Në Venecia festohet “Dita e Popullit të Venetos”, e kërkuar nga legistët. Çmimin e parë të konkursit mes shkollave e fiton muzikali në dialekt i klasës së pestë D të fillores Grimani të Margheras, ku mëse gjysma e nxënësve janë bij emigrantësh
Romë, 27 mars 2013 – Më 25 mars në Venecia, në përvjetor të themelimit legjendar të qytetit, u zhvillua Festa e Popullit të Venetos, një celebrim që bëhet prej vitit 2007, me kërkesë të Legës së Veriut, në emër të mbrojtjes së identitetit. Veçantia e këtij edicioni ishte fakti që protagonistë ishin bijtë e emigrantëve, të cilëve Lega nuk do t’u japë shtetësinë, duke u justifikuar shpesh me mbrojtjen e vetë “identitetit”.
25 marsi nisi me dhënien e çmimit të një konkursi për shkollat kushtuar vlerësimit të kulturës dhe të traditës së Venetos përmes projektesh të ndryshme.
Çmimin e parë dhe njëmijë euro për veprimtari shkollore e fituan Aurora, Ambra, Alfi, Eraldi, Oussama, Zhei, Jiaya e shumë të tjerë të klasës së pestë D të shkollës fillore Grimani të Marghera-s. Një klasë speciale, e përbërë nga 26 nxënës, 15 prej të cilëve me prindër që vijnë nga 11 vende tu huaja, si Shqipëria, Kosova, Maroku, Kina.
Që të 26 nxënësit kanë vënë në skenën e Auditorit të Universitetit Ca’Foscari një spektakël muzikal me këngë e dialogë në dialektin venecian. Tregon për një burrë që ndihet i vetmuar në një qytet të ri e sjell ndërmend rrëfimet e gjyshes veneciane.
Ideja e këtij spektakli ishte e mësueses Rossella Zohar de Karstenegg, edhe ajo me prejardhje të huaj si shumica e nxënësve të saj, që bindi fëmijët të këndojnë e të recitojnë në dialektin e qytetit të tyre Marghera.
Samia Oursana