in

Torino-Londra me dokumente të rreme. Arrestohen dy shqiptarë

U siguronin shqiptarëve dokumente të rreme dhe një biletë për të shkuar nga Italia në Mbretërinë e Bashkuar. Arrestohen dy persona e paditen 28 të tjerë

Romë, 20 shkurt 2013 – Dy shqiptarë janë arrestuar dhe 28 persona të tjerë, italianë e shqiptarë, janë denoncuar gjatë një aksioni të policisë së aeroportit Torino Caselle. Grupi kriminal ofronte një ‘paketë udhëtimi’ që përmbante dokumente të rreme e biletë avioni, falë të cilave shtetas shqiptarë mund të shkonin në Angli.

Dy shqiptarët e arrestuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë me dije, akuzohen për favorizim të emigracionit klandestim e fabrikim të dokumenteve të rreme, ndërsa nga 28 të tjerët e paditur, 11 konsiderohen përbërës aktivë të bandës kriminale, dhe të tjerët përdorues të ‘shërbimit’ të ofruar nga të parët. Sipas rindërtimit të fakteve nga policia, organizata asistonte klientët shqiptarë kur këta mbërrinin në Itali deri kur niseshin për në Angli.

Hetimet kanë nisur në vitin 2011 kur është vënë re një rritje e numrit të shqiptarëve që niseshin drejt aeroporteve angleze nga ata të veriut të Italisë (Torino, Malpensa, Genova, Bergamo dhe Pisa). Gjithnjë sipas policisë, numërohen rreth njëqind shqiptarë që kanë përfituar këtë ‘shërbim’.

Nga hetimet ka dalë në dritë që klientët pajiseshin me dokumente personash të tjerë, që nuk denonconin humbjen e dokumentit, të cilave u ndërroheshin fotografitë. E gjithë kjo kundrejt një pagese që shkonte nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Cittadinanza per le seconde generazioni. I cartelli di Arbër: “È ora di cambiare”

Lucia Nadin zbulon flamurin e Kastriotit në afresket e kishës së Shën Sebastianit në Venecia