in

Punonjësit sezonalë. Nisin konfirmimet për hyrjet shumëvjetore

 

Punëdhënësit mund të sjellin në Itali “veteranët” pa kaluar përmes dekretit të flukseve. Mjaft të përpilojnë një formular on-line

Romë, 10 janar 2013 – Një nga risitë më të rëndësishme të viteve të fundit për punonjësit sezonalë jokomunitarë të punësuar në bujqësi apo në sektorin e turizmit (hotele e restorante) është mundësia e kërkesave të autorizimeve trevjetore për hyrjen në Itali.

Kërkesa e parë paraqitet nga ndërmarrja kur del një dekret fluksesh. Pasi kërkesa pranohet, në dy vitet pasardhëse ndërmarrja mund të thërrasë punonjësit në çdo moment, me një komunikim të thjeshtë, pa pritur shpalljen e kuotave të reja. Është një procedurë e shpejtë, pa burokraci, që lejon ardhjen në çastin e duhur të këtij krahu pune të vyer.

Nga 3 janari punëdhënësit mund të paraqesin komunikimin për konfirmimin e punësimit edhe për vitin 2013 të punonjësit stinor për të cilin është marrë në të shkuarën një autorizim shumëvjeçar. Dhe nga ky vit mund ta bëjë edhe një punëdhënës i ndryshëm nga ai që ka siguruar fillimisht autorizimin.

Procedura bëhet në internet, përmes faqeve nullaostalavoro.interno.it, dhe mund të përpilohet personalisht apo me ndihmën e shoqatave. Janë në dispozicion katër formularë sipas llojit të konfirmimit që bëhet:

Formulari CSP (1° anno): për konfirmimin e punësimit të punonjësit sezonal për të cilin është marrë një autorizim punësimi shumëvjeçar me Dekretin e flukseve sezonale 2012;

Formulari CSP (2° anno): për konfirmimin e punësimit të punonjësit sezonal për të cilin është marrë një autorizim punësimi shumëvjeçar me Dekretin e flukseve sezonale 2011 dhe është konfirmuar punësimi i të njëjtit punonjës në vitin 2012;

Formulari CSP-AD (1° anno): për konfirmimin, nga një punëdhënës i ri, i punësimit të punonjësit sezonal për të cilin është marrë një autorizim punësimi shumëvjeçar me Dekretin e flukseve sezonale 2012;

Formulari CSP-AD (2° anno): për konfirmimin nga një punëdhënës i ri, i punësimit të punonjësit sezonal për të cilin është marrë një autorizim punësimi shumëvjeçar me Dekretin e flukseve sezonale 2011 dhe është konfirmuar punësimi i të njëjtit punonjës në vitin 2012;

Komunikimi do t’i përcillet telematikisht konsullatës italiane në vendin në të cilin jeton punonjësi, që mund të kërkojë vizën e hyrjes sapo të shohë në faqet internet domanda.nullaostalavoro.interno.it që praktika e tij shoqërohet nga e shkruara “NULLA OSTA INVIATO ALL’AUTORITÀ CONSOLARE”. Për t’u futur në sistem nevojitet të shkruhen përdoruesi dhe fjalëkalimi të përdorura më parë nga punëdhënësi për të bërë komunikimin. Sidoqoftë, është e udhës që punonjësit t’i niset një kopje e autorizimit shumëvjetor të lëshuar nga Sportelli Unik për imigracionin.

Me të marrë vizën e hyrjes, punonjësi sezonal do të mund të hyjë në Itali, të nënshkruajë kontratën e të kërkojë lejen e qëndrimit. Për të nisur më në fund punën për të cilën është sjellë në Itali.

EP

 

Italianë të rinj në listat zgjedhore PD. Mbetet jashtë Ismail Ademi

‘I tesori del patrimonio culturale Albanese’ arrivano a Torino