktit të turmave, të atyre turmave që fatmirësisht sa vijnë e mpaken dhe që nuk e dallojnë mirë se cili është kufiri midis patriotizmit të vërtetë dhe nacionalizmit të shtirë.

Z. Berisha llogarit t’u ngrejë atyre adrenalinën nacionaliste, së pari për të prodhuar një konsensus të ri rreth figurës së tij të diskredituar, posaçërisht në planin kombëtar. Nëse vërtet ai do t’i pajisë shqiptarët që jetojnë në trojet tona etnike me pasaporta të shtetit shqiptar, kjo do të thotë që ata do të bëhen qytetarë me të drejta të plota, dhe si të tillë do të mund të votojnë, pas ndërhyrjeve përkatëse në legjislacion. Z. Berisha llogarit që një gjë e tillë do të mund të sillte një përmbysje në rezultatet zgjedhore brenda Shqipërisë, gjë që në mënyrë të pashmangshme do të shkaktonte risentimente e çarje të reja mes shqiptarëve. Z. Berisha, ose ata që i sugjerojnë lëvizje të tilla, e di mirë këtë gjë.

Ashtu siç e di mirë, se në kushtet e një klime të përkeqësuar në marrëdhëniet ndërballkanike, të provokuar kësaj radhe nga ai vetë, tek komunitete të caktuara shqiptare të trevave periferike (si Preshevë, Kumanovë, etj.) mund të lindë prirja për t’u shpërngulur drejt trevave më të sigurta, në thellësi të territoreve shqiptare. Një zhvillim i tillë do të ishte i ngarkuar me pasoja të rënda ekonomike, sociale, kulturore e sidomos do përthyhej shumë negativisht në terma të sigurisë kombëtare dhe të rrudhjes së hapësirave shqiptare. Mos harrojmë, që një gjë të tillë z. Berisha e “eksperimentoi” në nivel nacional me inkurajimin që i bëri në vitet 1990 zbrazjes së viseve verilindore dhe dyndjes së popullsisë së tyre drejt Tiranës dhe qyteteve të tjera të bregdetit.

Dhe kjo ndodhi në sintoni të çuditshme me lançimin e projektit milosheviçian për zbrazjen e Kosovës nga popullsia e saj shqiptare dhe shpërnguljen e saj të dhunshme brenda kufijve të shtetit shqiptar. Kështu mendonte atëherë Milosheviçi ta “arkivonte” një herë e mirë çështjen “Kosova”. A thua të kemi të bëjmë me variantin “B” të të njëjtit projekt?

Ka në këtë kumt të fundit të z. Berisha edhe një dozë të qartë “hakmarrjeje” ndaj BE-së dhe partnerëve të tjerë të Shqipërisë, që po bëhen gjithnjë e më kritikë ndaj qeverisjes së tij autoritare dhe që, me sa duket, e kanë dhënë mesazhin se prania e tij është një pengesë për integrimin evropian të Shqipërisë. Por nga “hakmarrje” të tilla, shqiptarët kanë pasur vetëm keq. Mos harrojmë se kemi të bëjmë gjithashtu me një sjellje tashmë të eksperimentuar nga z. Berisha në vitet e presidencës së tij, në vitet 1992-1997, kur një ditë të bukur, papritur, “shpiku” komplote amerikane e evropiane kundër Shqipërisë. Dhe nga përvoja e atëhershme, e dimë se ç’sjellin tallazet e vonuara nacionaliste dhe shpërthimet inatçore të Berishës: izolim, kaos, rrënim të imazhit dhe kthim në pikën 0 të mundimeve sizifiane të popullit e të kombit shqiptar.

Gazeta Shekulli

Vicenza Gjendet i vdekur në makinë, i vrarë me plumb në kokë

Flukset. Nis dërgimi i kërkesave për konvertimet e lejeqëndrimeve