Rregullorja e re: edhe ata që janë në pritje të lejeqëndrimit të parë mund të lëvizin në Shengen
Romë, 6 prill 2010 – Kush është në pritje të lejeqëndrimit të parë për punë apo për motive familjare më në fund mund të lëvizë edhe në Europë. Kjo është ndoshta risia më e rëndësishme e një rregulloreje evropiane që ka hyrë në fuqi dje, më 5 prill, në të gjithë Bashkimin Europian, përfshirë Italinë. Teksti i dedikohet qarkullimit në zonën Shengen të titullarëve të vizave për qëndrime afatgjata, pra mbi tre muaj, si ato që u lëshohen shtetasve të huaj që vijnë në Itali me dekretet e flukseve apo për bashkim familjar.
Aktualisht bëjnë pjesë në Shengen, përveç Italisë, edhe Belgjika, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja, Austria, Greqia, Danimarka, Finlanda, Suedia, Islanda, Norvegjia, Sllovenia, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeka, Sllovakia, Hungaria, Malta, Zvicra.
Në të gjitha këto vende mund të udhëtojnë lirisht për jo më shumë se 90 ditë në gjashtë muaj të gjithë ata që në Itali kanë një leje qëndrimi të vlefshme. Por ç’ndodh për ata që vijnë në Itali me një vizë afatgjatë e pastaj, siç parashikon ligji kërkojnë lejen e qëndrimit? “Deri më sot, për punë ose për motive familjare, konsullatat italiane në vende të ndryshme të botës lëshonin herë viza të tipit Shengen, e herë viza afatgjata të quajtura ndryshe edhe viza kombëtare me një hyrje. Kush kishte vizë të këtij llojit të dytë, mund të vinte në Itali, por për të udhëtuar në vende të tjera Shengen duhet të priste deri sa të kishte në dorë lejen e parë të qëndrimit. Pra duhet të priste edhe një vit, mos më shumë” shpjegon avokatja Mascia Salvatore.
Rregullorja e re disiplinon pikërisht këtë situatë, siç lexohet në parashtrim, edhe për shkak të “vonesave të konsiderueshme” pas të cilave arrin dokumenti i qëndrimit në shumë shtete (Italia mban rekordin negativ). Para së gjithash, këtej e tutje vizat për qëndrimin afatgjatë do të jenë njësoj, dhe titullarëve u njihet e njëjta e drejtë e qarkullimit të lirë e të huajve që kanë leje qëndrimi: mund të udhëtojnë pa problem për tre muaj në një semestër në 25 vendet e zonës Shengen.
“Në këtë mënyrë, të huajt në Itali mund të lëvizin për turizëm në Europë ndërsa presin lejen e qëndrimit. Por edhe, thjesht, të kapërcejnë Europën për t’u kthyer në atdhe, qoftë duke kaluar me makinë qoftë për ndalesa të avionit, siç bëjnë shumë shtetas të Europës Lindore” nënvizon avokatja.
Elvio Pasca