Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.
Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore.
Por festa e Verës nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, ‘goditen ‘ ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.
Të parët tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë.
Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojra popullore.
Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri -tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.
Sot në Elbasan
Edhe pse është shpallur festë kombëtare, Elbasani, qyteti ku u themelua ruan zakonin shekullor si askush tjetër.
Aktivitetet në këtë ditë kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, ku në rrugët e qytetit edhe pse me shi qytetarët kanë dalë për të festuar Ditën e Verës, si edhe për të përcjellë urime në këtë ditë.
Kjo festë ka nisur me aktivitetin tradicional, karnavalet dhe krosin e organizuar nga shkollat 9-të vjeçare të qytetit.
Të inkuadruar në kolona rreshtore me pankarta në duar, si “Stop dhunës”, “Mbani pastër mjedisin”, etj, qindra fëmijë kanë qenë pjesë e dekorit të festës tradicionale, me veshjet e tyre, duke hedhur edhe parrulla për paqe dhe lumturi.
E veçanta e ditës së sotme janë rrugët e qytetit të Elbasanit që gumëzhijnë në atmosferë festive, edhe pse ka më pak vizitorë se një vit më parë, që nuk kanë harruar të shijojnë një nga specialitetet e kësaj dite, ballakumen.
Ballakumja, gatimi tradicional i Ditës së Verës
Në fakt askush nuk mund ta kuptojë Festën e Ditës së Verës, një festë tradicionale pagane, e cila kremtohet çdo 14 mars, pa shijimin e ballokumes, një gatim i veçantë i Elbasanit, një qytet i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe i njohur për traditat e tij sidomos në fushën e arsimit.
Por edhe pse ka edhe dy ditë nga kremtimi i festës, duket se tregtarët e kësaj ëmbëlsire tradicionale në Tiranë kanë nxituar ta nxjerrin në shitje ëmbëlsirën e famshme.
A.D, një 71 vjeçar nga Elbasani, thotë se ka rreth 50 vjet që gatuan ëmbëlsirën e famshme. “Isha 14 vjeç kur nisa të mësoj gatimin e saj. Ai shprehet se kjo ëmbëlsirë karakteristike e zonës së Elbasanit, nuk mund të prodhohet me mjete industriale, por veçse me përpunim primitiv, ku si bazë të saj ai cilëson miellin e ëmbël të misrit.
‘Krenar’ për sekretin e ‘rrahjes’ së saj ai thotë se tashmë janë të shumtë njerëzit që e preferojnë , madje vitet e fundit çdo prag 14 marsi, ka pasur shumë kërkesa nga qytete të tjera, sidomos nga Tirana.
Sipas tij, baza e ballokumes është gjalpi i deles dhe mundësisht e deles së rritur në zonat malore të këtij rrethi, nga të cilat ai përmend zonën e Polisit. Si sekret të gatimit të saj ai quan një tenxhere bakri me përmasa 10 litërshe, ku masa e brumit, që përmban veç gjalpit edhe vezët e fshatit, miellin e misrit (të situr shumë shumë imët), sheqerin, rrihet me një lugë druri dhe punohet gjatë. (Sipas ATSh)