Do t’u paguajë kompensim për shtrim në spital, për periudhën e nevojshme të shërimit dhe për lindje. Punëdhënësit sigurohen për fatkeqësitë në punë
Më shumë mbrojtje për bashkëpunëtoret familjare, të ashtuquajturat colf, badanti, baby-sitter. Nga 1 korriku është në funksionim Cas.sa.colf, një arkë sigurimi shëndetësor integrativ.
Cas.sa.colf do të sigurojë punonjësve kompensim ditor në rast shtrimi në spital, konvaleshence dhe lindjeje dhe rimbursim të plotë të tarifës (ticket) për disa shërbime shëndetësore të mjekëve specialistë të ofruara nga shërbimi shëndetësor kombëtar. Ndërsa punëdhënësit do të gëzojnë një sigurim në rast të fatkeqësive në punë të punonjësve, përfshirë ato “in itere”, pra gjatë rrugës nga shtëpia drejt vendit të punës.
“Regjistrimi është automatik, Cas.sa.colf ushqehet nga kontributet që paguhen me buletinet postare tremujore siç parashikohet nga kontrata kolektive kombëtare e punës shtëpiake. Ato para do të rrisin mbrojtjet për punonjëset familjare dhe familjet ku ato shërbejnë” shpjegon Rosetta Raso, sekretare kombëtare e sindikatës Fisascat Cisl.
Në arkën e sigurimit shëndetësor integrativ do të përfundojnë 0,03 euro për çdo orë pune. Mund të duket pak, por do të mjaftojnë për të paguar, për shembull, një kompensim prej 20 eurosh për çdo ditë shtrimi në spital, që i duhen shtuar pagës në periudhë sëmundjeje që paguan punëdhënësi, ndërsa familjet do të jenë të mbuluara deri në 50 mijë euro për fatkeqësitë në punë të punonjësve.
“Kompensimet dhe rimbursimet – shton Raso – do të mund të kërkohen duke përpiluar disa formularë, edhe me ndihmën e patronateve. Cas.sa.colf është shumë i rëndësishëm pasi bashkëpunëtorët familjarë në shumicën e rasteve janë gra të huaja, ndër subjektet më të dobëta të shoqërisë, por të pafuqishme ndihen edhe familjet, që mbulojnë vetë të gjitha shpenzimet për asistencën për familjarët e tyre”.
Elvio Pasca
Për më shumë informacione vizito edhe faqet internet të Cas.sa.colf