Skulptori shqiptar, Genti Tavanxhiu, merr çmim në konkursin e zhvilluar në Pekin për Lojërat Olimpike mes 2450 projektesh nga 90 vende të botës
35 vjeçari Genti Tavanxhiu ka lindur në Shkodër ku është diplomuar për skulpturë. Në moshë shumë të re është transferuar në Itali ku ka ndjekur kurse perfeksionimi në pikturë. Gjatë karrierës së tij ka realizuar vepra skulpture dhe vepra monumentale për ambiente të hapura për ente publike e private në shtete të ndryshme të botës si Itali, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Francë, Rumani, Turqi, Japoni, ShBA; ka hapur ekspozita personale e ka marrë pjesë në ekspozita kolektive dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme.
Sot, artisti shqiptar sapo është vlerësuar me Çmim në konkursin ndërkombëtar të skulpturës në kuadrin e Lojërave Olimpike në Pekin (Kinë).
Më datën 31 Maj, në Pekin me rastin e hapjes së Lojrave Olimpike u mbajt ceremonia e ndarjes së 29 kupave dhe 50 medaljeve për artistët që kanë mbërritur ne fazën finale të Konkursit ndërkombëtar të skulpturës: mes tyre edhe skulptori shqiptar Genti Tavanxhiu
Punimi i tij “Spirit of Olympic” është pranuar mes 2450 projektesh të paraqitura nga 90 shtete të botës.
Skulptura e realizuar në gur travertino nga artisti, ku tregohet bashkimi i fortë mes njeriut dhe pasionit që ai ka për sportin. Votat e artdashësve u bashkuan me ato të Komitetit organizativ dhe ekspertëve të artit dhe mundësuan emërtimin e finalistëve.
Ky ishte aktiviteti i dytë i rëndësishëm në Kinë, që pati si protagonist edhe artistin shqiptar Genti Tavanxhiu, i cili ka marrë pjesë dhe më parë në Bienalen e dytë të Artit të organizuar në Pekin në shtator të vitit 2005. Fitorja e Gentit shënon edhe një arritje të Artit shqiptar në Botë.
Intervista
Genti dy fjalë për Konkursin ndërkombëtar në Pekin. Titulli i konkursit, kur ka filluar dhe ku është qendra e ekspozimit të veprave?
Ky konkurs quhet “2008 Olimpic Landscape Sculpture Design Contest” dhe ka filluar më 8 gusht 2005. Punimet u përzgjodhën nga 17 ekspertë arti nga Austria, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, Amerika e vende të tjera.
Qendra e kësaj ekspozite ka qenë Muzeu “Jin Tain” në Pekin, por kjo ekspozitë ka bërë xhiron në të gjitha qytetet e mëdha të Kinës, si dhe në qytete të rëndësishme të botës.
Cili është numri i pjesëmarrësve dhe në çfarë faze është seleksionimi?
Në ekspozitën e parë morën pjesë 386 vetë, kurse sot kanë mbetur vetëm fituesit që janë 79.
Si titullohet punimi juaj? Me çfarë materiali e teknike është krijuar?
Punimi im titullohet “Spirit of Olimpic”, projektin origjinal e kam bërë në gur travertino, me gjatësi 60 cm e me lartësi 30cm. Sot kjo punë është e ekspozuar në alumin të kromuar, pasi atë e kanë riprodhuar në 3 kopje.
Pjesëmarrja në këtë konkurs ndërkombëtar është një fletë e rëndësishme në karrierën tuaj artistike apo jo?
Karriera ime sot është gjithmonë në rritje, më pëlqejnë rezultatet që jam duke arritur me punën time, gjë të cilën nuk e kisha menduar kaq shumë, sidomos gjatë këtij viti kam marrë shumë kënaqësi. Sapo jam kthyer nga Dubaj, ku bëra një punë monumentale e cila do të vendoset për arredim urban te ndërtesa më e madhe në botë. Së fundi kam marrë pjesë gjithashtu në ekspozitën kolektive në Sioux Falls (ShBA) ekspozitë kjo që zgjati 1 vit dhe u mbyll më 4 maj 2008.
Çfarë shënon marrja ë një çmimi në ekspozitën e Pekinit organizuar me rastin e Lojërave Olimpike?
I gjithë ky vit, për mua është duke shënuar një rritje në karrierën time edhe ky çmim që më jepet ka një vlerë tepër të madhe, pasi unë nuk mendoja të arrija deri në finale meqenëse këtu votohej në vazhdimësi si nga publiku ashtu edhe nga kritikët e artit, në Kinë e në Botë.
Në këtë ekspozitë ka pasur artistë të tjerë shqiptarë?
Unë jam i vetmi shqiptar që kam fituar në seleksionimin e këtij konkursi që në fillim.
Cilat janë ekspozimet e ardhshme që po përgatit?
Gjatë majit e qershorit kam tre simpoziume në Itali ku marr pjesë si i ftuar nga organizatorët, në Rieti, në Terni dhe Venecia. Në tetor do të jem në simpoziumin II ndërkombëtar të skulpturës të organizuar nga Akademia e Arteve në Antalia të Turqisë.
Ndonjë plan ekspozimi në Shqipëri?
Do të shkoj edhe në Shqipëri, ku për herë të parë në territorin shqiptar jemi duke organizuar simpoziumin e skulpturës në Korçë. Më ka kontaktuar drejtori i qendrës kulturore të këtij qyteti Z. Vladimir Topi, i cili në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së qytetit kërkuan edhe kontributin tim për organizimin e këtij evenimenti. Simpoziumi do të mbahet nga 25 qershori deri më 7 korrik dhe atje do të jenë të pranishëm me veprat e tyre 8 artistë, tre shqiptarë (Vladimir Kaçaku, Emanuel Koko dhe unë) e pesë të huaj.
Në zonën ku banoni në Itali keni të ekspozuar veprat tuaja?
Sapo kam kryer inaugurimin e 2 skulpturave monumentale këtu në zonën time ku jetoj. Sapo ka dalë gjithashtu edhe katalogu “Ulisse” (në faqet e arteve vizive jam edhe unë) i përgatitur nga shoqata “Fonopoli in movimento” president i të cilës është Renato Zero.
A keni kontakte apo bashkëpunime me artistë shqiptarë qe jetojnë në Itali?
Kam pak kontakte me artiste të tjerë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, jam më shumë i lidhur me artistët që jetojnë në Shqipëri.
Cilat janë tematikat që keni trajtuar në veprat e kohëve të fundit?
Tematikat që unë trajtoj në punët e mia janë nga më të larmishmet. Në këtë periudhë jam duke punuar me forma këmbësh të mëdha, të cilat jam duke i lënë si gjurmë të miat nëpër botë. Gjithashtu kam edhe projekte të tjera për të realizuar këtë vit, si nyja e sheshtë. Kam tre vjet që merrem me studimin e formës dhe mendoj se me atë që do të realizoj në Turqi në tetor do ta mbyll kërkimin tim mbi këtë temë. Gjithashtu mbylla edhe kërkimin tim mbi formën e spirales me punimin tim të fundit, i cili do të inaugurohet këtë muaj. Projektet e mia për këtë vit janë të shumta pasi jam i ftuar në shumë aktivitete të ndryshme artistike, kjo falë edhe menaxhimit që ka bërë bashkëshortja ime.
Pastaj nuk i dihet…. mendja ime është gjithmonë në kërkim e në studim.
Albana Temali, Shqiptari i Italisë qershor 2008