Policia e Tiranës jep sot detaje mbi vrasjen në Mazrek të Tiranës të Agron Dervishit, emigrant në Firence. Mbi të është shtënë pesë herë nga dy armë
Tiranë, 3 janar 2013 – Policia e Tiranës ka bërë publike detaje për vrasjen e emigrantit 40-vjeçar të sapokthyer nga Italia i gjetur i vdekur në makinën e tij të mërkurën, më 2 janar.
“Dje rreth orës 07:30 në fshatin Mazrek komuna Kashar, është gjendur i vrarë me armë zjarri pranë automjetit të tij tipi “Mercedes- Benz Vito” me targë CY 325 SZ, Agron Xhemal Dervishi, 40 vjeç, banues në Maminas, Durrës, të cilit dyshohet se persona të paidentifikuar i kanë dalë përpara, e kanë vjedhur portofolin dhe e kanë vrarë”, lexohet në një komunikatë për shtyp të policisë që lë të nënkuptohet se motiv i vrasjes mund të ketë qenë pikërisht grabitja. “Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të kalibrit 7,62 mm dhe 2 gëzhoja te kalibrit 7,65 mm, si dhe sende e objekte të tjera, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe për ekzaminime të mëtejshëm”, thuhet më tej në komunikatë.
Agron Dervishi jetonte në Firence. Lë gruan dhe dy fëmijë: një djalë 8 vjeç dhe një vajzë 6 vjeç. I kthyer nga Italia për të kaluar festat në Shqipëri, Agron Dervishi i cili kishte familjen e tij në Karpen të Maminasit, kishte shkuar për mbrëmjen e Vitit të Ri te prindërit e bashkëshortes në Mazrek. Ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij në Maminas, pasi ka lënë gruan me dy fëmijët tek vjehrri kur është vrarë. E para që ka dhënë alarmin ka qenë bashkëshortja e të ndjerit pasi i ka telefonuar disa herë Agronit pa marrë përgjigje prej tij.
Mëngjesine të mërkurës disa tregtarë të zonës kanë gjetur trupin dhe kanë lajmëruar policinë e Tiranës, që, në bazë të ekspertizës, thotë se vrasja duhet të ketë ndodhur rreth orës 21:00 të 1 janarit.
I intervistuar nga mediat, Alfred Dervishi, vëllai i 40-vjeçarit që kërkon zbardhjen e ngjarjes saktëson: “Agroni nuk kishte konflikte, bënte një jetë të qetë. Kërkojmë nga shteti që të zbardhet e vërteta, të zbulohet kush e vrau dhe të vihet drejtësia”.